Nëse Kushtetuesja vendos në favor të VV-së, shkuarja apo jo në zgjedhje mbetet në dorën e Vjosa Osmanit

Aktuale

Nëse Kushtetuesja vendos në favor të VV-së, shkuarja apo jo në zgjedhje mbetet në dorën e Vjosa Osmanit

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 19:12
Vjosa Osmani

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nesër pritet që të mbajë një seancë publike (online) për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, që Qeveria Hoti të shpallet anti-kushtetuese, për shkak të votës së deputetit të partisë së Ashkalinjëve, Etem Arifit, i cili është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti.

Lidhur me këtë situatë që mund të krijohet pas vendimit të nesërm të Gjykatës Kushtetuese, media ka kontaktuar njohësin Mazllum Baraliu, i cili deklaroi se kjo çështje do të jetë ekskluzivisht në mes presidencës dhe kushtetueses nëse vendoset që të aprovohet kërkesa e subjektit politik që parashtroi atë, në këtë rast të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Hapat të cilat do të duhej të ishin është çështje dhe kompetencë e Kushtetueses, e që nuk mund të paragjykohet, por në qoftë se merr Gjykata vendim që të miratojë parashtresën e subjektit politik që e ka drejtuar drejt saj, atëherë vendimi do të ishte që të kthehen në gjendjen e mëparshme. Në nivelin se si kanë qenë raportet institucionale dhe kushtetuese e juridike në mes atij subjekti politik dhe të presidencës asokohe. Aty duhet të kthehet çështja dhe është kogja problem për U.D së presidentes së Kosovës për atë se çka duhet të veprojë. Por mbetet që ajo të marrë vendimet përkatëse dhe mendoj se është mjaftë kompetente për të marrë një vendim të tillë në baza kushtetuese”, tha Baraliu.

Tutje ai shtoi se nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim kundër kësaj kërkese, pra thjeshtë kemi të bëjmë më gjendjen në të cilën jemi, pra të Qeverisë që është në mandate dhe gjërat shkojnë siç kanë filluar dhe siç janë.

“Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtuese që edhe ka qenë shkaktar për kontestimin e kushtetutshmërisë të mandatit të atij deputeti. Është çështje e para zgjedhjeve, pra detyrë për U.D së Presidentes se si do ti jap zgjidhje këtij kontesti, pra të kthehet çështja aty ku është ndalë ku kontestimet që kanë pasur palët apo sakt subjektet politike do të duhej që të sqaroheshin dhe të dakordoheshin për atë çështje. Nëse U.D së presidentes konsideron që të shpërbëhet Parlamenti, atëherë ajo e dinë punën e saj, është ekskluzivisht çështje e saj dhe është shumë e ndërlikuar dhe që do të bëhet në koordinim me Kushtetutën. Pra duhet pasur interpretime kompetente nga njerëzit kompetent lidhur me atë se çfarë duhet bërë, por paraprakisht duhet pritur se çka saktësisht thotë Gjykata Kushtetuese, pasi mund të veprojë ashtu që edhe t’i tregojë subjektit politik apo presidencës se si duhet të veprohet tutje. Pra në mënyrë propozimi, kështu që janë veprime që ndërlidhen me presidencën dhe kushtetuesen”, shtoi ai.

Ndryshe Etem Arifi është i dënuar me një vjet e tre muaj burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, Arifi arriti që të merrte pjesë në dy seanca të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç pretendonte, shkaqe shëndetësore. Kjo kërkesë iu miratua nga Gjykata Themelore e Prishtinës.Në seancën e parë të rëndësishme, më 25 mars, Arifi votoi për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Në të dytën, më 3 qershor, vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jo-valide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat