Bulliqi i gatshëm qysh sot ta merr detyrën, kjo është puna e parë që do ta bëj

Aktuale

Bulliqi i gatshëm qysh sot ta merr detyrën, kjo është puna e parë që do ta bëj

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 17:09
Shpejtim Bulliqi

Pas 20 vitesh qeverisjeje, Lidhja Demokratike e Kosovës, humbi një nga bastionet më të fuqishme, Llapin.

Në zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme që u mbajtën më 29 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje mori komunën e Podujevës, me kandidat Shpejtim Bulliqin.

Kryetari i ri i llapjanëve, ka thënë se është i gatshëm ta merr qysh sot detyrën. Derisa thotë se tashmë me partinë e tij, kanë nisur takimet për ekipën e re.

“Po unë jam i gatshëm që sot ta marr detyrën e re, por duhet të presim cerifikimin e rezultateve nga ana e KQZ-së. Bashkë me kryesinë dhe shtabin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje kemi nisur takimet për ta vendosur ekipen e re e cila do të jetë me njerëz profesionistë dhe me integritet. Unë si kryetar i ri i Podujevës do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës pa diskriminuar askënd, si dhe do të raportoj vazhdimisht në kuvendin komunal për punët dhe projektet që presim t’i realizojmë”, ka thënë ai.

Bulliqi tutje ka shtuar se do të jetë bashkëpunues me Kuvendin Komunal, teksa tregon se cila do të jetë puna e tij e parë që do ta bëj si kryetar.

“Do të kem bashkëpunim të ngushtë me kuvendin komunal dhe do të ofrojë transparencë të plotë para kuvendit dhe qytetarëve. Për shkak të situatës që jemi me pandeminë Covid-19, puna ime e parë do të jetë të furnizojmë Qendrat e Mjekësisë Familjare me barna dhe materiale laboratorike dhe të përmirësojmë kushtet e tyre për t’i trajtuar pacientët e infektuar. Do të angazhohem bashkë me ekipin tim për një administratë funksionale që është afër qytetarëve për t’i trajtuar hallet dhe problemet e tyre, do të depolitizojmë arsimin, do të ndajmë subvencione transparente për bujq të vyer, do të ofrojmë shërbime shëndetësore cilësore e shumë punë të tjera në dobi të qytetarëve”.

Kujtojmë që Bulliqi arriti të fitojë pa balotazh, duke marrë 51.6 përqind të votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat