Ymeri për emërimin e djalit të Haxhi Shalës konsull në Çeki: Ofendim për shtetin e qytetarët

Aktuale

Ymeri për emërimin e djalit të Haxhi Shalës konsull në Çeki: Ofendim për shtetin e qytetarët

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 12:46
Visar Ymeri

Ish-kryetari i PSD-së, Visar Ymeri ka reaguar lidhur me emërimin e djalit të Haxhi Shalës, konsull në Pragë të Çekisë.

Ymeri, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë  se Kosova është në një fazë të brishtë sa i përket përfaqësimit diplomatik.

“Emërimet e njerëzve që nuk plotësojnë kriteret minimale dhe që nuk zotërojnë aftësi të (para)dëshmuar për diplomaci, përveç se ofendim për shtetin e qytetarët, janë edhe shumë të dëmshme për shtetndërtimin dhe subjektivizimin tonë ndërkombëtar. Prandaj ky emërim, bashkë me emërimet e tjera të ngjashme, duhen mënjëherë të shfuqizohen”, ka shkruar Ymeri.

Sipas tij, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca duhen urgjentisht ta fillojnë procesin e plotësimit të vendeve të zbrazëta diplomatike me njerëz të duhur, me përvojë politike.

Postimi i tij i plotë:

Jemi në një fazë jashtëzakonisht të brishtë, për sa i përket përfaqësimit tonë diplomatik. Praktikisht ka një kohë të gjatë që kur Kosova nuk ka politikë të jashtme efektive, ndërkohë që po ashtu ballafaqohemi me një fushatë shumë aktive e fatkeqësisht të efektshme të Serbisë. Nuk mjafton konstatimi se pushteti i sotëm në Serbi përbëhet nga ish-bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviqit dhe se Serbia nuk e ka bërë shkëputjen me të kaluarën e saj.

Përfaqësimi ynë jashtë vendit është edhe mekanizëm i rëndësishëm për rrëfimin e së vërtetës për Kosovën dhe për domosdonë e ekzistencës së Republikës sonë. Për këtë na duhen njerëz të përkushtuar dhe të aftë. Pra, ata që postin e tyre diplomatik e marrin seriozisht, duke iu përkushtuar me vetëmohim dhe duke dëshmuar se kanë aftësi për ta përfaqësuar të vërtetën tonë politike dhe shtetërore, si dhe orientimin e saj progresist për të ardhmen.

Nuk e di a janë të vetëdijshëm zyrtarët qeveritarë për këto nevoja urgjente të Kosovës. Por, lajmi i fundit për emërimin e djalit të deputetit Shala, si Konsull i përgjithshëm në Pragë, tregon qartazi se nuk janë.

Emërimet e njerëzve që nuk plotësojnë kriteret minimale dhe që nuk zotërojnë aftësi të (para)dëshmuar për diplomaci, përveç se ofendim për shtetin e qytetarët, janë edhe shumë të dëmshme për shtetndërtimin dhe subjektivizimin tonë ndërkombëtar. Prandaj ky emërim, bashkë me emërimet e tjera të ngjashme, duhen mënjëherë të shfuqizohen.

Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca duhen urgjentisht ta fillojnë procesin e plotësimit të vendeve të zbrazëta diplomatike me njerëz të duhur, me përvojë politike (të mos keqkuptohem jo partiake) dhe njohuri kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat