Djali ish-drejtorit të policisë Shpend Maxhunit nuk e pranon fajin për armëmbajtje

Aktuale

Djali ish-drejtorit të policisë Shpend Maxhunit nuk e pranon fajin për armëmbajtje

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 13:14
Pamje nga gjykimi

Djali i ish-drejtorit të Policisë së Kosovës Shpend Maxhunit, Shpëtimi është deklaruar i pafajshëm për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve në shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, për të njëjtën vepër penale i akuzuar është edhe Rinor Maxhuni, i cili gjatë kësaj seance e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Paraprakisht, dy të akuzuarit Maxhuni hoqën dorë nga leximi i aktakuzës ndaj tyre, me arsyetimin se janë në dijeni për veprat penale që u ngarkohen atyre.

Pas deklarimit të të akuzuarit Shpetim Maxhuni, gjykatësi Kujtim Krasniqi e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Besnik Berisha, se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre të parapara me nenin 245, paragrafin 6 të Kodit të Procedurës Penale.

Lidhur me këtë, avokati Berisha deklaroi se ata do të shfrytëzojnë të drejtat e parapara me nenin e lartpërmendur.Ndërsa, për të akuzuarin Rinor Maxhuni, i cili në këtë seancë pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, gjykata mori vendim për veçimin e procedurës ndaj tij.

Po ashtu gjykatësi Krasniqi ka njoftuar palët se shpallja e aktgjykimit ndaj Rinor Maxhunit do të bëhet më 2 dhjetor 2020, nga ora 9:00, ndërsa ndaj Shpetim Maxhunit do të vazhdoj procesi gjyqësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat