​Mbahet takimi joformal i Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës

Aktuale

​Mbahet takimi joformal i Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 18:01
Foto gjatë takimit

Anëtarët e Këshillit të Stabilizim-Asociimit në takimin virtual kanë rishikuar përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian 2020 për Kosovën.

Pjesëmarrësit diskutuan për zhvillimet kryesore në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2015, teksa mirëpritën angazhimin e vazhdueshëm strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe në dialogun me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Në takim u ra dakord për nevojën urgjente për të përshpejtuar proceset e reformave, duke kërkuar përqendrim të shtuar nga të gjithë akterët politikë dhe një strukturë efektive të koordinimit brenda institucioneve të Kosovës.

Pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, derisa vendimi mbi propozimin mbetet në shqyrtim në Këshill.

Ata diskutuan po ashtu edhe për prioritetet e reformës në sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin.

Sa i përket Dhomave të Specializuara, pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin që treguan autoritetet e Kosovës dhe të arrestuarit. Ata u dakorduan për angazhim të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës, në përputhje të plotë me rendin e saj ligjor dhe detyrimet e saj ndërkombëtare, me përpjekje të mirëfillta për të garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe pajtimin.

Këshilli i Stabilizim-Asociimit mirëpriti rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja në korrik 2020 pas emërimit të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak dhe heqjes së tarifave dhe masave të reciprocitetit.

Në këtë takim u nënvizua rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm me mirëbesim për të negociuar dhe arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kjo u vlerësua thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane. Pjesëmarrësit ranë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të respektohen dhe të zbatohen.

Pjesëmarrësit ranë dakord mbi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të Kosovës në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në zbatimin e Planit të Veprimit për zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, ashtu siç u miratua në samitin e Sofjes më 10 nëntor 2020, në ndjekjen e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.

Takimi u drejtua nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

Komisionari për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi, përfaqësoi Komisionin Evropian. Delegacioni i Kosovës drejtohej nga kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe ministrat Meliza Haradinaj-Stublla, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Selim Selimi, Besian Mustafa dhe Vesel Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat