E tmerrshme/ Serbët luajtën ‘kukafshehti’ me rreth 150 kufomat e masakrës së Izbicës

Aktuale

E tmerrshme/ Serbët luajtën ‘kukafshehti’ me rreth 150 kufomat e masakrës së Izbicës

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 15:04
Pamje të shqiptarëve të masakruar

Izbica është arenë lufte mes UÇK-së dhe forcave pushtuese. Në një minutë të vetëm, serbët sharruan me breshëri plumbash rreth 120 burra. Vrasje të tjera pati edhe gjatë ditëve në vijim.

Skena e krimit është rrëfyer nga të mbijetuarit, të cilët flasin për krime makabër. Gjithçka filloi me 25 mars 1999 apo rreth kësaj date, ku forcat serbe sulmuan dhe shkatërruan me anë të granatimeve dhe djegies së fshatrave të Komunës së Skenderajt, si; Vojnikë, Leqinë, Klladërnicë, Turiçec dhe Izbicë.

Në lidhje me vrasjet e ngarkuara në Izbicë, Dhoma ka marrë parasysh dëshmitë e tre mbijetuesve, konkretisht të Milazim Thaçit, Mustafa Dragës dhe Sadik Januzit, si dhe të Dr. Liri Loshit, i cili shkoi në vendin e ngjarjes pas vrasjeve.

Vrasjet në Izbicë

Milazim Thaçi banonte në Burojë me gruan dhe fëmijët. Sipas tij, më 25 mars 1999, policia vendosi postblloqe afër Jashanicës, afërsisht rri kilometra nga Buroja. Të nesërmen në mëngjes, Thaçi dhe familja e tij shkuan me fshatarët e tjerë në Izbicë nga frika.

Mustafa Draga dëshmoi se më 25 mars 1999 fshati i tij dhe fshatrat përreth u granatuan. Të nesërmen granatimi filloi para agimit dhe fshatarët vendosën të shkonin në Izbicë sepse, sipas Dragës, ata besonin se do të ishin më të sigurt atje.

Më 26 mars të dy burrat panë një numër të madh të shpërngulurish që ishin mbledhur në një arë në skaj të Izbicës. Njerëzit kishin ardhur nga fshatra të ndryshme të komunës dhe shumica ishin fëmijë, gra dhe pleq. Djemtë e ri, duke përfshirë djemtë e Dragës, kishin shkuar në male sepse kishin menduar se do t’i vrisnin nëse rrinin aty.

Në arën ku ishin vendosur shqiptarët erdhën forcat ushtarake serbe. Ata i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe i detyruan të uleshin në rrugë në katër radhë. Grave u thanë se të gjitha do të shkonin në Shqipëri.

Më pasi burrat u ndanë në dy grupe dhe u nisën në dy drejtime. Thaçi ishte në grupin më të vogël me rreth 33 vetë, kurse Draga dhe Januzi në grupin më të madh, me rreth 70 vetë.

Grupit të Thaçit i thanë se ata do të shkonin në Pejë. Pas rreth 200 metrash, ata mbërritën pranë një kanali uji dhe “polici” i urdhëroi si grup që të ndalonin dhe të gjunjëzoheshin, gjë që ata e bënë në dy radhë. Të gjithë ishin me fytyrë drejt pyllit, i cili ishte vetëm disa metra larg tyre. Më pas “polici” hapi zjarr drejt burrave, duke shkrepur tri breshëri nga automatiku i tij.

Dy burra pas Thaçit u rrëzuan dhe u përplasën me të, duke e rrëzuar përtokë dhe ranë mbi të duke e mbuluar plotësisht. Thaçit qëndroi ashtu edhe për një gjysmë ore dhe gjatë kësaj kohe dëgjoi krisma automatiku që vinin nga drejtimi nga ishte dërguar grupi tjetër i burrave. Me Thaçin iu mbijetuan plumbave edhe disa burra të tjerë, të cilët ikën në pyll.

Policia i pa të mbijetuarit dhe iu kërkoi që të ndalin. Shqiptarët ndalën dhe serbët qëlluan me armë. Mustafa Draga u mbulua nga trupi i Hajriz Dragës dhe arriti sërish të shpëtonte. Qëndroi pa lëvizur rreth 20-30 minuta. Ai dëgjoi Hajriz Dragën që kërkonte ujë, i cili ishte plagosur dhe vdiq pak më vonë.

Januzi përshkroi të njëjtën ngjarje në deklaratën e dëshmitarit dhe shpjegoi se kishte shpëtuar sepse ishte rrëzuar në tokë para se të qëllohej dhe sepse mbi të ranë tri kufoma.

Kur menduan se nuk kishte më rrezik, Draga dhe Januzi shkuan duke u zvarritur deri në pyll dhe u takuan me mbijetuesit e tjerë. “Policia” u largua nga Izbica më 30 mars. Mëngjesin e nesërm erdhën njerëz për të varrosur të vdekurit. Përveç burrave të ekzekutuar në këtë mënyrë, në arë afër traktorëve u gjetën edhe kufomat e dy pleqve dhe dy plakave. Sipas Dragës, ata u vranë sepse nuk ishin në gjendje të ecnin.

Filmimi dhe varrimi i kufomave

Më 31 mars, Thaçi mësoi se “serbët” ishin larguar nga Izbica dhe se kishte filluar varrimi i viktimave organizuar nga UÇK-ja. Për këtë arsye ai shkoi në Izbicë që të ndihmonte. Atje ai pa rreth 150-200 njerëz duke hapur varre dhe duke bartur kufomat. Varrimi u filmua nga një shoku i Liri Loshit.

Sipas Thaçit dhe Dragës, në atë vend u varrosën gjithsej 144-147 vetë, kurse kufomat e tjera u morën nga familjet e tyre dhe u dërguan tjetër kund.

Sipas Dragës, më 10 maj 1999, “serbët” vranë edhe burra të tjerë në Izbicë. Ata u varrosën në të njëjtin vend si edhe viktimat e mëhershme. Edhe kufomat e tjera të sjella nga vende të tjera u varrosën në atë vend gjatë një periudhe disamujore.

Më 28 maj 1999 “policia dhe ushtria serbe” filluan zhvarrosjen e kufomave nga varreza dhe se zgjati katër ose pesë ditë. Pas zhvarrosjes, Draga shkoi atje dhe pa se asnjë nga kufomat nuk kishte mbetur, edhe pse ai gjeti gjurmë si rroba dhe një dorë të këputur.

Pas pak kohësh, Thaçin e vizituan gazetarët e BBC-së. Ai i çoi në Izbicë për t’u treguar vendin e varrimit, por kur mbërritëm atje panë se kufomat ishin zhvarrosur dhe larguar. Sidoqoftë, kishin mbetur pjesë kufomash dhe eshtra.

Liri Loshi, i cili nuk ishte i pranishëm në këto vrasje, por ai dhe shoku i tij filmuan kufomat dhe varrimin e tyre. Loshi shkoi në luginën e Izbicës dhe pa kufoma të shpërndara përreth në dy vende të ndryshme. Sefedin Thaçi i filmoi kufomat atje ku ishin vrarë dhe kur u prunë pranë varreve. Në tërësi, filmimi u bë gjatë dy ditëve. Ky filmim që mbështet dëshminë e Loshit, u transmetua pjesërisht në sallën e gjyqit dhe u pranua si provë.

Loshi vlerësoi se numri i përgjithshëm i viktimave nga dy vendet e ekzekutimit ishte afërsisht 110-120. Loshi qëndroi në Izbicë edhe një muaj pas varrimit. Ai u largua nga fshati më 3 maj 1999 dhe shkoi në Shqipëri përmes Malit të Zi. Me të mbërritur atje, u dha kopje të kasetës filmike Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe përfaqësuesit të CNN-it në Tiranë.

Më 19 maj 1999, ai i dha kasetën filmike origjinale një hetuesi të Tribunalit që e takoi në Tiranë. Kur u kthye në Izbicë në qershor 1999, nuk gjeti as varret, as kufomat. I treguan se forcat serbe i kishin larguar kufomat pas hyrjes së forcave të NATO-së në Kosovë. Kufomat e disa prej personave të vrarë në Izbicë më 28 mars 1999 u gjetën në një varr të përbashkët në Petrovo Sellë, në Serbinë lindore. Pasi iu nënshtruan ekspertizës mjeko-ligjore për tu identifikuar, iu dorëzuan familjarëve që i varrosën sërish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat