Sot mbahen zgjedhjet lokale në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut

Aktuale

Sot mbahen zgjedhjet lokale në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut

Nga: N. H Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 06:23
Foto ilustrim

(E plotësuar 07:05) - Qytetarët e komunës së veriut të Mitrovicës dhe Podujevës, nën masat anit-covid, sot do të kenë të drejt të zgjedhin kryetarin e tyre, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit.

Në këtë komunë janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313.

Gjithashtu, edhe komuna e Podujevës, ka mbet pa kryetar që nga muaji qershor, pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Në këtë komunë janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 Vendvotime., ku të drejt vote kanë 87,381 persona.

***

Banorët në komunën e Podujevës, dhe në Mitrovicë të Veriut sot vendosin për kryetarët e ri, raporton “Bota sot”.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për këtë proces të jashtëzakonshëm zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur dje numrin e qytetarëve të cilët për shkak të testit pozitiv me COVID-19 janë në karantinë shtëpiake dhe për shkak të masave kufizuese nuk do të munden që të shkojnë në vendvotime.

Elezi: Janë kontaktuar rreth 500 person

“Komisioni Komunal i Zgjedhjeve ka kontaktuar me qytetarët me të drejtë vote nga komuna e Podujevës të cilët janë në karantinë shtëpiake për shkak të testit pozitiv me COVID-19. Janë kontaktuar rreth 500 persona dhe pothuajse gjysma e tyre kanë shprehur vullnetin e tyre për të votuar përmes ndonjërit nga ekipet lëizëse që ditën e diele do t’i dërgojmë në adresat e këtyre votuesve. Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut janë kontaktuar 21 persona dhe shumë prej tyre deri më tani kanë shprehur vullnetin për të votuar. Të gjithë personat të cilët janë kontaktuar nga Komisionet Komunal të Zgjedhjeve të këtyre dy komunave, i takojnë listës zyrtare të cilën e kemi pranuar”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, numri i vëzhguesve të akredituar për të vëzhguar procesin zgjedhor në këto dy komuna është rreth 1 mijë e 700 vëzhgues. Numri më i madh i tyre përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, pastaj nga organizatat jo-qeveritare vendore si dhe nga mediat vendore e ndërkombëtare.

KQZ dje ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave të ndërmarra me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat