Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pasi lagjja “Bregu i Diellit” në Prishtinë ka më shumë se 15 orë pa energji elektrike.
Hoti përmes një postimi në Facebook tha se Ekipet nga KOSTT-i dhe KEDS-i jane duke punuar për të rregulluar prishjen në rrjet që ka shkaktuar mungesën e energjisë elektrike.
“Ekipet nga KOSTT-i dhe KEDS-i jane duke punuar për të rregulluar prishjen në rrjet, që ka shkaktuar mungesën e energjisë në një pjesë të Prishtinës dhe më gjerë. Sipas drejtorit të KOSTT-it dhe drejtorit të KEDS, të cilët janë në teren, shpejt do të evitohet kjo prishje dhe do të normalizohet furnizimi me energji”, ka shkruar Hoti.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha se është paraqitur një defekt në një trafo që është në pronësi të KOSTT-it. Prandaj, ata nuk e dinë se kur mund të rregullohet ky defekt.
Ndërsa nga KOSTT thanë se pengesat në furnizim me energji elektrike në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë janë si pasojë e rritjes së konsumit gjë që ka ndikuar në paraqitjen e disa defekteve tek linjat 10kV.
Megjithatë nuk treguan se kur banorët e kësaj lagjeje do të furnizohen me energji elektrike dhe për këtë thonë se duhet të kontaktohet me KEDS-in.