MPJ për shkarkimin e konsujve: S’kemi pranuar asnjë dokument nga Vjosa Osmani

Aktuale

MPJ për shkarkimin e konsujve: S’kemi pranuar asnjë dokument nga Vjosa Osmani

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 20:02
Vjosa Osmani dhe Meliza Haradinaj-Stublla

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani lidhur me shfuqizimin e katër dekreteve, që do t’i kthejë në Kosovë katër konsujt e përgjithshëm të emëruar muaj më parë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar ende zyrtarisht nga Presidenca asnjë dekret në lidhje me atë që është raportuar në media – shfuqizimin e dekreteve për katër konsujt të përgjithshëm”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

MPJD ka thënë se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk mund të ndërmarrë asnjë hap, pa i pranuar zyrtarisht dekretet për të cilat po pyesni. Deri tash, siç e potencuam më lartë, MPJD nuk ka pranuar asgjë nga Presidenca në lidhje me këtë”, thuhet në përgjigje.

Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Në njoftimin e lëshuar, Presidenca ka vlerësuar se sa i përket tri rasteve të para, konsullatat e përgjithshme nuk mund të hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk mund të emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada.

“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në komunikatë.

Vendimi i Osmanit ka ardhur pasi Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë.

Përveç Shalës, me vendim të Osmanit janë shkarkuar edhe Blendi Kilaj nga konsullata në Lubjanë, Lindon Kqira nga konsullata në Shkup dhe Halim Krasniqi nga konsullata e Kosovës në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat