​Deputetët kritikojnë Organin Shqyrtues të Prokurimit

Aktuale

​Deputetët kritikojnë Organin Shqyrtues të Prokurimit

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 11:57
OSHP

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë adresuar një mori kritikash për Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Ani pse në seancën e sotme, nuk u hodh në votim raporti i punës së këtij institucioni, të zgjedhurit e popullit kërkuan efikasitet më të madh nga OSHP-ja. Madje disa prej tyre kërkuan që të ndryshohet struktura e OSHP-së dhe e njëjta të inkuadrohet brenda gjyqësorit në vend.

Kritika më të mëdha ndaj këtij organi u adresuan nga Lëvizja Vetëvendosje, ku deputeti Hekuran Murati tha se një numër i madh i tenderave nga OSHP-ja gjykohen gabimisht dhe qartazi shihet se ka mbështetje për palë të ndryshme.

Mbi këto arsye, Murati tha se nuk do të mbështesin një raport të tillë.

Murati: Ne si grup parlamentar nuk mund të mbështesim një raport të tillë

“Ne si grup parlamentar nuk mund të mbështesim një raport të tillë, marrë parasysh punën edhe funksionin e rëndësishëm që e ka ky institucion. Realisht mos punën në zbatimin e atij funksioni. Vlen të theksohet së fundi edhe tenderi 5 milionësh që i është dhënë ministrit të po kësaj qeverie. Në fund ka marrë dritën e gjelbër pikërisht prej këtij institucioni, e kur kemi raste të tilla që një institucion të jep tendera ministrave është e papranueshme për ne dhe nuk mundemi që të mbështesim një raport nga ky institucion”, tha ai.

Megjithëse PDK-ja u shpreh pro miratimit të raportit të punës së OSHP-së, deputeti Abelard Tahiri tha se mënyra e zgjedhjes anëtarëve të këtij institucioni duhet të ndryshojë.

Duke qitur në pah problemet që ka ky raport, Tahiri tha se çdo vit po ndodhin abuzimet e njëjta, prandaj ky ndryshim do të pamundësonte një gjë të tillë.

Tahiri: OSHP vendin e ka në kuadër të gjyqësorit të Kosovës

“Mënyra se si zgjidhen këta anëtarë të këtij institucioni të rëndësishëm, apo bordi që përbehet prej 5 anëtarëve, duhet të ndryshojë. Prandaj mendoj që ky organ vendin e ka në kuadër të gjyqësorit të Republikës së Kosovës. Ky do të mund të ishte një departament i veçantë, qoftë brenda Gjykatës Themelore të Prishtinës, apo ndonjë institucioni tjetër këshillit gjyqësor. Por asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë të veprojë si i tillë, pasi çdo vit po i kemi raportet edhe abuzimet e njëjta. Prandaj ndryshimi i strukturës do të pamundësonte të ndodhin shumë abuzime që mund të ndodhin”, tha ai.

Ndërsa, në LDK u shprehën mbështetjen pro këtij raporti, por deputeti Shkelzen Hajdini i paraqiti edhe dy rekomandime që duhet të përfshihen në këtë raport.

Hajdini: shqyrtimi i lëndëve nga kjo organizatë buxhetore të ndodh nga ekspertë të fushës

“Ky raport i OShP përmbush kriteret për raportim. Ne në emër të LDK-së do të votojmë këtë raport me rekomandim që shqyrtimi i lëndëve nga kjo organizatë buxhetore të ndodh nga ekspertë të fushës dhe me rekomandimin që vonesat e shkaktuara të lëndëve të mos ndodhin më”, tha ai.

Mbështetje këtij raporti i dhanë edhe grupet tjera parlamentare, pavarësisht kësaj në sallë ishin vetëm 55 deputetë duke e bërë të pamundur miratimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat