Deputeti i AAK-së: Kosova ka nevojë për Haradinajn

Aktuale

Deputeti i AAK-së: Kosova ka nevojë për Haradinajn

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 10:40
Ramush Haradinaj

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj ka thënë se Haradinaj identifikohet si lider tipik, i rritur dhe i formësuar me hallet e popullit.

“Ai shquan si njeriu që me të bëmat e tij, e të familjes, vëllezërve heronj e të gjallë, ishte dhe mbeti gjithmonë i lidhur për tokën, të cilën javë për javë, e shkel pëllëmbë për pëllëmbë”, ka shkruar ai.

Tolaj përmes një shkrimi në facebook ka thënë se Haradinaj sot është faqebardhë rri këmbëkryq mbi dheun e Babës së tij Hilmiut, dheun e Luanit, Shkëlzenit, që lanë me gjak, bjeshkë e vërri, cep me cep ku flitet shqip.

“Përpara tij u përul diplomacia ogurzezë, sepse asnjë lider i sotëm kombëtar a ndërkombëtar, nuk ka bërë për vendin e tij, sa ai. Ai ishte dhe mbetet i vetmi kryeministër që nuk u josh pas ndonjë “karrote politike”, as nuk ngarendi pas biografive të mëdha”.

“Amerika dhe aleatët saj dhe tanët, tashmë e kanë të qartë se Haradinaj është prijësi më properëndimor”, tregoi ai.

Postimi i plotë i Tolaj:

KOSOVA KA NEVOJË PËR HARADINAJN!

Lider i dalë nga lufta, përherë në kërkim të arritjes së një “paqe të përjetshme”.

Haradinaj identifikohet si lider tipik, i rritur e i formësuar me hallet e popullit.

Ai shquan si njeriu që me të bëmat e tij, e të familjes, vëllezërve heronj e të gjallë, ishte dhe mbeti gjithmonë i lidhur për tokën, të cilën javë për javë, e shkel pëllëmbë për pëllëmbë.

Ai sot faqebardhë rri këmbëkryq mbi dheun e Babës së tij Hilmiut, dheun e Luanit, Shkëlzenit, që lanë me gjak, bjeshkë e vërri, cep me cep ku flitet shqip.

Përpara tij u përul diplomacia ogurzezë, sepse asnjë lider i sotëm kombëtar a ndërkombëtar, nuk ka bërë për vendin e tij, sa ai.

Ai ishte dhe mbetet i vetmi kryeministër që nuk u josh pas ndonjë “karrote politike”, as nuk ngarendi pas biografive të mëdha.

Jetëshkrimin e tij e njeh secili që e do të vërtetën; ai është i prekshëm kudo ku rezistenca u bë ekzistencë.

Jetëshkrimin e vet ia la kohës, ndërsa atë të Kosovës, dalëzotësve të saj.

E njëri prej tyre është vet ai - lideri i përhershëm, jo pse këtë ia përcakton qeverisja, po veprimet me efekt të gjithëhershëm: kufijtë, ushtria, guximi dhe fuqia e argumentit.

Ai nuk është lider që karrierën e vet dhe politikën e jashtme e bën nëpër takime të fshehta, ai këtë e bën krejt hapur.

Kësisoj, duke qenë eksplicit në diskurs, ia ndërroi edhe kursin diplomacisë evropiane, ngase heret e kuptoi se Aleatët tanë të luftës dhe paqes, nuk duan zvarranikë në 'real' politikë.

Ata përherë çmojnë kombet të cilat provojnë të mëkëmbën vetë, duke respektuar miqësinë e përhershme!

Amerika dhe aleatët saj dhe tanët, tashmë e kanë të qartë se Haradinaj është prijësi më properëndimor.

Amerika dhe aleatët saj dhe tanët, tashmë janë të bindur se Haradinaj është diga më e fortë ku thyhet Lufta e Ftohtë e këtij fillimshekulli.

Amerika dhe aleatët saj dhe tanët, tashmë e dinë se një komando i vërtetë, nuk e tradhton kurrë atdheun e vet, por as mikun!

Amerika dhe aleatët e saj dhe tanët, tashmë e dinë se Haradinaj, po qe nevoja, do të rreshtohej, në mos në mes, në krye të marinsave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, kurdo dhe kudo ku janë forcat amerikane.

Haradinaj dallon shumë liderë të tjerë, jo vetëm të vendit.

Ai është i arsyeshëm dhe racional.

Jo “kokëfortë”, siç e cilësojnë pseudopolitikanët dhe pseduodiplomatët tanë dhe të huaj.

Po, kokëforta janë argumentet të tij.

Prandaj, në këto kohë të liga për Kosovën, na duhet një Prijës i pathyeshëm dhe me identitet, një prijës që i del përballë Vuçiqit dhe përkrahësve të tij.

E kush tjetër pos Ramush Haradinaj….!

AT.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat