Mbështetësi i madh i Kosovës pritet të jetë sekretar i shtetit në SHBA

Aktuale

Mbështetësi i madh i Kosovës pritet të jetë sekretar i shtetit në SHBA

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 18:17
Antony Blinken

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden pritet ta emërojë Antony Blinken në një nga rolet kryesore të SHBA-së në skenën e politikës globale.

Blinken, që pritet të nominohet nga Biden për sekretar të shtetit, kishte punuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë kohës së ish-presidentit Bill Clinton dhe ishte i angazhuar specifikisht në ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Se sa e njeh Kosovën dhe problemet e saj, Blinken ka treguar edhe kur nuk ka qenë në ndonjë pozitë shumë të rëndësishme në SHBA. Për shembull, në nëntor të vitit 2015, ai ishte takuar me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin, për t’i dhënë mbështetje fushatës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

“Krenar për ta përcjellë bindjen tonë të fortë se Kosova duhet të mirëpritet nga UNESCO si anëtare e plotë”, kishte shkruar Blinken.

Në vitin pasues, ai i ishte gëzuar suksesit të xhudistes kosovare Majlinda Kelmendi, që e kishte fituar medaljen e artë në lojërat olimpike në Rio.

“Në lojërat e tyre të parë Olimpike, urime për Kosovën për fitimin e të artës në xhudo në Rio2016”, kishte shkruar Blinken.

Ata që e njohin mirë Blinken, këmbëngulin se angazhimi i tij për të drejtat e njeriut është i vërtetë dhe i rrënjosur në përvojën e tij të gjatë. 

Si një internacionalist i lindur, Blinken do të kërkojë t’i qetësojë nervat e lodhur të aleatëve perëndimorë, shkruan The Guardian.

Pasi të dielën në mbrëmje për herë të parë dolën raportime të mediave se Antony Blinken do të jetë sekretar i shtetit në SHBA gjatë administratës së Bidenit, një intervistë e veçantë nga e kaluara e tij filloi të qarkullonte në mediat sociale.

Ishte një bisedë e tij në shtator 2016 me Grover, një personazh nga Sesame Street, me temën e refugjatëve, drejtuar fëmijëve amerikanë që mund të kishin shokë të klasës nga vendet e largëta.

“Të gjithë kemi diçka për të mësuar dhe për të fituar nga njëri-tjetri edhe kur në fillim nuk duket se kemi shumë gjëra të përbashkëta”, i tha Blinken atij.

Pas katër vitesh të një administrate që i ka ndarë fëmijët migrantë nga prindërit e tyre dhe i ka mbajtur në kafaze, ardhja e Blinken në departamentin e shtetit do të shënojë një ndryshim dramatik, thënë së paku, shkruan The Guardian.

Sipas të përditshmes britanike, prioritetet e politikës së jashtme në ditët e para të administratës Biden do të jenë rishikimi i traktateve dhe marrëveshjeve e që i la Donald Trump.

Blinken ka qenë në krah të Biden për gati dy dekada. Pasi punoi në këshillin e sigurimit kombëtar të Bill Clinton, ai u bë këshilltar kryesor i politikës së jashtme të Bidenit në Senat në vitin 2002, si drejtor i stafit në komitetin e marrëdhënieve të jashtme.

Pasi Obama e zgjodhi Bidenin si zëvendëspresident, Blinken u kthye në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar i tij i sigurisë kombëtare. Fytyra e tij mund të shihet në pjesën e pasme të dhomës në fotografinë e famshme të zyrtarëve të Obamës duke monitoruar aksionin që realizoi vrasjen e Bin Ladenit.

Presidenti Barack Obama dhe zëvendëspresidenti Joe Biden, së bashku me anëtarët e ekipit të sigurisë kombëtare, marrin një azhurnim mbi misionin kundër Osama bin Ladenit në dhomën e Shtëpisë së Bardhë më 1 maj 2011. Antony Blinken mund të shihet i katërti nga zyrtarët që qëndrojnë në këmbë.

Në dy vitet e fundit të administratës Obama, Blinken shërbeu si zëvendës sekretar i shtetit.

Lajmi për emërimin e tij të mundshëm si sekretar i shtetit u mirëprit shpejt nga Matt Duss, këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Bernie Sanders.

“Kjo është një zgjedhje e mirë. Tony ka besimin e fortë të presidentit të zgjedhur dhe njohurinë dhe përvojën për punën e rëndësishme të rindërtimit të diplomacisë amerikane”, shkroi Duss në Twitter. “Do të jetë gjithashtu një gjë e re dhe e mrekullueshme të kesh një diplomat të lartë i cili rregullisht është angazhuar me bazat progresive”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat