Të mërkurën Gjykata Kushtetuese mban seancë për votën e ish-deputetit Etem Arifi

Aktuale

Të mërkurën Gjykata Kushtetuese mban seancë për votën e ish-deputetit Etem Arifi

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 00:19
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese për të mërkurën thirri seancë dëgjimore publike.

Lënda që do të shqyrtohet në këtë seancë e për të cilën është folur shumë është një kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje e deponuar në Kushtetuese qysh në muajin qershor.

Nga partia më e madhe opozitare pretendojnë se vota e deputetit Etem Arifi, dhënë për formimin e Qeverisë me kryeministër Avdullah Hoti më 3 qershor është antikushtetuese.

Kjo për shkak se deputetit Arifi në janar i është konfirmuar nga Gjykata Supreme dënimi me burg ku ai ndodhet tani për mashtrim me subvencione.

Parashtruesi i lëndës deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, thotë se besojnë që Gjykata të marrë vendim meritor dhe të shpall të pavlefshme votën e Etem Arifi dhe Kosova të shkon në zgjedhje.

Por, juristi Kushtrim Palushi mendon se partia më e madhe opozitare e ka të humbur rastin në Kushtetuese, pasi që sipas tij Etem Arifi është certifikuar për deputet përkundër dënimit.

Në seancën që do mbahen ‘online’ për shkak të situatës me pandeminë, Qeverinë do ta përfaqësojë avokati Besnik Berisha.

Deputeti i LDK’së Shkëmb Manaj do të jetë aty si kryetar i Komisionit për Legjislacion e Mandate ndonëse shumica e anëtarëve të këtij trupi parlamentar nga partitë tjera u shprehën se janë kundër kësaj pjesëmarrjeje.

Seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese për shkak të pandemisë do të mbahet online.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat