A e shkeli Vjosa Osmani Kushtetutën kur i shkarkoi konsujt?

Aktuale

A e shkeli Vjosa Osmani Kushtetutën kur i shkarkoi konsujt?

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 19:24
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani para dy ditësh ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë. Këto dekrete ishin nënshkruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, i cili pas ngritjes së aktakuzës nga Specialja e la këtë post për t iu përgjigjur thirrjes së Gjykatës.

“Për tri rastet e para (Pragë, Lubjanë, Shkup), bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte pëlqim nga shteti pritës”, thuhet në njoftimin e presidencës, në të cilin sqarohet se për konsullin në Tiranë, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ky nuk ishte vendimi i vetëm që është shfuqizuar nga u.d e Presidentit Vjosa Osmani. E njëjta dje mori vendim edhe për anulimin e të gjitha konkurseve të shpallura nga Zyra e Presidentit.

“Pezullohen të gjitha konkurset aktive për rekrutim në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ndalohet hapja e konkurseve të reja në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, deri në një vendim tjetër”, thuhet në vendimin e marrë dje.

Për sa i përket marrjes së këtyre vendimeve dhe asaj se sa ka kompetencë u.d e Presidentit që të anulojë dekrete e shfuqizojë vendime, kanë folur njohës të sistemit ligjor.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se emërimet e fundit në shërbimin diplomatik të Kosovës nuk janë realizuar në bazë të kornizës ligjore.

Devijimi dhe anashkalimi i ligjit kanë qenë dy elementet që sipas Miftarajt e kanë përcjell këtë proces.

“Është fakt notor se emërimet e fundit në shërbimin diplomatik nuk janë realizuar në bazë të kornizës ligjore, respektivisht ka pasur devijim dhe anashkalim të ligjit dhe procedurës, ku edhe përkundër kërkesës ligjore vendime të tilla kanë anashkaluar Kryeministrin e vendit, pa të cilin së paku konsulli i përgjithshëm nuk mund të emërohet në shërbimin e jashtëm. Në anën tjetër në aspektin moral dhe etik, UD e Presidentes së Republikës iu është përgjigjur kërkesës popullore dhe pakënaqësisë së emërimeve të fundit duke u bazuar në marrëveshje politike pa iu nënshtruar konkursit dhe meritokracisë duke shfuqizuar dekretet e tilla”, ka thënë Miftaraj.

Edhe pse, sipas Miftarajt, në aspektin ligjore e procedural ligjet e aplikueshme nuk e njohin të drejtën e Presidentit që të marr vendime të tilla, këto vendime sipas tij e kanë ndalur një proces të kundërligjshëm.

“Sidoqoftë në aspektin ligjor dhe procedural ligjet e aplikueshme nuk njohin të drejtën e Presidentit të marr vendime të tilla edhe pse e përsëris janë të drejta dhe në një farë mënyre e ka ndal një proces të kundërligjshëm.  E vetmja mënyre që do të respektonte ligjin dhe procedurën në raste të tilla do ishte sikur palët e autorizuara me ligj të kontestonin kushtutshmërine dhe ligjshmërinë e dekreteve të tilla në Gjykatën Kushtetuese.  Një qasje e tillë do të ishte edhe respekt ndaj shteteve ku janë emëruar këta konsuj në mënyre që të ruhet sado pak edhe integriteti i raporteve diplomatike në mes të Kosovës dhe shteteve përkatëse”, ka deklaruar ai.

Në ndërkohë sot gjatë ditës organizata Demokracia Plus në një reagim për media ka thënë se u.d e presidentes e ka shkelur Kushtetutën me këto vendime pasi që e njëjta ka vepruar pa u koordinuar me Qeverinë.

“Në anën tjetër, U.D. Presidentja Osmani-Sadriu, përmes shfuqizimit të dekreteve ka ndaluar shkeljen e Konventës së Vjenës, por që këtë është dashur ta bëjë në koordinim me Qeverinë, ashtu siç e përcaktuat Kushtetuta (Neni 84 pika 25) tek kompetencat e Presidentit se “emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës me propozimin e Qeverisë’. Presidenti nuk mund të bëj emërime apo shkarkimet pa qenë të bazuara në një propozim të Qeverisë. Kjo mund të përbëjë një precedent të keq në të ardhmen”, thuhet në reagim.

Vendimin për shfuqizimin e dekretit për konsujt Osmani e kishte paralajmëruar qysh nga momenti kur  pasi mediat lokale raportuan për emërimin e Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si Konsull i Përgjithshëm në Pragë.

Pikërisht vota e deputetit të AAK-së Haxhi Shala ka qenë vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, kur është votuar për qeverinë e re, deputeti Shala pati deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar Qeverinë, pasi një natë më parë kishte takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përderisa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të mërkurën se ky emërim ishte bërë pa pasur një koordinim me të, duke shtuar se për këtë rast ai është informuar vetëm nga mediat, ishte vetë Flakron Shala ai i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se në pozitën Konsullit të Përgjithshëm është “emëruar sipas ligjit në fuqi”.

“Prindi im, Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë̈- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjithshëm”, ka shkruar Shala.

Të shkarkuarit tjerë nga Osmani janë: Blendi Kilaj – Lubjanë, Lindon Kqira – Shkup dhe Halim Krasniqi – Tiranë.

Blendi Kilaj, është djali i Isni Kilajt, ish-zëvendësministër i Financave në Kosovë dhe zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërsa Lindon Kqira dje gjatë ditës tha se nuk e njeh këtë vendim të Osmanit dhe se ai do vazhdojë që të ushtrojë detyrën e tij në Shkup.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat