​MPJD thotë se janë në fazën finale të konsultimeve për emërimin e ambasadorëve të rinj

Aktuale

​MPJD thotë se janë në fazën finale të konsultimeve për emërimin e ambasadorëve të rinj

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 10:18
Foto ilustrim

E pakuptueshme po konsiderohet vonesa e Qeverisë së Kosovës në emërimin e ambasadorëve të rinj në Uashington, Londër e Bruksel, qendra këto ku aktualisht Kosova përfaqësohet vetëm me të ngarkuar me punë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se janë në fazën finale të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj, derisa theksojnë se secili vendim i ministres do të jetë në konsultim të plotë me kryeministrin Avdullah Hoti.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thonë për KosovaPress, se deri në emërimin e ambasadorëve të rinj, Kosova në këto vende po përfaqësohet me të ngarkuar në punë të cilët po kryejnë të gjitha detyrat e parapara.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në fazën finale të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj. I gjithë procesi po zhvillohet konform procedurave të parapara ligjore, por nuk ka asnjë boshllëk në përfaqësimin e Kosovë në këto shtete. Ambasadori Frymëzim Isufaj, pas dekretimit dhe kryerjes së të gjitha procedurave të akreditimit, ka nisur punën në përfaqësimin e Kosovës në Nju Jork. Në Uashington, ndërkaq, është ende në detyrë ambasadorja Vlora Çitaku, e cila do ta përfaqësojë Kosovën deri në emërimin e ambasadorit të ri, siç është përcaktuar në dekretin e tërheqjes së saj të nënshkruar nga Presidenti. Në Bruksel dhe Londër janë diplomatët tanë të ngarkuarit me punë, të cilët po kryejnë të gjitha detyrat e parapara”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Tutje theksohet se ministrja Meliza Haradinaj-Stublla garanton një proces të drejtë e transparent dhe se secilin vendim do ta marrë në konsultim të plotë me kryeministrin e vendit.

Kurse, deputetja Ariana Musliu-Shoshi, thotë se në komisionin parlamentar për punë të jashtme ende nuk kanë ndonjë informacion lidhur me emrat dhe procesin e përzgjedhjes së diplomatëve të rinj.

Musliu-Shoshi: Nuk kemi asnjë informatë lidhur me procesi ne përzgjedhjes së ambasadorëve të rinj

“Mendoj që problemi kyç është mosmarrëveshje politike mes veti, jo-koordinimi dhe mungesa e planit të veprimit, mungesa e një strategjie e përbashkët... Kjo e dëmton Kosovën shumë kur ti nuk e ke zërin tënd diplomatik të fuqishëm në vendet ku janë vendimmarrëse siç janë Uashingtoni, Londra, Tokio, Bruksel, pikat kryesore dhe kyçe që janë të vendimmarrjes politike botërore ti i ke pa ambasadorë, dhe kjo është një mungesë e planit, mungesë e veprimit, strategjisë dhe të gjitha bëhen bashkë dhe atëherë nuk ke sukses”, thotë ajo.

Ndërsa sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ky fenomen ka përcjellë Qeveritë e Kosovës në vazhdimësi.

Hoti: Lënia e kryeqendrave pa ambasadorë është e pakuptueshme

“Nuk ka si të shihet kjo përpos si diçka negative në veçanti për faktin që qendrat kryesore të vendosjes dhe ato që kanë aktivitete të përditshme të ngjeshura diplomatike Kosova nuk është e përfaqësuara. Kjo mbase mund të provohet të justifikohet se vonesa të tilla kanë ardhur si rezultat i zhvillimeve të brendshme dhe mosmarrëveshjeve në mes të qeverisë dhe opozitës, dhe në veçanti tash me zhvillimet e fundit të dorëheqjes së presidentit, sido që të jetë në bazë të kushtetutës ne kemi autoritetet tona të cilat funksionojnë vërtetë përtej vonesave, lënia e këtyre vendeve pa mbulueshmëri me ambasadorë është e pakuptueshme”, thotë Hoti.

Ai thekson se në shërimin e jashtëm të Kosovës duhet të vendosen njerëzit e merituar.

Kosovën në Uashington është duke e përfaqësuar Vlora Çitaku si ambasadore në detyrë.

Përveç në Uashington, nuk dihet ende se kush do të vendoset ambasador në Bruksel, ku Kosova përfaqësohej nga Bernard Nikaj, e as në Londër ku ambasador ishte Lirim Grajçevci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat