​Haliti: Ligji për rimëkëmbjen ekonomike të miratohet sa më shpejtë

Aktuale

​Haliti: Ligji për rimëkëmbjen ekonomike të miratohet sa më shpejtë

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 20:21
Sokol Haliti

Komuna e Vitisë është ndër të parat në Kosovë që u prek me pandeminë Covid-19. Që nga 13 marsi i këtij viti kur edhe u shënuan rastet e para në këtë komunë, janë shënuar 730 raste.

Kryetari Sokol Haliti në një intervistë ka bërë të ditur se 34 qytetarë të kësaj komune kanë humbur jetën nga ky koronavirusi, ndërsa aktive janë 146 raste. 14 prej tyre janë të hospitalizuar, por që gjendja e tyre është stabile.

Haliti: 730 janë gjithsej nga fillimi i pandemisë

“Gjithsej aktiv me Covid-19 i kemi 146 raste. 730 janë gjithsej nga fillimi i pandemisë, 34 i kemi raste të vdekjes, ndërsa 14 janë të hospitalizuar momentalisht dhe gjendja e tyre është e mirë”, thotë ai.

Masat e vendosura nga Qeveria, Haliti thotë se në këtë komunë po respektohen në përpikëri. Ndërsa shton se pavarësisht të situatës së rënduar, pandeminë e kanë nën kontroll dhe deri më tani po e menaxhojnë mirë.

Haliti: Për momentin këtu është një situatë e menaxhueshme

“Respektimi i masave të nivelit qendror në Viti respektohen në përpikëri, ndërsa menaxhimi i situatës horizontalisht me akterët komunal po funksionon. Komuniteti Emergjent mblidhet për çdo ditë i udhëhequr nga unë. Komponenti sociale po punon me iu dal në ndihmë të varfërve dhe rasteve sociale. Po punojmë në klorifikim dhe dezinfektim. Ashtu si në gjithë botën e në Kosovë edhe në Viti pandemia ka shkaktuar probleme, mirëpo për momentin këtu është një situatë e menaxhueshme, besoj se do ta mbajmë situatën nën kontroll”, pohon ai.

Por sipas tij brengosëse është gjendja në ekonomi, pasi pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë sektorët.

Haliti: Brengosëse është dëmi ekonomik

”Brengosëse është dëmi ekonomikë, sidomos në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Do me thënë e gjithë ekonomia duke përfshirë gastronominë, sektori i ndërtimtarisë dhe çdo sektor është duke u dëmtuar në këtë pandemi dhe kjo është çështje që duhet të adresohet nga niveli qendror”, tregon ai.

Duke e parë gjendjen e rënduar të bizneseve, i pari i Vitisë, apelon te deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, përndryshe paralajmëron kolaps të bizneseve dhe rëndim të gjendjes ekonomike të qytetarëve të kësaj ane.

Haliti: Ligji për rimëkëmbjen ekonomike të miratohet sa më shpejtë

“Bëj apel si kryetar komune që Ligji për rimëkëmbjen ekonomike të miratohet sa më shpejtë. E kanë obligim të gjithë që t’i dalin në ndihmë qytetarëve, bizneseve që ekonomia të mos dobësohet edhe më shumë, ngase është dëmtuar shumë”, përfundon ai.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë humbur jetën 10 persona nga Covid-19, ndërsa janë shënuar 775, 20 prej tyre nga komuna e Vitisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat