Ish-ambasadori Lauka: Arritje nisja e procesit gjyqësor në Speciale – me fakte mund t’i hedhin poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre

Aktuale

Ish-ambasadori Lauka: Arritje nisja e procesit gjyqësor në Speciale – me fakte mund t’i hedhin poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre

Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 18:41
Islam Lauka

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka vlerësuar se paraqitja e sotme e mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së, ishte në nivel të duhur.

Lauka tutje e sheh arritje nisjen e procesit gjyqësor të Dhomave të Specializuara, sepse pas kaq vitesh shprehet se ata kanë mundësi të hedhin poshtë akuzat që iu janë ngritur ndaj tyre.

”Do të përmbahesha nga komentet për sot, sepse këto janë çështje specifike proceduriale të domosdoshme”.

”Paraqitja e mbrojtjes sipas gjykimit tim, ishte në lartësinë e duhur, ishte dinjitoze dhe kompetente – natyrisht edhe të akuzuarit siç pamë, bënë një paraqitje të mirë”.

”Por, duke gjykuar nga reagimet këtu në Shqipëri, unë do të thosha që të mos ngatërrojmë disa gjëra dhe të mos krijojmë zhurmë të panevojshme, por ta lëmë gjykatën ta bëjë punën e vet”.

”Për mua ngritja e akuzave dhe fillimi i procesit gjyqësor, është një arritje. Sepse për herë të parë pas kaq e kaq vitesh iu jepet mundësia të akuzuarve, të mbrojnë pafajësinë e tyre dhe të hedhin poshtë me fakte dhe argumente që ai mal akuzash që është ngritur ndaj tyre, nuk qëndron”.

”Për fat të keq, konstatoj një politizim të këtij procesi”.

”Politizim nga shumë faktorë. Por kryesisht politizim këtu, nga faktorë politikë të pozitës dhe opozitës”.

Lauka në Info Magazine ka kritikuar qasjen e cila është shfaqur në mbrojtjen e ish-eprorëve të lartë të UÇK-së meqë sipas tij, nuk duhet të mbrohen vetëm emra por tërë e vërteta, njofton Klan Kosova.

”Detyra dhe tagri i shteteve tona është mbrojnë jo emra të përveçshëm. As organizata, as parti – interes jetik i yni, është mbrojtja e së vërtetës”.

”Nëse arrijmë të mbrojmë të vërtetën-  kemi arritur të mbrojmë UÇK-në, edhe Hashim Thaçin edhe partitë dhe të gjitha”.

”Në sajë të UÇK-së dhe rezistencës paqësore të Rugovës dhe të tjerëve, u arrit që kjo të dëgjohej dhe të ndërhynte NATO”.

”Kushdo që përpiqet ta njollos, nuk mundet edhe po të dojë. Këtu diskutohet edhe për atë si u zhvillua lufta. A u shkel ndokund në ndonjë rast, në ndonjë individ”.

”Unë e di që pas luftës ka pasur vrasje politike, dhe partitë kanë akuzuar njëra-tjetrën,  dhe vet komandantët kanë akuzuar njëra-tjetrën. Ata i vrau dikush..!”.

”Nëse ka kompromisi midis gënjeshtrës dhe të vërtetës, në fund fiton gënjeshtra. Nëse nuk zbardh këto vrasje, ajo është një mision i dështuar. Qoftë edhe një krim të vetëm duhet ta zbardhë”.

”Ato viktima që u vranë pas luftës, kanë njerëz të afërm dhe presin të vijë kjo drejtësi. Është një ballafaqim i yni në të kaluarën tonë. Duhet sqaruar dhe shpresoj se një nga pikat që duhet sqaruar kjo gjykatë është kjo. Duhet hequr dorë nga politizimi”.

”Kosova është dëmtuar që kur ka dalur raporti i Dick Marty. Sepse aty ka pasur disa akuza monstruoze për trafikim organesh. Unë e quaj një arritje të madhe, heqjen e kësaj akuze. Nuk ekziston më. Ju e keni parë, nuk ka akuzë për trafikim organesh”.

”Ajo ka rënë. Dhe them unë është një plus. Rusia dhe Serbia, atëherë kanë pasur një ofensivë kundër UÇK-së, kundër perëndimit dhe tani ky argument u është hequr nga dora. S’mund të akuzojnë më të ngrejnë këtë Shtëpinë e Verdhë”.

”Edhe tani që janë ngritur akuzat kundër Thaçit dhe Veselit, drejtuesve të UÇK-së, Beogradi dhe Moska, janë përpjekur që të propagandojnë”.

”Do kalojë kjo. Me kalimin e kohës, duke filluar këto procese të zhvillohen – mbrojtja të japë argumentet e veta, e një numër i tyre që akuzohen do ta mbrojnë pafajësinë e tyre, ndonjë mund edhe të dënohet si individë”.

”Vet ata që na kanë ndihmuar për ta krijuar këtë shtet, Amerika, BE-ja, e dinë të vërtetën, ata këtu kanë qenë. Dhe e dinë që s’mund të ndikohen nga Moska. Mund të ketë ndikim në orientimin e çnjohejeve”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat