Çka nënkupton dokumenti kundër ngacmimit seksual në institucione?

Aktuale

Çka nënkupton dokumenti kundër ngacmimit seksual në institucione?

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 19:19
Liridona Sjarina

Liridona Sjarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ka folur lidhur me dokumentin e nënshkruar sot kundër ngacmimit seksual nëpër institucione.

Sipas saj në këtë mënyrë, me anë të kësaj politike, sanksionohet ngacmimi seksual në administratën publike.

”Kjo politikë e cila sot është nënshkruar është iniciuar nga ne si Qendër për Studime Gjinore. Në një formë kjo politikë e sanksionon ngacmimin seksual”.

”Por dhe zotohet që ka për t’u angazhuar në parandalimet e sulmeve seksuale. Kjo politikë në një formë na ndihmon jo vetëm në sanksionimin e vetëdijësimit seksual. Edhe në kohën kur po flasim, nuk ka ndonjë politikë të brendshme në një administratë publike që mbron nga ngacmimi seksual”.

”Gjatë hulumtimeve tona, me qytetarë, punëtorë, kemi parë që ngacmimi seksual nuk është çdoherë i raportuar. Nuk kemi raste të raportuara, e kjo e ka ngritur në një formë një nevojë për qëndrim tonin për promovim të këtij dokumenti. Raportet nuk tregojnë për shifra të sakta, sepse nuk ka raste shumë që janë raportuar në asnjë institucion”.

”Nuk raportohet sepse ka munguar një angazhim institucional për këto rregullore, kur ka të bëjë me çështje që janë të ndjeshme, çështje gjinore. Nga hulumtimet tona kemi parë që shumica ngatërrojnë ngacmimin seksual në sulm seksual”.

Sjarina thotë në Info Magazine se ka pasur neglizhencë institucionale lidhur me këtë problem, ndaj dhe ka ndikuar në mosraportim të saktë të rasteve.

”Kjo mosnjohuri dhe ky neglizhim institucional, ka ndikuar në këtë raportim të këtyre rasteve. Por në anën tjetër kemi parë që diçka nuk është duke funksionuar këtu”.

”Nëse shkojmë në një nivel kulturor, kemi parë që kjo paraqet problem në vetvete. Duke qenë se punëtorëve nuk iu është prezantuar se çka nënkupton ngacmimi seksual nuk e kishin të qartë çka nënkupton kjo”.

”Kemi parë që mungesa e informacioneve është problem kyç, sepse bisedat tona që kishim me punëtorë, kemi vërejtur që nuk njohim fare presionin psikologjik. Në bazë të hulumtimeve tona, kemi vërejtur se tek arsyet pse nuk flasin është frika e humbjes së vendit të tyre të punës”.

Tutje ajo shton se kjo politikë e aprovuar sot, është vetëm fillimi i rrugëtimit për të parandaluar dhe dënuar ngacmimet seksuale në institucione.

”Kjo është vetëm një hap i parë për sanksionimin e ngacmimit seksual në administratën publike”.

”Ngacmimi seksual është i ndëshkueshëm, por nuk është qartazi i rregulluar në administratën publike. Kjo nuk lëshohet në krejt procedurat, nuk i përfshin krejt procedurat ndëshkuese. Ne kemi vërejtur dhe jemi angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të grave sepse kemi parë që në kohë krizash, gratë e kanë tendencën për të qenë më lehtë të cenueshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat