DnV: Zgjedhje të qeta por nuk ka respektim të kënaqshëm të masave anti-Covid

Aktuale

DnV: Zgjedhje të qeta por nuk ka respektim të kënaqshëm të masave anti-Covid

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 14:40
DnV

Demokracia në Veprim, koalicioni i organizata që monitoron zgjedhjet thotë se deri tani zgjedhjet janë të qeta, por nuk ka respektim të kënaqshëm të masave anti-Covid.

DnV thotë se procesi deri tani është zhvilluar pa incidente dhe parregullsi.

Në Podujevë ka nivel të kënaqshëm të daljes në zgjedhje, në Mitrovicë të Veriut ka një pjesëmarrje më të ulët.

Kjo është komunikata e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA
29 nëntor, 2020

DEMOKRACIA NË VEPRIM: ZGJEDHJE TË QETA DHE TË RREGULLTA, POR ME RESPEKTIM JO TË KËNAQSHËM TË MASAVE KUNDËR PANDEMISË

Demokracia në Veprim (#DnV), përmes ekipeve mobile, po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut duke mbuluar pjesën më të madhe të qendrave të votimit në këto dy komuna.

Përgjithësisht, DnV vlerëson se procesi i deritanishëm zgjedhor është zhvilluar pa incidente apo parregullsi që mund të cenojnë integritetin e këtij procesi. Dalja e votuesve në Komunën e Podujevës është deri më tani është në nivele të kënaqshme, marrë parasysh situatën me pandeminë si dhe trendet e daljes në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Ndërsa, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për pjesëmarrje më të ulët në zgjedhje.

Sa i përket zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë, DnV konsideron që masat dhe procedurat e parapara të votimit përmes udhëzimit të KQZ-së, nuk janë respektuar sa duhet. Përkundër faktit që KQZ ka angazhuar ekipe monitoruese të zbatimit të masave anti-COVID, të cilat kanë qenë të pranishme në pothuajse të gjitha qendrat, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për respektim të pjesshëm të mbajtjes së maskës në mënyrë adekuate. Kjo është vënë re më shumë në radhët e komisionerëve. Po ashtu në shumë raste është raportuar për mosrespektim të distancës fizike, si në radhët e votuesve, ashtu edhe të komisionerëve. Ndërsa, dezinfektimi i duarve është masa e cila është respektuar më së paku, sipas vëzhguesve tanë.

Bazuar në vlerësimin tonë, KQZ nuk ka shfrytëzuar të gjithë kapacitetin e disponueshëm lidhur me hapësirat e votimit, meqë rast në disa qendra të votimit ka mbingarkim me votues, që ka rezultuar edhe me pamundësi për mbajtje të distancës, ndërsa objekte tjera publike (shkolla) nuk janë marrë fare në shfrytëzim për proces të votimit. Sa i përket hapësirave, vlen të përmendet që në shumë raste është evidentuar numër më i madh i vëzhguesve, në kundërshtim me vendimin e KQZ-së që ka paraparë vetëm një vëzhgues për entitet në vendvotim.

Pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet sfidë e procesit zgjedhor në këto dy komuna, sikur edhe në zgjedhjet paraprake. Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për shqetësime të ngritura nga qytetarët për praninë e personave të vdekur në lista të votimit, si dhe janë evidentuar pakënaqësi lidhur me ndërrimin e qendrave të votimit të votuesve.

Lidhur me ushtrimin e të drejtës së votimit, disa qytetarë janë ankuar që komisionerët nuk ua kanë lejuar të drejtën e votimit për shkak të skadimit të afatit në dokumente identifikuese, çështje kjo e cila nuk është adresuar si duhet nga KQZ dhe institucionet tjera relevante.

DnV ju bën thirrje qytetarëve që kohën e mbetur t’a shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, në përputhje me manualet për parandalimin e koronavirusit. Po ashtu, DnV kërkon nga komisionerët e subjekteve politike që të garantojnë mbarëvajtje të procesit të votimit, si dhe t’i kushtohet vëmendje e veçantë procesit të numërimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat