Dështon votimi i projektligjeve në Kuvend, nuk ka kuorum

Aktuale

Dështon votimi i projektligjeve në Kuvend, nuk ka kuorum

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 11:29

(E plotësuar 13:51) - ​Deputetët shkojnë në pauzë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë shkuar në pauzë, pas shqyrtimit të disa pikave të paraparë për seancën e sotme.

Në seancën e re janë paraparë të shqyrtohet 14 pika dhe do të vazhdojë në ora 15:30.

***

As në seancën e sotme plenare, nuk ka kuorum për të votuar projektligjet të cilat janë në rend të ditës.

Për momentin, vetëm 45 deputetë janë të pranishëm në seancë.

Gjatë seancës së sotme, deputetët e opozitës vazhduan ta kritikojnë Qeverinë Hoti për menaxhimin me pandeminë.

Ata kërkuan rimbursim të qytetarëve të infektuar me Covid-19 për shkak të shpenzimeve që kanë në marrjen e terapive.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se do të shqyrtojnë kapacitetet e tyre dhe do të vendosin nëse mund ta bëjnë rimbursimin e qytetarëve.

Zemaj tha se të gjithë pacientët e shtrirë në institucionet publike shëndetësore, kanë terapitë e nevojshme të siguruara nga ministria që ai e udhëheq.

Ndërsa, edhe në këtë seancë iu bë thirrje opozitës për ta votuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Quni pret epilogun për Thaçin e Veselin, pastaj merr vendim për dorëheqjen që e pati deklaruar

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni është pyetur se pse nuk po jep dorëheqje nga politika, tani kur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ia ka kujtuar ministrit deklaratën e para disa viteve kur Quni kishte thënë se qëndron në politikë derisa t’i shoh Thaçin e Veselin prapa grilave.

“Kur do të jepni dorëheqje pasi është përmbushur misioni juaj politik”, ka pyetur Musliu.

Në replikë, ministri Quni ka thënë se do ta pres epilogun e procesit gjyqësor kundër Thaçit dhe Veselit për të marrë vendim lidhur me dorëheqjen.

“Besoj që përkundër asaj që jam ministër i Mbrojtjes, nuk e humbi të drejtën të kem edhe qëndrime personale. Sa i përket deklaratës time që pasi t’i shoh prapa grilave të apostrofuarit, presim epilogun. Pastaj do të marr vendim edhe unë”, tha Quni.

AAK me nismë të re ligjore për familjet e të rëndëve për liri dhe një pjese të të plagosurve në luftë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj ka njoftuar se do të iniciojnë një nismë ligjore për familjet e të rëndëve për liri dhe një pjese të të plagosurve dhe invalidëve të periudha të ndryshme kohore, cilat kanë mbetur të pa përfshira nga trajtimi institucional e shtetëror.

Reshitaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se iu është bërë padrejtësi familjeve të rëndëve për liri, si dhe ndaj një pjesë të plagosurve dhe invalidëve të periudha të ndryshme kohore, krejt kjo si pasojë e mos përfshirjes së plotë në statusin për të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, viktimave civile, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, si dhe familjeve të këtyre.

Sipas saj, kanë ardhur në përfundim që zgjidhja më e mirë për këto kategori të cilat kanë mbetur të papërfshira nga trajtimi institucional të iniciojnë një nismë ligjore ku do të përfshihen të gjitha kategoritë në të gjitha periudhat e caktuara kohore, që lidhen drejtpërdrejt me statusin për të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, viktimave civile, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, si dhe familjeve të këtyre.

Reshitaj: Të iniciojnë një nismë ligjore

“Të iniciojnë një nismë ligjore ku do të përfshihen të gjitha kategoritë në të gjitha periudhat e caktuara kohore, që lidhen drejtpërdrejt me statusin për të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, viktimave civile, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, si dhe familjeve të këtyre. E gjithë kjo me qëllimin që mos të mbesin jashtë nga trajtimi nga shteti kategoritë nga vitet 1968 deri në vitin 99, duke përfshirë këtu edhe të rinjët tanë të vrarë në armatën Jugosllave“, tha ajo.

Ajo foli edhe për kategorinë e invalidëve civil të luftës, duke thënë kërkuar të ndahet një fond për trajtimin e tyre.

Deputetët kritikojnë Hotin për keq-menaxhim të situatës me pandeminë

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin për keq-menaxhim të situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit në vend.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha se ka mungesë totale të menaxhimit me Covid-19 në të gjitha drejtimet.

Qeverinë Hoti e ka quajtur të papërgjegjshme e cila sipas tij nuk ka mbajtur premtimet e dhëna sa i përket testeve masive.

Uka: Jemi vendi me menaxhimin më skandaloz të pandemisë

“Jemi vendi me menaxhimin më skandaloz të pandemisë dhe këtë e konfirmon jo vetëm numri i vogël i testimeve, numri I madh I rasteve por mbi të gjitha numri i madh i vdekjeve, andaj thërrsni mendjes”, tha ai.

E deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se qeveria po qëndron komode karshi situatës alarmante me Covid-19.

Haxhiu: Vdekjet nuk janë numra, janë jetë njerëzish

“Po flasim për jetë njerëzit, nuk janë numra, 1008 vdekje nuk janë numra, janë jetë njerëzish, nuk guxohet të rrihet me këtë komoditet çfarë e keni ju, sikur po ndodh Covid në një planet tjetër, lëri shifrat e Evropës së kërkah nuk jemi”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Hoti tha se deputetët po përdorin situatën me pandeminë për qëllime politike.

Hoti: Po e përdorni situatën për qëllimet tuaja politike

“Po përdorni situatën për qëllime të juaja politike, unë tërhiqem prej këtij lloj debati. Ne e kemi një fond prej 182 milionë euro në dispozicion, që nuk është i shpërndarë, është pjesë e buxhetit për vitin 2021, së shpejti do ta diskutoni buxhetin e 2021 këtu në Kuvend, e diskutojmë së bashku si mund ta shpërndajmë më së miri”, tha ai.

Seanca ende po vazhdon, ku janë paraparë 14 pika të rendit të ditës.

​Zemaj-deputetëve: Mos u grumbulloni, kontribuoni në parandalimin e shpërndarjes së virusit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se do të shumëfishojnë numrin e testimeve sipas nevojave. Ai u ka thënë deputetëve që të kontribuojnë në parandalimin e shpërndarjes së virusit.

Sipas Zemajt, asnjë pacient në Republikën e Kosovës nuk është në mungesë të trajtimit.

Zemaj: Kapacitetet testuese do të dhjetëfishohen sipas nevojave

“Kapacitetet testuese janë katërfishuar, këtë javë do të dhjetëfishohen sipas nevojave çfarë ka Republika e Kosovës, se ju keni dëshirë të statistikave, nuk ka teste ka 100, 50, teste selektive, ka mijëra testime brenda ditës që bëhen, vetëm për 12 ditë kemi bërë teste sa 92 ditë që ju keni qenë në pushtet, vetëm për 12 ditë”, tha ai.

Zemaj tha se Kosova ka vdekshmërinë më të ulët në rajon dhe Evropë sa u përket rasteve me Covid-19.

Zemaj-deputetëve: Kontribuoni më shumë në parandalimin e shpërndarjes së virusit

“Kontribuoni më shumë gjendjes për parandalimin e shpërndarjes së infeksionit, ndaljen e rritjes mos shfrytëzoni siç ju kemi parë grumbullime tendencioze edhe për t’u gëzuar, edhe qoftë për rastet që përfundojnë me fatalitet.

Këto deklarata Zemaj i bëri në seancën e sotme, pas kritikave që deputetët dhanë në drejtim të Qeverisë së Kosovës për keq menaxhim të situatës me pandeminë.

(11:52) - Zemaj- VV-së: Për 12 ditë kemi testuar më shumë persona sesa ju për 92 ditë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se gjendja me COVID-19 është e rënduar si pasojë e shpërndarjes edhe në vendet rajonale.

Ai ka thënë se asnjë pacient nuk është në mungesë të trajtimit.

Zemaj në Kuvendin e Kosovës ka thënë se ato që janë premtuar në kuadër të menaxhimit të pandemisë, janë duke u përmbushur.

Ai ka thënë se vaksina kundër gripi sezonal ka filluar të shpërndahet dhe ka sasi dy herë më të madhe se zakonisht.

“Kapacitetet e testimit janë katërfishuar dhe këtë javë do të dhjetëfishohen sipas nevojës. Ka mijëra testime brenda ditës, vetëm për 12 ditë kemi bërë teste sa 92 ditë sa ju keni qenë në pushtet”, ka thënë ai.

Zemaj ka bërë thirrje që të ndalen grumbullimet. Sipas tij, Kosova e ka vdekshmërinë më të ulët në rajon dhe botë.

Hoti: Nuk jemi para kolapsit, por në gjendje emergjente shëndetësore

Kryeminstri i Ksoovës, Avdullah Hoti thotë se Kosova nuk është para kolapsit, por në gjendje emergjente shëndetësore.

Hoti thotë se strategjia e Kosovës është në përputhje me strategjitë e vendeve tjera.

Ai thotë se në secilin vend, vala e dytë ka sjellur numër të madh të të infektuarve.

“Lidhur me festën e 28 nëntorit, Qeveria ka zbatu një agjendë zyrtare që nga viti 2009.  Pasi që punëtorët shëndetësor nuk e kanë pushim, ne vendosëm që edhe shërbyesit civil të dalin në punë. Ne kemi raportu në Kuvend se çka kemi ba për menaxhimin e pandemisë. Nuk jemi para kolapsit por në gjendje emergjente shëndetësore. E kemi përmirësu furnizimin me barna. Numri i të infektuarve në valën e dytë në secilin vend është më i lartë. Po bëjmë maksimumin të i dalim ballë situatës. Strategjia jonë është në përputhje me strategjitë e vendeve tjera. E kemi rregullu çështjen e shtesave, edhe për mjekë, staf teknik dhe stafin mbështetës. Do shohim a mund tu dalim në ndihmë familjeve të prekura me Covid-19. Familjeve me asistencë sociale i është dyfishuar asistenca”, thotë Kryeministri në seancën pleanre të Kuvendit. 

Deliu-Kodra: Qeveria të hartojë një plan për t’i ndihmuar pacientët me Covid-19

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që t’i dal në ndihmë qytetarëve të infektuar me virusin Covid-19.

Ajo ka thënë se Qeveria Hoti duhet të hartoj një plan për t’i ndihmuar këta pacient, derisa ka përmendur edhe shumën prej 50 eurove që e ka ndarë Komuna e Prishtinës për këta qytetarë.

“Qeveria duhet të hartoj një plan për ti ndihmuar këta pacient, aq më pak kur disa kuvende komunale kanë filluar të obligojnë komunat e tyre, në mënyrë simbolike t’i dalin në ndihmë qytetarëve të vet me 50 euro”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra ka thënë se pacientët çdo ditë ankohen për terapitë që po u kushtojnë shumë, andaj edhe i kërkoi kryeministrit Hoti që të reflektoj për këtë.

“Konsideroj që kryeministri duhet të mendoj kur kemi numrin e të infektuarve në rritje çdo ditë e më shumë”, shtoi ajo.

Haxhiu: Kjo qeveri ka probleme substanciale në menaxhimin e pandemisë, spitalet janë para kolapsit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha sot se situata me pandeminë COVID-19 është tejet alarmante dhe spitalet janë para kolapsit.

Haxhiu në Kuvendin e Kosovës tha se derisa vendi po shkon drejt katastrofës shëndetësore, gara për pushtet i ka verbuar këta të Avdullah Hotit dhe ata që ishin para tij.

Ai më tej tha se derisa spitalet janë të mbushura me pacientë dhe personeli shëndetësor është i stërlodhur, qeveria sillet me komoditet sikur spitalet janë në planet tjetër e jo detyrim i kësaj qeverie.

“Gjendja e krijuar tregon se kjo qeveri ka probleme substanciale organizative, profesionale në menaxhimin e pandemisë”, tha ai.

Sipas tij, klinikat ku trajtohen personat me COVID-19 janë shndërruar në vatrat kryesore të përhapjes së coronavirusit dhe nuk ka as sterilizues, e as aparate të dezinfektimit.

Deputeti i PDK-së ndër të tjera tha se me mashtrim, joprofesionalizëm e hajni kishte vepruar edhe Qeveria Kurti, që sipas tij një ditë më parë shkeli masat mbrojtëse dhe organizoi tubime me qytetarë.  

Hoti kërkon që të votohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Ka filluar vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

E, kryeministri i vendit Avdullah Hoti, kërkoi nga deputetet që sa më parë ta miratojnë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

“Unë ju lus që sa më parë të shkojmë ta miratojmë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Në vitin 2021 shpresoj ta përmbyllin çështjen me pandeminë, por besojë se pjesën parë të viti të parë do të përmbyllet kjo çështje”, tha ai.

(11:33)- Bulliqi: Falënderoj ministrin Arbashi që shtroi asfalt 2cm për qytetarët e Llapit

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, i cili ka dalë si fitues i zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, ka thënë se tani e tutje Llapi dhe Gollaku do të frymojnë lirshëm nën drejtimin e tij.

Në vazhdimin e seancës plenare që po mbahet në Kuvend, Bulliqi ka thënë se qytetarët e Komunës së Podujevës e lanë pas një pushtet i cili për 20 vjet nuk arriti t’i realizojë as për së afërmi kërkesat e qytetarëve.

“Dje ishte ditë zgjedhore në Llap, andaj më lejoni që t’i përgëzoj të gjithë qytetarët e Llapit dhe Gollakut për një fitore mahnitëse dhe për sjelljen e ndryshimit pas 20 vjetëve atje”.

Bulliqi gjatë fjalimit të tij në Kuvend ka falënderuar edhe ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi që sipas tij kohët e fundit ka bërë një punë të madhe për qytetarët e Llapit, duke shtruar asfalt 2cm.

“Unë mendoj që nesër si Kryetar i Podujevës, do të jem një kryetar që do të punoj shumë dhe do ti trajtoj të gjithë qytetarët barabartë. Nga këtu i përshëndes të gjithë qytetarët llapjan dhe ata të gollakut, të gjithë deputetët e VV-së, aktivistët dhe qytetarët që na ndihmuan që këtë fitore ta bëjmë të lehtë”, tha ai.

***

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite janë të parapara 14 pika.

Ky është rendi i ditës:

Seanca plenare

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-005 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-043 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë,

5. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024,

6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, për vitin 2019,

7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë, për vitin 2019,

8. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2019,

9. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019,

10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2019,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019,

12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2019,

13. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,

14. Zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyertues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Vendi: Salla e seancave plenare

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat