E ‘zbulon’ Milazim Krasniqi, kjo është arsyeja pse ka filluar projeksioni ogurzezë për Kosovën

Aktuale

E ‘zbulon’ Milazim Krasniqi, kjo është arsyeja pse ka filluar projeksioni ogurzezë për Kosovën

Nga: N.Sh Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 16:06
Milazim Krasniqi

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, thotë se, Kosova nuk është çliruar nga fuqia e shqiptarëve, por nga NATO-ja.

Prandaj sipas tij, për këtë shkak Kosova nuk vazhdon të jetë e pranuar si shtet nga OKB-ja, BE-ja, OSBE-ja, por edhe vetë nga NATO-ja.

Ai shton se, për shkak të kësaj, janë hapur edhe projeksione ogurzeza për Kosovën.

“Pra, kombi shqiptar nuk i ka realizuar me fuqinë e vet projektet, për të cilat krekosemi. Meqë nuk i ka realizuar me fuqinë e vet, ka mbetur në pozitë neokoloniale, veçmas Kosova, po edhe në pozitë inferiore si komb, në përmasat europiane”, shkruan profesori, transmeton gazeta “Bota sot”.

Lexojeni reagimin e Krasniqit:

Fuqia e pamjaftueshme dhe kriza e mendimit

Kosova nuk është çliruar nga fuqia e shqiptarëve, po nga NATO-ja dhe për këtë shkak, vazhdon të jetë e papranuar si shtet nga OKB-ja, nga BE-ja, nga OSBE-ja e madje edhe nga vetë NATO-ja.

Bile, tashmë janë hapur edhe projeksione ogurzeza për të ardhmen e saj, që mund të shkojnë edhe në drejtim të zhbërjes së saj si shtet.

E dyta, edhe demokracia është imponuar nga zhvillimet gjeopolitike në Europën Lindore, e jo si një proces i brendshëm i shoqërive shqiptare a i kombit shqiptar. Bile, dekontaminimi i elitave nga ideologjia marksiste dhe adresimi ligjor i krimeve të komunizmit, nuk kanë ndodhur ende, si ka ndodhur në shtetet e tjera të ish bllokut komunist.

Pra, kombi shqiptar nuk i ka realizuar me fuqinë e vet projektet, për të cilat krekosemi. Meqë nuk i ka realizuar me fuqinë e vet, ka mbetur në pozitë neokoloniale, veçmas Kosova, po edhe në pozitë inferiore si komb, në përmasat europiane.

Nga një pozicion dhe konfuzion i tillë, kombi ynë as nuk ka arritur që të formojë një mendim të përpunuar për atë që ka ndodhur. Prandaj, edhe mund të thuhet se kriza më e madhe aktuale e neve shqiptarëve si komb është kriza e mendimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat