Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së parashihet të fillojë në vitin 2021, juristët shohin vështirësi për avokatët

Aktuale

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së parashihet të fillojë në vitin 2021, juristët shohin vështirësi për avokatët

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 23:01
Hagë

Prokuroria e Specializuar dhe avokatët mbrojtës kanë mosmarrëveshje për datën se kur duhet të filloj procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së. Prokuroria po kërkon që gjykimi të fillojë në shtator të vitit 2021. Ndërsa njohësit e çështjeve juridike thonë se ky proces mund të filloj, në fund të vitit 2021 ose në fillim të vitit 2022.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale, ka paraqitur shtatorin e vitit 2021 si datën më të vonshme për fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, me anë të një parashtrese ka kërkuar që gjykimi për ish-udhëheqësit e UCK-së, të filloj në muajin shtator të vitit të ardhshëm.

“Mbrojtja duhet të ketë një mundësi të drejtë për t’u përgatitur për gjykim por duke pasur parasysh atë që është ofruar dhe do të ofrohet dhe ajo që dihet tashmë nga Mbrojtja, kjo duhet të zgjasë me muaj, jo me vite. Për këtë arsye, SPO parashtron që gjykimi për këtë çështje duhet të fillojë këtë verë ose jo më vonë se shtatori 2021.”

Avokatët mbrojtës të akuzuarve kanë kërkuar që procesi gjyqësor të filloj në muajin qershor të vitit 2022.

Pro, profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, thotë se me gjithë mospajtimet mes prokurorisë dhe mbrojtës, procesi gjyqësor do të fillojë në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

“Unë mendoj që sipas të gjitha gjasave, procesi penal do të fillojë në shtator eventualisht tetor të vitit të ardhshëm pasi mbrojta do t’i ketë në dispozicion afër tetë muaj për t’i analizuar të gjitha ato dokumente dhe deklarata të dëshmitarëve”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ismet Salihu.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu” po ashtu thotë se një proces i tillë nuk mund të ndodh më herët se fundi i vitit të ardhshëm ose fillimi i viti 2022.

“Për avokatët gjithë ai vëllim i materialeve është problem të analizohen apo shqyrtohen e që më pas të njëjtit të gjejnë prova dhe dëshmi kundër pretendimeve të prokurorisë. Ankesa e mbrojtjes ka arsyetueshmëri, prandaj me gjasë procesi do të fillojë nga fundi i vitit të ardhshëm apo në fillim të vitit 2022”, deklaroi Arton Demhasaj.

Në seancën e 18 nëntorit u diskutua për herë të parë, për datën e fillimit të gjykimit për ish-krerët e UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat