Musliu, Vetëvendosjes: Hera e parë dhe e fundit që abuzoni me nënshkrimet tona

Aktuale

Musliu, Vetëvendosjes: Hera e parë dhe e fundit që abuzoni me nënshkrimet tona

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 21:07
Ganimete Musliu

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit të Kosovës për interpelancën e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu në lidhje me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka reaguar ndaj kryesueses së seancës, nënkryetares Arbërie Nagavci dhe deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku për abuzim të vullnetit të deputetëve.

Kjo sepse interpelanca ishte thirrur me kërkesë të deputetes Fatmire Kollçaku dhe ishte mbështetur edhe nga pesë deputetë të tjerë, ndër ta edhe nga vetë Musliu dhe bashkëpartiaku i saj, Elmi Reçica.

“Një vërejtje shumë të madhe për kolegët e Vetëvendosjes, të cilët abuzojnë me vullnetin e mirë të anëtarëve të komisionit që e kanë nënshkruar kërkesën për interpelancë. Le të jetë kjo hera e parë dhe e fundit që ne bëhemi bashkë për të sjellë diçka të mirë në Kuvend dhe ju abuzoni me nënshkrimet tona”, tha ajo.

Musliu e konsideroi interpelancën të pakonsumuar, duke thënë se ajo mund të zhvillohet kur ministri Veliu të jetë i pranishëm në seancë.

“Unë e konsideroj këtë interpelancë të pakonsumuar sepse nënshkrimin e kam dhënë për ta ftuar ministrin këtu. I lus qytetarët e Kosovës nëse e takojnë këtë person le ta njoftojnë që duhet me ardhë në Kuvend, sepse ka përgjegjësi ndaj kuvendit dhe ndaj qytetarëve”, tha ajo.

Kryesuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci e ftoi parashtruesen e kërkesës për interpelancë, Fatmire Kollçakun dhe deputetët e partive politike që t’i parashtrojnë pyetjet e tyre edhe pse ministri Agim Veliu nuk ishte i pranishëm në seancë. Mirëpo, Kollçaku dhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Mefail Bajçinovci e shfrytëzuan foltoren e Kuvendit për të folur rreth gjendjes në komunën e Podujevës, ku sot përfundon fushata për zgjedhje të jashtëzakonshme, ku Veliu kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit pasi u emërua ministër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat