Selimi: Çdo proces ku janë të përfshirë të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë do të jetë më lehtë i zbatueshëm

Aktuale

Selimi: Çdo proces ku janë të përfshirë të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë do të jetë më lehtë i zbatueshëm

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 15:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministri i Drejtësisë, Selim Selim, sot ka mbajtur një takim me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj dhe atë të Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ku kanë diskutuar për hapat e veprimit drejt finalizimit të draftit të parë të Strategjisë që del nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Gjatë këtij takimi, është dakorduar që ekipet e Ministrisë së Drejtësisë dhe dy këshillave KGJK-së dhe KPK-së, të takohen për t’i adresuar komentet dhe për të finalizuar rekomandimet që përfshihen në Strategji.

“U dakoruam që të hartojmë planin e veprimit së bashku me hisedarët e drejtësisë, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm, përmes së cilit do të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial”, tha ministri Selimi.

Në këtë takim është diskutuar edhe për adresimin e komenteve që kanë të bëjnë me finalizimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale, si dhe për ndryshimet e nevojshme legjislative të sistemit prokurorial.

Ministria e Drejtësisë, javën e kaluar ka prezantuar draftin e parë të konsoliduar të pjesës narrative dhe planeve të veprimit të Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit.

Ndërsa kryesuesit e KGJK-së dhe KPK-së, Çoçaj dhe Hyseni, shprehën gatishmërinë e të dy këshillave për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që përmes procesit të rishikimit funksional si dhe avancimit të legjislacionit të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Grupi Punues për Hartimin e Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit e  kryesuar nga Ministria e Drejtësisë, përbëhet nga përfaqësues të KGJK-së, KPK-së, Akademisë së Drejtësisë,  Zyrës se Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave dhe akter të tjerë vendor dhe ndërkombëtar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat