Dëshmi tronditëse/ Serbët dogjën fshatin Krushë e Madhe me avionë, në një banesë u gjetën 8 kufoma fëmijësh

Aktuale

Dëshmi tronditëse/ Serbët dogjën fshatin Krushë e Madhe me avionë, në një banesë u gjetën 8 kufoma fëmijësh

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 11:51
Ilustrim

Një ditë më parë u publikuan pjesë të dosjes së OKB-së rreth hetimeve që janë bërë në Krushë të Vogël, ku ndodhën masakra të tmerrshme njerëzore. Sot do njihemi me krimet në Krushë të Madhe, ku forcat serbe sulmuan fshatin me avionë luftarakë dhe më as i detyruan shqiptarët e Kosovës që të iknin drejtë Shqipërisë.

Dëshmitari Ali Hoti, mjek nga Krusha e Madhe e Rahovecit, dëshmoi se herët në mëngjes më 25 mars 1999, Krusha e Madhe u rrethua nga të gjitha anët nga “forcat ushtarake serbe.” Hoti e pa ngjarjen nga shtëpia e tij, e cila ndodhet rreth 50 – 60 metra nga rruga kryesore që lidh Prizrenin, Gjakovën dhe Rahovecin.

Automjetet si tanket, autoblindat, pragat dhe automjetet e tjera përcjellëse, lëviznin përgjatë rrugës kryesore të fshatit. Me të parë forcat, popullata iku nga fshati e frikësuar dhe u strehua në kodrat e afërme. Ushtaraku serb Deliqi, i cili dëshmoi se Krusha e Madhe ishte çerdhe “terroristësh”, mohoi se forcat e tij hynë në fshat më 25 mars 1999 sepse fshati ndodhej në aksin e forcave të tij. Sidoqoftë, njësitë ushtarake kaluan nëpër të dhe kundër tyre u hap zjarr.

Forcat serbe kaluan edhe në fshatin Nagafac, ku shkatërruan çdo gjë që gjetën përpara. Ali Hoti dëshmoi se më 25 mars 1999 ai iku nga Krusha e Madhe dhe shkoi në një luginë në zonën e Nagafcit. Hoti vlerësoi se në atë vend ishin mbi 20.000 njerëz nga fshatra të ndryshme.

Nga frika, të gjithë njerëzit në luginë, përfshirë edhe grupin e Hotit, u nisën drejt Nagafcit për të shkuar në Shqipëri. Në hyrje të Nagafcit ku ndahet rruga, ata hasën “forcat serbe,” të cilat u thanë të shkonin në qendër të Nagafcit dhe të mblidheshin në oborrin e shkollës, ku qëndruan dy orë. Pasi pas dy orësh nuk ndodhi asgjë, njerëzit filluan të strehoheshin në shtëpitë e zbrazëta.

Hoti qëndroi në Nagafc deri më 2 prill 1999, kur në orën 2 të mëngjesit u zgjua nga zhurma e një aeroplani që fluturonte shumë poshtë. Aeroplani e kishte bombarduar Nagafcin dhe i vuri zjarrin. Disa nga shtëpitë u shkatërruan dhe njerëzit u fshehën në bodrume. Disa njerëz u plagosën.

Pas sulmit, Hoti shkoi shtëpi më shtëpi dhe mjekoi të plagosurit. Në shtëpinë e parë, ai gjeti pesë persona të plagosur dhe një të vdekur. Në një tjetër, ai gjeti të plagosur, përfshirë dhe një vajzë të vogël me këmbë. Dëshmitari shqiptar Sabri Popaj dëgjoi se në shtëpinë e shkatërruar në Nagafc kishte kufoma dhe ai u kthye atje dhe ishte i pranishëm kur nga shtëpia e shkatërruar u nxorën kufomat e tre fëmijëve të vegjël. Më pas i treguan se në atë shtëpi u gjetën gjithsej tetë fëmijë dhe tri gra. Edhe e ëma e Sabri Popajt, Sanije Kastrati, u gjetur e vdekur në një shtëpi tjetër në Nagafc. Gjithsej në Nagafac ishin vrarë 50 vetë.

Pas dëshmisë së Popajt dhe Zhuniqit, Prokuroria e OKB-së, kërkoi ndihmën e NATO-s për raportet, fotografitë, apo të dhëna në lidhje me inspektimet apo konfiskime të mundshme prej KFOR-it të copave të bombave apo predhave në Nagafc rreth korrikut 1999. NATO-ja u përgjigj se nuk kishte material të rëndësishëm që do të mund të ndihmonte hetimin konkret.

Pas kërkesës së Dhomës Gjyqësore për më shumë të dhëna për copërat e bombave, Prokuroria dërgoi një hetues në Nagafc, i cili takoi Elshanin dhe bëri hetime. Elshani e informoi se nuk i kishte copërat e bombave sepse ua kishte dhënë tre oficerëve të KFOR-it gjerman të cilët e kishin vizituar Nagafcin në korrik 1999. Më pas hetuesi pyeti për Agim Krasniqin, shtëpia e të cilit është përballë shtëpisë së Elshanit. Krasniqi i dha hetuesit një copë të vogël të bombës, e cila sipas tij e kishte goditur shtëpinë e tij në vitin 1999.

Hetuesi e fotografoi këtë copë, por aty nuk shihen shkronja cirilike, që vërtetonin se ata që sulmuan ishin avionë të Beogradit. Prokuroria gjithashtu bëri një rishikim të mostrave në dispozicion të saj për të parë nëse ka të arkivuara copa nga Nagafci. Megjithëse Prokuroria gjeti disa copëra bombash në koleksionin e saj të mostrave, në to nuk shihej mbishkrim cirilike, e as nuk ishin regjistruar se ishin nga Nagafci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat