Daka: Në Podujevë votuan 40% e qytetarëve, rezultatet preliminare shpallen në ora 21:00

Aktuale

Daka: Në Podujevë votuan 40% e qytetarëve, rezultatet preliminare shpallen në ora 21:00

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 19:47
Valdete Daka

Pas mbylljes së vendvotimeve në Komunën e Podujevës si dhe në Mitrovicën veriore KQZ ka mbajtur konferencë për media, në të cilën Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi se procesi zgjedhor në të dy komunat është zhvilluar pa probleme.

Ajo theksoi se në Podujevë kanë votuar 40.51% e votueseve,

Daka theksoi se që nga ora 19:00 ka filluar afati për të paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zhvillimet në vendvotime gjatë ditës së sotme.

“Ju njoftoj se procesi i votimit në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut është përmbyllur.Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat të cilat i kemi pranuar nga terreni, procesi i sotëm zgjedhor në këto dy komuna është zhvilluar pa probleme. Këtë e tregon më së miri edhe numri i vogël i rasteve që janë paraqitur në Dhomën Operative të KQZ-së, vetëm 6 gjatë gjithë ditës, e të cilat janë raste që nuk cënojnë integritetin e zgjedhjeve. Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14% e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%. Në fund, më lejoni që të falënderoj qytetarët e këtyre komunave, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme në kohë pandemie, morën pjesë në votime dhe ndihmuan KQZ-në në zbatimin e masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore”, tha Daka.

Tutje ajo shtoi se në emër të KQZ-së, falënderoj Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, që gjatë gjithë ditës luajtën rolin e tyre të pazëvendësueshëm në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, falënderojmë edhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për punën e treguar deri më tani si dhe kërkoj nga ta që të respektojnë ligjin dhe procedurat gjatë fazës në vazhdim: numërimin e fletëvotimeve dhe përmbylljen e procedurave të parapara. Krejt në fund, falënderoj të gjitha mediat që pasqyqruan procesin e sotëm zgjedhor dhe gazetarët që vizituan kaq shumë qendra të votimit dhe sollën atmosferën e qetë të këtij procesi zgjedhor. Ju njoftoj se konferenca e radhës do të mbahet sapo të pranojmë rezultatet preliminare nga këto komuna dhe do t’iu njoftojmë përmes zëdhënësit. Ndërsa, nga ora 19:00 ka filluar afati për të paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zhvillimet në vendvotime gjatë ditës së sotme”përfundoi ajo./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat