Palushi: Rasti i Arifit, mundësi ideale për Kushtetuesen që ta sqarojë mospërputhjen e neneve 45 dhe 70

Aktuale

Palushi: Rasti i Arifit, mundësi ideale për Kushtetuesen që ta sqarojë mospërputhjen e neneve 45 dhe 70

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 18:43
Kushtrim Palushi

Juristi Kushtrim Palushi vlerëson se rasti i deputetit Etem Arifi është mundësi për Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij kjo gjykatë duhet të sqarojë në këtë situatë nenet 45 dhe 70 të Kushtetutës së Kosovës lidhur me atë se kush ka të drejtë që të garojë në zgjedhje ose jo.

“Gjykata Kushtetuese ka para vetes mundësinë ideale që të sqarohet kjo çështje dhe kjo mospërputhje mes nenit 45 dhe 70 ku njëri nen lejon që të kandidojë edhe potencialisht edhe një person i dënuar për vrasje dhe me burgim afatgjatë ose të përjetshëm, kurse neni 70 thekson se një deputet i zgjedhur e humb mandatin automatikisht në rast se ai është dënuar për vepër penale mbi një vjet burgim”, është shprehur Palushi.

“Gjykata Kushtetuese medoemos duhet ta sqarojë se cila ka epërsi ndaj tjetrës dhe cila duhet të merret parasysh në rastin konkret. Është mundësi ideale për Gjykatën Kushtetuese që ta sqarojë kuptimin e këtyre dy dispozitave kushtetuese. Shoh që medoemos njëra prej këtyre dy dispozitave duhet të amandamentohet, sepse nuk mund të ketë dy dispozita që janë të kundërta me njëra-tjetrën”

Sa për seancën e sotme dëgjimore, Palushi ka potencuar se Përfaqësuesi i Qeverisë, avokati Besnik Berisha ka performuar më mirë se përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Artan Abrashi.

“Përgëzoj Gjykatën Kushtetuese për mënyrën si e ka menaxhuar seancën e sotme. Kemi parë një menaxhim efikas dhe një rregull i cili është respektuar, me përjashtmin e vogël kur pati ndërhyrje të përfaqësuesit të LVV-së. Në anën tjetër mbi performancën e pjesëmarrësve, kemi parë që shtytësit kryesorë, argumentet kryesore ose përballja kryesore ka qenë mes LVV-së dhe përfaqësuesit të Qeverisë duke argumentuar pozicione diametralisht të kundërta”.

“Në mendimin tim për aq sa kam vërejtur më mirë ka performuar përfaqësuesi i Qeverisë sesa ai i Lëvizjes Vetëvendosje. Për pjesëmarrësit tjerë, argumentet e tyre kanë qenë më tepër teknike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat