Dëshmia tronditëse e shqiptarit: U shtira si i vdekur në mesin e 41 kufomave. Serbët na vranë edhe foshnjat

Aktuale

Dëshmia tronditëse e shqiptarit: U shtira si i vdekur në mesin e 41 kufomave. Serbët na vranë edhe foshnjat

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 16:51
Pamje nga lufta e Kosovës

Në fillim të vitit 1999 fshati Bellacërkë i Rahovecit banohej tërësisht nga shqiptarë dhe kishte rreth 350 shtëpi me rreth 2.800 banorë.

Shumë herët në mëngjesin e 25 marsit 1999, tanket hynë në Bellacërkë dhe forcat serbe dhe të UJ iu vunë flakën fshatit dhe qëllonin me breshëri armësh. Në një përrua ushtria serbe gjeti 14 persona që ishin fshehur dhe i ekzekutoi brenda një minute. Ngjara u pa nga shqiptari Sabri Popaj.

Dëshmitari Isuf Zhuniqi ka përjetuar momente tmerri dhe ka parë vrasjen e shumë shqiptarëve. Më 25 mars ai vuri re një grup me 12 persona, të përbërë prej dy familjesh që ende ecnin përgjatë rrjedhës së përroit. Këta njerëz nuk kishin mbërritur ende në vendin ku donin të fshiheshin nën urën hekurudhore dhe policët serbë ishin shumë afër prapa tyre, kur njëri bërtiti, “Zjarr!” Tre prej tyre hapën zjarr me automatikë. Ata që u vranë në vend ishin burra gra dhe 7 fëmijë, më i vogli 2 vjeç. Shumë më vonë Isuf Zhuniqi zbuloi se vetëm djali 2 vjeç kishte shpëtuar.

Një mjek nga Bellacërka, Nisim Popaj, i tha kreut të grupit të policëve se ishin bujq të thjeshtë dhe jo pjesëtarë të UÇK-së. Si përgjigje, kreu i policëve e qëlloi me armë dhe e vrau. Pastaj, ai e ktheu pushkën në drejtim të nipit të mjekut, Shëndet Popaj, dhe e qëlloi me një plumb në kokë, duke e vrarë edhe atë në vend.

Edhe Isufi u kap nga policia serbe dhe i gjithë grupi i Zhuniqit prej rreth 65 burrash që ishin fshehur në përroin e Belajës u urdhëruan të zbrisnin poshtë në përrua dhe në atë moment policët u urdhëruan të hapnin zjarr. Mandej të gjithë policët hapën zjarr me armë automatike. Zhuniqi u godit në krah dhe ra përtokë, me burrat e tjerë mbi të. Ai ishte në gjendje të ruante vetëdijen, por qëndroi pa lëvizur duke u shtirur i vdekur. Krismat vazhduan për rreth pesë minuta e pastaj Zhuniqi dëgjoi disa herë, “Ky ende merr frymë,” pas së cilës dëgjonte një shkrepje të armës. Pas pak ai dëgjoi dikë që tha, “Mirë, tash janë të gjithë të vdekur, le të largohemi.” Pasi qëndroi i shtrirë aty edhe 20 minuta kur u sigurua se policët kishin shkuar, ai u ngrit. Pasi këqyri përreth, Zhuniqi identifikoi 41 të vdekur. Përveç këtyre, në përrua ndodheshin edhe 11 kufoma të tjera, emrat e të cilave nuk i kujtoheshin.

Varrimi i kufomave

Sabri Popaj dëshmoi se në mbrëmjen e 26 marsit ai dhe gruaja e tij dhe një fqinj u kthyen në vendin e ngjarjes dhe i nxorën kufomat në bregun e përroit. Të nesërmen, ata i mbështollën kufomat me mbulesë plastike dhe batanije. Në mbrëmje, ata, së bashku me të tjerët nga Bellacërka dheXërxa, filluan t’i varrosnin kufomat. Ishin gjithsej 38 kufoma. Popaj tregoi se 35 kufoma u varrosën në një varr të përbashkët rreth 20 metra nga përroi, afër vendit ku ishin vrarë pranë urës hekurudhore. Dy të tjerë, Isufi Popaj dhe Mehmet Popaj, babë e bir, u varrosën veças disa metra më larg me kërkesën e familjes së tyre.

Popaj i shkroi emrat e afërsisht 17 të vdekurve në copa të veçanta letre, të cilat i vendosi në shishe të vogla qelqi së bashku me kufomat. Ai gjithashtu bëri edhe një listë. Gjithsej u vranë 26 anëtarë të familjes së tij. Popaj ndihmoi edhe në varrosjen e një grupi prej 13 vetave që u vranë të parët, si dhe gjashtë të tjerëve që dergjeshin në kanalin që çon nga përroi në drejtim të Celinës. Popaj gjeti edhe katër kufoma të tjera afër një druri aty afër dhe i varrosi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat