Përmes statusit të viktimave të dhunës seksuale deri te dëshmia e krimit

Aktuale

Përmes statusit të viktimave të dhunës seksuale deri te dëshmia e krimit

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 19:11
Instalacioni "Mendoj për ty" kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për Ramizin, (identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë) verifikimi i statusit të personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, është dëshmi e krimit të bërë nga Serbia në Kosovë.

Ai është një nga të mbijetuarit e dhunës seksuale që ka ndodhur në Kosovës gjatë kohës së luftës në vitin 1998/99 dhe ka më shumë se një vit që është duke marrë një pension prej 230 eurosh nga shteti i Kosovës, pas verifikimit të statusit nga Komisioni qeveritar.

Ramizi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se pensioni që ai merr është i mirëseardhur, por me anë të aplikimit për ta përfituar këtë pension, ai është dashur që të tregojë për krimet që Serbia ka kryer ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Me aplikim kam dashur t'i tregoj gjithë botës dhe bashkësisë ndërkombëtare se Serbia ka bërë krime në Kosovë dhe nuk ka kursyer as burra, as fëmijë, as gra, se për para nuk e kam bërë këtë”, thotë ai.

“Ajo çka më kanë bërë është krim përtej krimi, e kalon edhe gjenocidin. Është krim se përmes dhunimit të gjinisë mashkullore, Serbia dhe forcat paramilitare serbe kanë dashur ta poshtërojnë një komb e një popull", tha ai.

Edhe Ganimetja (identiteti i vërtetë i të cilës është i njohur për redaksinë) është një nga të mbijetuara e dhunës seksuale që ka ndodhur në kohën e luftës.

Ajo ka më shumë së një vit që është duke marrë pensionin nga shteti.

Ganimetja tha për Radion Evropa e Lirë se ato para kryesisht shfrytëzohen për blerjen e barnave, por ajo është duke menduar që në të ardhmen, me këtë pension të marrë një kredi për zhvilluar një biznes të vogël familjar.

Ajo shton se për të arritur deri te përfitimi i pensionit, ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e mundimshme.

"Ka qenë goxha e vështirë për të pritur, ka qenë rrugë e gjatë sepse më është dukur se nuk më kanë besuar për atë çka më ka ndodhur. Kështu që ka qenë e vështirë", deklaroi ajo.

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, deri tash ka pranuar 1,361 aplikacione për pension.

Deri tash, sipas këtij komisionit, marrin pagë mujore 894 persona.

Nga ky numër, 31 janë burra të cilët kanë përfituar këtë pension nga shteti.

Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se nga numri prej 894, 31 persona janë burra, kurse të tjerat janë gra.

"Në proces që presin për dokumente shtesë dhe intervista kemi edhe 68, pra raste që presin për një dokument shtesë nëse mund ta themi apo për një panel intervistues. Pra, jemi në proces e sipër për raste të tjera, kurse në pritje për trajtim janë 158 raste", tha Begaj-Balaj.

Ajo tha se komisioni, pavarësisht gjendjes me pandeminë e koronavirusit, është duke punuar në shqyrtimin e rasteve.

"Për çdo javë neve në komisioni na lëviz numri në aplikacione që i pranojmë, por edhe te pjesa e njohjes së statusit dhe te pjesa e rishqyrtimit", tha ajo.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, është organizatë e themeluar në vitin 1999 me qëllim të ofrimit të trajtimit dhe rehabilitimit për të mbijetuarit e torturës. Kjo qendër vazhdimisht ka ndihmuar në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale. Nga kjo organizatë thonë se krahasuar me numrin e përgjithshëm të viktimave, numri i aplikimeve është i vogël.

Përmes kësaj qendre, deri më tani kanë aplikuar 337 persona për verifikimin e statusit.

"Prej tyre 30 janë burra, ndërsa pjesa tjetër janë gra dhe vajza. Njohje të statusit kanë pasur 257, një pjesë e tyre (9) janë në rishqyrtim, ndërsa pjesa tjetër në pritje për shqyrtim, do të thotë ende nuk janë vlerësuar nga komisioni shtetëror", tha për Radion Evropa e Lirë, Sebahate Pacolli-Krasniqi, menaxhere për projekte në këtë qendër.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Përdhunimet konsiderohen ndër krimet më të tmerrshme që njeh njerëzimi dhe të cilat, si në shumë vende të botës ku kishte apo ka luftëra e konflikte, ndodhën edhe në Kosovë gjatë luftës të viteve 1998-‘99 .

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Për Ramizin, trauma nga koha e luftës, në një formë ia ka vështirësuar edhe më shumë jetën për shkak të moskomunikimit me njerëz për historinë e tij.

Ai që 20 vjet, ka heshtur, për shkak të frikës nga paragjykimet e rrethit.

"Mentaliteti ynë në Kosovës është shumë mbrapa për ta kuptuar atë dhimbje që u ka ndodhur njerëzve gjatë luftës. Organizatat e ndryshme, shoqëria duhet të dinë më shumë që të thyhet kjo heshtje, se kjo është pengesë e madhe", thotë ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat