Shkeljet ligjore të ministres së Jashtme, emërohen konsuj pa ekzistuar fare konsullata

Aktuale

Shkeljet ligjore të ministres së Jashtme, emërohen konsuj pa ekzistuar fare konsullata

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 00:17
Meliza Haradinaj-Stublla

Ministria e Punëve të Jashtme kishte emëruar konsuj të përgjithshëm pa u hapur konsullatat. Instalimi i tyre ishte bërë në shkelje të ligjeve, me të cilat funksionon MPJ-ja dhe konventave ndërkombëtare. Derisa ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar shqyrtimin edhe të dekreteve për hapjen e konsullatave, MPJ-ja vazhdon të heshtë

Konsullata të paprecedente për nga mënyra si janë ngritur dhe emërimit të titullarëve të tyre duke shpërfillur ligjet, ka hapur ndër vite Ministria e Punëve të Jashtme, raporton KTV.

Mbështetur në ligje, por sipas praktikës ndërkombëtare nuk krijohen konsullata të përgjithshme në kryeqytete ku ekzistojnë ambasadat. Katër konsujt, të cilët i shkarkoi të mërkurën ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ishin emëruar nëpër kryeqytet, të cilat Kosova ka ambasada. Madje, disa prej tyre janë emëruar pa u hapur konsullatat, siç është rasti me Tiranën, Lubjanën e Toronton.

Veç shkarkimit, Osmani është zotuar ta ndalë praktikën e hapjes së konsullatave të tilla.

Bekim Kupina, këshilltar për media i u.d. së presidentes, ka thënë se do ta shqyrtojë edhe ligjshmërinë e hapjes së konsullatave.

“Është parim e praktikë diplomatike e konsullore e mbështetur edhe në Konventën e Vjenës dhe në legjislacion ndërkombëtar, që përveç në raste tejet specifike, nuk ka ambasada dhe konsullata të përgjithshme në të njëjtat qytete. Prandaj, u.d. së presidentes është duke i shqyrtuar edhe dekretet për hapjen e atyre konsullatave të përgjithshme, meqë s’kanë asnjë arsyeshmëri: as diplomatike, as financiare e as logjike”, ka thënë Kupina. Ai ka shtuar se, Zyra e u.d. së presidentes është e gatshme që në secilin rast të garantojë ligjshmërinë dhe organizimin e mirëfilltë të misioneve diplomatike në bazë të kompetencave që i kanë”.

Por, kjo ndërmarrje kërkon koordinim mes Ministrisë së Jashtme, përkatësisht Qeverisë. Kupina ka thënë se implementimi i vendimeve nuk është kompetencë e Presidencës, por e MPJ-së dhe Qeverisë.

“Edhe për çështjen e stafit të konsullatave, rishikimin e bën MPJ-ja, ngase Presidenca i ushtron kompetencat e saj vetëm në raport me shefat e misioneve diplomatike dhe konsujve të përgjithshëm, siç parasheh Kushtetuta. Për grada më të ulëta, kompetenca i takon MPJ-së”, ka theksuar ai.

Ministria e Jashtme vazhdon heshtjen

Ministria që udhëhiqet nga Meliza Haradinaj nuk është deklaruar as të enjten për shkarkimet dhe konsullatat e paligjshme.

Kurse, në Zyrën e Kryeministrit kanë sugjeruar t’u referohemi qëndrimeve publike të Hotit, i cili të mërkurën paralajmëroi rishikim funksional në rrjetin e misioneve diplomatike. Pas kësaj analize, sipas tyre, do të ndërmerren të gjitha veprimet për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike.

Mungesë arsyeshmërie për hapjen e konsullatave

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, pati paralajmëruar rishikimin e arsyeshmërisë së funksionimit të konsullatave të paprecedente.

E tillë është vlerësuar të jetë Konsullata e Përgjithshme në Tiranë, e cila madje funksionon brenda Ambasadës së Kosovës. Konsulli i përgjithshëm, tani i shkarkuar nga Osmani ishte dekretuar nga ish-presidenti Thaçi në vitin 2016. Dekreti kishte hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, pavarësisht faktit se atëkohë nuk kishte konsullatë të formuar, ndërsa Halim Krasniqi vepronte në kuadër të Ambasadës.

Kundërshtimeve të gjata për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Tiranë, MPJ-ja u kishte dhënë epilog përmes një vetinterpretimi të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, pas të cilave kishte krijuar rrethanën për vendosjen e Konsullatës brenda të njëjtit objekt me Ambasadën.

Gazeta  kishte siguruar opinionin ligjor, mbi bazën e të cilit ishte hapur Konsullata, i hartuar nga departamenti për çështje ligjore i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ishte nxjerrë në vitin 2017, kohën kur ende nuk ishte konstituuar qeveria e re, së cilës do t’i printe Ramush Haradinaj, pas zgjedhjeve të qershorit. Sipas atij interpretimi të MPJ-së, Konsullata dhe Ambasada mund të veprojnë brenda të njëjtës çati, me kushtin që zyrat t’i kenë ndaras.

Me gjithë kritikat e njohësve të diplomacisë, MPJ-ja është thirr në Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës, duke thënë se “nuk e kufizojnë të drejtën e Konsullatës së Përgjithshme për të funksionuar në të njëjtën ndërtesë, ku është e vendosur edhe Ambasada”.

“Departamenti për Çështje Ligjore dhe Traktate në dritë të dispozitave ligjore të instrumenteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës mbi çështjen e hapjes dhe funksionimit të konsullatave të përgjithshme në të njëjtin objekt me ambasadat, konsideron se Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë mund të hapet dhe të funksionojë në objektin ku është vendosur Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, me kusht që këto dy misione të mos i ndajnë të njëjtat zyra”, shkruan në opinionin që mban datën 28 gusht 2017, periudhë kjo kur Kosova ende nuk e kishte krijuar qeverinë e re, pas prishjes së koalicionit PDK-LDK.

Në dokument përmendet edhe qëndrimi i shtetit pritës, këtë rast Republikës së Shqipërisë, ku siç thuhet bazuar në korrespodencat që kanë pasur, këto institucione nuk parashtrojnë asnjë pengesë në hapjen dhe funksionimin e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në objektin e Ambasadës.

Por në njërën prej letrave të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, të cilën e kishte publikuar “Koha Ditore”, ajo shfaqej e painformuar për Rrethin Konsullor të Konsullit. Edhe pse jep pëlqimin për emërimin e Halim Krasniqit, Republika e Shqipërisë i kishte kërkuar Ambasadës së Kosovës në Tiranë që konsullit t’i përshkruhet Rrethi Konsullor dhe qendra ku do të jetë ajo.

Bazuar në informatat që i janë dërguar ushtrueses së detyrës së presidentes, për Krasniqin, të cilit Thaçi ia kishte ndarë edhe mandatin e dytë, nuk ka ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës.

“Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. së presidentes Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga presidenti paraprak”, thuhet në arsyetimin e u.d. së presidentes.

Të njëjtin vit me Konsullatën në Tiranë ishte funksionalizuar edhe ajo në Lubjanë.

Pa u konsoliduar objekti, MPJ-ja e pati emëruar konsull të përgjithshëm Blendi Kilajn, i cili është djali i zyrtarit të lartë të PDK-së nga Malisheva, Isni Kilaj.

Me dekret të presidentit Thaçi, më 8 mars të vitit 2018, edhe ish-gazetari Donat Syla ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Toronto. Por, Konsullata ishte inauguruar tek në dhjetor të vitit 2018.

Emërimet kishin marrë formë finale, edhe pse Shoqata Sindikale brenda MPJ-së vazhdimisht ka dërguar shkresa tek udhëheqësit institucionalë me kërkesën që të kthehet ligjshmëria në MPJ.

Vendimi për shkarkimin e këtyre konsujve nga Osmani ka ardhur pas raportimit të medivave lidhur me emërimin e Flakron Shalës si konsull në Pragë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat