Shpërthen lufta e brendshme në PDK e Thaçit

Aktuale

Shpërthen lufta e brendshme në PDK e Thaçit

Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 14:25
Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi

Tashmë është e qartë se partia e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit po përjeton një nga krizat më të mëdha të brendshme. Dështimi i mbledhjes së kryesisë javën e shkuar ishte vetëm një dëshmi e kësaj “lufte ” që ka plasur menjëherë sapo kanë shkuar në Hagë kryetari de fakto dhe ai de jure i Partisë Demokratike të Kosovës.

Siç mësohet nga burime të brendshme, pjesa e “vjetër| e partisë e cila vjen nga UÇK dhe ka shpëtuar pa akuza si Ramë Buja, Xhavit Haliti e të tjerë po kërkojnë që kjo forcë politike t’i kthehet aktivistëve që janë zhgënjyer në vite nga politika e kuadrit e Thaçit dhe e Veselit.

Ndërkohë, këta të fundit, nëpërmjet njerëzve në “elitën e vjetër jugosllave” si Baton Haxhiu dhe Shkëlzen Maliqi po tentojnë të promovojnë emrin e Vlora Çitakut, ish-bashkëpunëtore e afërt e Hashim Thaçit, si kandidate për Presidente e Kosovës.

Por siç mësohet, grupi që tashmë e kundërshton hapur Thaçin e Veselin brenda PDK-së e quajnë të papranueshme një kandidaturë të tillë. Ata duan një figurë përbashkuese që të jetë me rrënjë nga PDK që në themelimin e saj.

Grupi që po e kundërshton Thaçin ka nisur një tur të gjerë me themeluesit dhe ka gjasa që të kërkohet një bashkim i të gjithë luftëtarëve në një forcë politike, ndoshta duke rikthyer Fatmir Limajn në PDK.

Haliti, ka nisur një tur në Zvicër me takime të themeluesve të PDK-së që janë larguar prej vitesh si të pakënaqur nga afrimi i “jugosllavofilëve” prej Hashim Thaçi.

Një nga aktivistët e vjetër të rezistencës dhe më pas edhe i PDK-së, Haki Morina, ka publikuar në rrjetet sociale një foto të tij me Xhavit Halitin në Zvicër së bashku me një tjetër aktivist që ishte mënjanuar prej kohësh. Grupi që ka divergjenca me Thaçin e Veselin, megjithatë kanë një emërues të përbashkët në lidhje me qëndrimin për Ramush Haradinajn-president; asnjëri nuk e përkrah këtë version dhe mundësinë e promovimit të kreut të AAK-së.

Ky grup madje ka qenë gjithmonë kundër dhënies së postit të kryeministrit për Ramushin, duke thënë se ai do të luajë për vete e do ta hedhë PDK-në, siç dhe ndodhi më pas kur dha dorëheqjen për të shpallur zgjedhjet e parakohshme që të merrte votat e pakënaqura nga PDK, ose të shmangte rrjedhjen e fuqishme, që tashmë duket se Ramushi po e ndjen politikisht.

Ky grup, nga ana tjetër nuk është aq transigjent me Vetëvendosjen, megjithëse përkrah një hyrje të PDK-së në qeveri, natyrisht për arsye pragmatiste edhe me shpresën se kësaj here do të promovohen pikërisht ata që kanë qëndruar jashtë ekzekutivit dhe pushtetit për gjithë këto vite. Taktika e tyre, është se nëse do të hasë rezistencë nga Mustafa për tu dhënë postet që duan, ata do të firmosin mocionin e Albin Kurtit për të rrëzuar qeverinë e Avdullah Hotit e më pas do të hynë në zgjedhje, ku me kontrollin e partisë, mund të sigurojnë më shumë fuqi politike…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat