Interesim i madh për të votuar në Podujevë, qytetarët kërkojnë hapje të vendeve të reja të punës

Aktuale

Interesim i madh për të votuar në Podujevë, qytetarët kërkojnë hapje të vendeve të reja të punës

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 15:28
Podujevë

Në orët e pasdites vërehet një fluks më i madh i qytetarëve që po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për të parin e komunës së Podujevës.

Qytetarët shprehen se duan ndryshim dhe se nga kryetari i ri presin që të punojë më shumë në rritjen e numrit të vendeve të reja të punës për të rinjtë e kësaj komune.

Kryesuesi i qendrës së votimit në shkollën ekonomike "Isa Boletini" Fehmi Zeqiri, thotë se deri në orën 13:00 kanë votuar rreth 2 mijë persona, e që në këtë qendër të drejtë vote kanë 14 mijë qytetarë.

Ai thotë se orët e paradites është vërejtur një fluks më i vogël i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën për të votuar, por që potencon se nga ora 12:00 e tutje është vërejtur një fluks më i madh i qytetarëve që po votojnë.

Zeqiri: Deri në ora 13:00 kanë votuar 2 mijë qytetarë

"Nëse i referohemi rezultateve të orës 13:00 i bie që kanë votuar afërsisht 2 mijë qytetarë ose në përqindje i bie 14. 7 përqind[...]marrë parasysh numrin total të qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote nuk është e kënaqshme, po nëse kemi parasysh që kemi të bëjmë pjesën e paradites ne edhe në zgjedhjet e viteve të tjera apo zgjedhjet paraprake kemi pasur një situatë të përafërt ku qytetarët pikërisht në kohën kur po diskutojmë dhe po e shohim kemi të bëjmë me fluksin e madh të qytetarëve të cilët masovikisht janë orientuar kah kutitë e votimit", tha ai.

Një nga qytetarët që ka votuar është Sami Ajvazi, i cili thotë se pret që kryetari i ri i komunës të krijojë më shumë vende të reja të punës.

Ajvazi: Të ketë më shumë të puënsuar

"Presim që të jenë korrekte, le të fitojë më i miri, ne kemi votuar për atë që kemi menduar që është më i miri. Shpresoj të shkojnë këto zgjedhje siç duhet...Të ketë më shumë të punësuar dhe që t'i plotësojnë kërkesat e qytetarëve", tha ai.

Të njëjtën gjë e pret edhe qytetari Nexhmi Gashi, i cili thotë se pret që të rinjtë të gjejnë punë në vendlindjen e tyre.

Gashi: Nga këto zgjedhje presim diçka më të mirë, më shumë punë edhe për të rinjtë

"Pres prej këtyre zgjedhjeve me kanë diçka më mirë dhe për krejt popullatën edhe për të rinjtë po edhe për pleqtë...Kisha pas qef që sa më shumë me pas punësim, është numri i parë, me pas edhe të rinjtë mos me qëndru rrugëve", tha ai.

Qytetari Agim Aliu, thotë se në këto zgjedhje pret të ndodhin ndryshime, derisa kërkesë të vetmen e ka hapjen e vendeve të reja të punës.

Aliu: Kërkesa jonë është me pas ndryshime e rinia me u punësu më shumë

"Besojmë që ka me pas ndryshime kësaj radhe dhe qytetarët siç po duket masovikisht janë duke votuar, shpresojmë ditë më të mira...Kërkesat tona janë me pas ndryshime, rinia me u punësu sa më shumë", tha ai.

Në zgjedhjet e sotme në komunën e Podujevës janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 vendvotime, ku kanë të drejtë 87 mijë e 381 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat