Pazari për postin e presidentit, Qorrolli tregon çfarë joshjesh po ofrohen, ja kë e quan të pacipë

Aktuale

Pazari për postin e presidentit, Qorrolli tregon çfarë joshjesh po ofrohen, ja kë e quan të pacipë

Nga: A.Zh Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 09:39
Vigan Qorrolli

Analisti i çështjeve politike Vigan Qorrolli, ka kujtuar “pazarin” me vota, se si u zgjodh Hashim Thaçi president.

Ai ka kujtuar se një ish-deputete e Lidhjes Demokratike e Kosovës, ishte bërë ambasadore pasi kishte votuar Thaçin president.

Qorrolli ka thënë se tani që posti i presidentit është i lirë, nuk mund të imagjinohet se çfarë joshjesh ofrohen për t’u zgjedhur aty.

Ai i ka quajtur politikanët të “pacipë”, duke thënë se ata e japin jetën, por jo edhe kolltukun.

Reagimi i plotë në Facebook:

A ju kujtohet se si z. Hashim Thaçi para pesë vitesh u bë president i Republikës? Për ata që kanë harruar: ai u zgjodh në krye të Kosovës me tregti votash dhe me pazare të pista postesh publike për ata që e votuan. E kujtojmë faktin se si një ish-deputete e LDK’së më pas për atë vote u tregtua në Romë për ambasadore. Imagjinoni një grua që e shet votën e saj — u katapultua si ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplote e Kosovës në Itali.

Prandaj, sot e kësaj dite kërkush në Evropë s’na merr seriozisht.

Apo lulet për vajzën e ish-presidentit Rugova (mos i harroni buqetat dhe buzëqeshjet hipokrite atë ditë në sallë).

Kur i pari i shtetit zgjidhet sipas parimit “marka-franka” të pazarit të devizave — s’ke çka pret prej konsujve, diplomatëve, prokurorëve, gjyqtarëve, e lloj-lloj të shpërfytyruari tjetër që emërohet mbi premisa të poshtërsisë dhe jo atyre të meritokracisë.

PS. Këto ditë në pazarin e Prishtinës — sërish është i lirë posti i presidentit të Republikës. Nuk imagjinohet dot se çfarë joshjesh e çfarë kaçupitjesh ofrohen për t’u zgjedhur aty. Politikanët e vjetër jetën e japin por kolltukun jo.

Të pacipë sa nuk përshkruhen dot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat