​Driton Selmanaj në seancë, deputetët e LVV-së thonë se po përmbahen në respekt të personave me aftësi të kufizuar

Aktuale

​Driton Selmanaj në seancë, deputetët e LVV-së thonë se po përmbahen në respekt të personave me aftësi të kufizuar

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 07:52

(E plotësuar 13:50) ​- Krerët e shtetit zotohen për gjithpërfshirje të personave me nevoja të veçanta

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani e shoqëruar nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj, kanë nënshkruar panon e zotimit për gjithëpërfshirje.

Në panon e zotimit për gjithpërfshirje nënshkrimin e tij e hodhi edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se Kosova ka bërë shumë pak për personat me nevoja të veçanta. Ajo kërkoi që fëmijët me nevoja të veçanta të kenë qasje në shkollë dhe në shërbimet shëndetësore.

Osmani tha se personat me nevoja të veçanta nuk duhet të shihen si barrë, por si potencial i jashtëzakonshëm për Kosovën.

Osmani: Kosova ka bërë shumë pak për personat me nevoja të veçanta

“Deri sot Kosova ka bërë shumë pak për të gjitha nevojat e veçanta dhe sot kemi një përqindje të madhe të fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund t’i marrin shërbimet shëndetësore për shkak të mungesës së qasjes dhe tani për shkak edhe të vështirësive në pandemi. Nuk mjafton të miratojmë ligjet dhe rezoluta e akte e vendime të tjera, por do të mjaftojë kur për të gjitha ato që zotohemi ta kthejmë në praktikë që rrugët tona të jenë të qasshme për personat që janë në karrocë, persona paraplegjik dhe tetraplegjik. Në mënyrë që shkollat tona, kabinetet e IT të jenë të qasshme për nxënësit e të gjitha moshave aftësive të kufizuar apo nevojave të veçanta, por mbi të gjitha ta luftojmë mentalitetin e izolimit të këtyre personave”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti u zotua për mbështetje nga Qeveria për personat me nevoja të veçanta. Kreu i ekzekutivit ofroi përkrahje të plotë për rezolutën e propozuar nga deputeti Fetah Rudi për adresimin e sfidave të personave me nevoja të veçanta.

Hoti: Të sigurojmë qasje të papenguar për personat me nevoja të veçanta

“Shoqëria e tregon humanizmin përmes kujdesit ndaj kategorive të veçanta. Jam i bindur që janë bërë sigurisht veprime konkrete gjatë këtyre viteve, por sigurisht e pranoj që nuk janë bërë mjaftueshëm besoj që kemi kompletuar bazën ligjore për këtë kategori të shoqërisë tonë. Sigurisht mbështetja buxhetore nuk ka qenë e mjaftueshme për ta zbatuar bazën ligjore e në veçanti veprimet konkrete që duhet t’i marrim edhe brenda institucioneve. Por edhe veprimet më elementare që duhet të jenë duke siguruar qasje të papenguar në të gjitha institucionet pa përjashtim në institucionet private dhe hapësirat publike për ata që kanë nevoja të veçanta”, tha Hoti.

Firmën e tij në panon e gjithëpërfshirjes e vendosi edhe ambasadori britanik Nicholas Abbott i cili tha se shteti i tij përkrah fëmijët me nevoja të veçanta përmes një projekti që synon qasje të barabartë në shërbime shëndetësore dhe arsimore.

Abbott: Britania e Madhe përmes UNICEF mbështet fëmijët me nevoja të veçanta

“Mbretëria e Bashkuar përmes UNICEF-it do të mbështesë fëmijët me nevoja të veçanta. Ne përkrahim me tablet-kompjuter dhe me angazhimin mësues- asistente. Kështu ne do të lehtësojmë procesin mësimor. Ne e dimë që ky grup mbetet ndër më të prekurit nga pandemia. Kjo mbështetje vjen në kuadër të projektit ku Mbretëria e Bashkuar ndihmon Kosovën në fushën e shëndetësisë dhe arsimit përmes ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Përmes këtij projekti ne synojmë që askush të mos mbetet prapa dhe të gjitha komunitetet të kenë mundësi të barabarta dhe qasje në shërbimet shëndetësore-arsimore pavarësisht COVID-19”, tha Abbott.

Ndërsa, Afrim Maliqi drejtor i HANDIKOS-it kërkoi që aftësia e kufizuar të shihet nga aspekti i të drejtave të njeriut e jo nga këndi i bamirësisë. Ai tha se fatkeqësisht këtë vit për personat me nevoja të veçanta nuk ka pasur ndonjë progres në shërbime.

Maliqi: Fatkeqësisht nuk mund të themi se këtë vit ka pasur ndonjë progres

“Fatkeqësisht, nuk mund të themi se këtë vit ka pasur ndonjë progres, pasi në gjithë këtë ka ndikuar edhe pandemia. Ne presim mbështetjen financiare nga institucionet për personat me aftësi të kufizuara, pasi shumë njerëz janë eliminuar nga këto skema dhe gjithashtu në pakon e dytë emergjente personat me aftësi të kufizuar nuk janë të përfshirë sikurse që kanë qenë në pakon e parë për ata që marrin nën shumën 100 euro”, tha Maliqi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, ku deputetët kërkuan nga Qeveria që të mos mohojë të drejtën e kësaj kategorie për punësim.

***

Zemaj: Planifikohet që pajisjet lëvizëse për personat me aftësi të kufizuar të mbulohen nga shteti

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se ka ende shumë për t’u bërë në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar. Në seancën e Kuvendit që u diskutua për këtë çështje, ai tha se për herë të parë planifikohet që pajisjet që shërbejnë për lëvizje, për këtë kategori, të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Këtu ai ka përmendur draft-udhëzimin që ka hartuar Ministria e Shëndetësisë në shtator të këtij viti, për përcaktimin e listës dhe llojet e pajisjeve falas për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas tij, shumë shpejtë i njëjti do të shkojë për aprovim në Qeverinë e Kosovës.

Zemaj: Për herë të par pajisjet lëvizëse për personat me aftësi të kufizuara do të jepen falas

“Për herë të parë planifikohet që për këtë kategori të qytetarëve tanë të Kosovës pajisjet që shërbejnë për lëvizje, parandalim e asistim të mbulohen nga shteti, përmes buxheti të Republikës së Kosovës. Ju njoftoj se bazuar në legjislacioni në fuqi të gjithë qytetarët që e kanë statusin e personit me aftësi të kufizuar lirohen nga participimet me pagesë në institucionet shëndetësore publike, në të gjitha nivelet për shërbimet që marrin.

Zemaj tha se ka ende shumë për të bërë në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, duke theksuar faktin që ende mundojnë shërbimet rehabilituese

***

Reçica: Institucionet janë përgjegjëse për garantimin e të drejtave për personat me aftësi të kufizuar

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se në Kosovë janë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara, shumë prej të cilëve presin përfshirje të barabartë në shoqëri.

Ai tha se për mirëqenien e tyre duhet të punohet më shumë, pavarësisht që ka pasur disa arritje në këtë drejtim.

Reçica: Institucionet janë përgjegjës për garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar

“Gjendja e tanishme e personave me aftësi të kufizuar nuk përmbush realizimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore në kushtet e barabarta me të tjerët, andaj si rrjedhojë të gjitha institucionet dhe shoqëria në përgjithësi janë përgjegjëse për garantimin e kësaj të drejte, e cila arrihet vetëm duke eliminuar çdo lloj pengese që krijon vështirësi në respektimin e parimit të mos-diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuar”, tha ai.

Reçica tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e programeve të mbështetjes financiare për këtë kategori.

Reçica: Infrastruktura e institucioneve për qasje të lehtë të personave me aftësi të kufizuara mbetet sfidë

“Sfidë për angazhimin e personave me aftësi të kufizuar në punë të rregullt është edhe ligji për zyrtarët publik sepse nuk parasheh ndonjë dispozitë të veçantë për personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë të afirmimit të të drejtave të tyre në kushte të barabarta për punësim në institucionet e administratë shtetërore. Përveç kësaj, sfidë tjetër mbetet infrastruktura e institucioneve për qasje më të lehtë të personave me aftësi të kufizuar në objekte zyrtare”, tha ai.

***

 ​Në debatin parlamentar që po zhvillon Kuvendi i Kosovës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, deputetët kërkuan nga qeveria që të mos mohojë të drejtën e kësaj kategorie për arsimi me punësim.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha se në sektorin privat ka fare pak persona me aftësi të kufizuar që janë të punësuar, derisa në publike raste të tilla numërohen në gishta.

Uka: Qeveritarët u kanë mohuar të drejtat fëmijëve me nevoja të veçanta

“Paturpësisht disa prej jush, e sigurisht për inate politike, keni mohuar të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta që të kenë asistent ndihmës dhe rrjedhimisht të ndjekin arsimin e rregullt. Por nuk i keni kursyer asnjëherë shpenzimet dhe lluksin për kabinetet enorme qeveritare”, tha ai.

Ai tha se fëmijët me aftësi të kufizuar do të mund të ishin pjesë e shkollimit të rregullt por institucionet qeveritare kanë dështuar të sigurojnë minimumin e mbështetjes që u mundësojnë atyre një të drejtë të tillë të garantuar me ligj.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti Frashër Demaj tha Qeveria e Kosovës duhet të rrisë kapacitetet për ofrimin e shërbimeve me personat e me aftësi të kufizuar.

Demaj: Qeveria të rrisë kapacitetet financiare për ofrimin e shërbimeve të përhershme për personat me nevoja të veçanta

“I rekomandoj Qeverisë së Kosovës të rrisë kapacitetet infrastrukturore, kuadrovike, e financiare për trajtimin efikas dhe ofrimin e shërbimeve të përhershme profesionale për këtë kategori shumë të rëndësishme të shoqërisë kosovare”, tha ai.

Besa Ismaili nga Partia Demorkatike e Kosovës tha se gjatë pandemisë me Covid-19, personat me aftësi të kufizuara janë afektuar në mënyrë disproporcionale.

Ismaili: Personat me nevoja të veçanta përballen me pabarazi në kujdesin shëndetësor

“Personat me nevoja të veçanta përballen edhe me shumë pabarazi në qasjen e kujdesin shëndetësor gjatë pandemisë për shkak të informacionit dhe mjediseve të paarritshme institucionale përfshirë këtu edhe udhëzime e protokolle mjekësore selektive që vetëm sa shtojnë diskriminimin me të cilin ata përballen, një praktikë premtuese do të ishte edhe krijimi i një grupi këshillimor për persona me nevoja të veçanta dhe me pjesëmarrjen e vet këtyre personave, për të këshilluar Qeverinë në çështje specifike të tyre”, tha ajo.

E sipas, Arbër Tolajt, nga grupi parlamentar AAK-PSD, propozim-rezoluta nga deputeti Fetah Rudi duhet të gjejë mbështetje të plotë pa përjashtim.

Tolaj: Problemi i aftësisë së kufizuar nuk është individual

“Problemi i aftësisë së kufizuar nuk është individual, por problem me natyrë komplekse politike, sociale dhe financiare njëkohësisht, Flasim për situatë sfiduese jo vetëm pata, por për familjen, institucionet dhe vet shoqërinë. Pavarësisht vështirësive të gjithë ne obligohemi të përmirësojmë cilësinë e jetës së personave me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa deputetja nga grupi Nisma-AKR, Arbëreshë Krasniqi, tha se do të përkrahin rezolutën e propozuar nga deputeti Fetah Rudi.

Krasniqi: Kemi bërë pak në përkrahjen e personave me aftësi të kufizuar

“Për ne që sot jemi këtu, sigurisht që krejt çka do të mund të bënim, do të duhej të bënim por kemi bërë pak, dhe sot u ftoj juve që bashkërisht me ne të jeni kërkuar edhe ndaj neve, edhe ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, që të bëhet më shumë për juve si kategori”, tha ajo.

Seanca sot po mbahet me inicim të deputetit Fetah Rudi, për të diskutuar rreth të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Ditën Ndërkombëtare të tyre.

***

12:00 Në seancën e veçantë që po mbahet në Kuvendit e Kosovës, në shënimin e ditës së personave me aftësi të kufizuara, është parë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Dirton Selmanaj, për të cilin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes kishin deklaruar se nuk do ta lejojnë brenda sallës së Kuvendit.

Por nga ky grup parlamentar u tha se “po përmbahen për shkak të respektit për personat me nevoja të veçanta”.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha se Driton Selmanaj po abuzon me ditën e personave me nevoja të veçanta.

Uka: Për Diton Selmanaj po përmbahemi për shkak të respektit për personat me nevoja të veçanta

“Ne pamë më herët prezencën e Drtion Selmanajt këtu, Dritoni po abuzon me këtë ditë të veçantë, respekti për personat me nevoja të veçanta na bënë që të përmbahemi por rikujtojmë kudo që është që është i padëshiruar në këtë Kuvend”, tha ai.

Deputetët e Vetëvendosjes ditë më parë kanë deklaruar se nuk do të lejojnë Drtion Selmanajn të jetë present në seancat e Kuvendit të Kosovës, pas rastit kur me të njëjtin ishin përplasur për çështjen e personave për pagjetur.

Debati mes tyre ishe zhvilluar pasi zëvendëskryeministri kishte refuzuar të raportojë në komisionin parlamentar për të pagjeturit, me arsyetimin se e njëjta temë ishte ezauruar me raportimin e kryeministrit Avdullah Hoti.

***

Rudi: Kuvendi të ofrojë qasje për personat me aftësi të kufizuar

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, deputeti Fetah Rudi ka iniciuar debat parlamentar për të diskutuar rreth të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe zbatimit të tyre. Në fjalën e tij para deputetëve, ai përmendi faktin që për një vit është ngjitur në sallën e seancave plenare me ndihmën e zyrtarëve të Kuvendit, meqë institucioni ligjvënës nuk kishte ofruar qasje të lehtë në objekt për personat me aftësi të kufizuar.

Por tani në Kuvend po përfundon puna e vendosjes së liftit për qasje për përdoruesit e karrocave, për në hapësirat e sallës së Kuvendit ku mbahen seancat plenare. Për këtë Rudi ka falënderuar kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin.

Rudi: Zyrtarët e Kuvendit për 1 vit më ndihmuan të ngjitëm me karrocë në sallën e seancave

“Një falënderim të veçante e kam për të gjithë ata zyrtarë e punëtorë që për një vit rresht më bartën shkallëve për të ardhur në Kuvend. Vendosja e këtij lifti po bëhet për mua por do t’i shërbej Kuvendit dhe personave me aftësi të kufizuar që në legjislaturat e ardhshme do të jenë deputetë, kryetar Kuvendi, president, kryeministra e ministra. Nga mungesa e deritanishme e këtij lifti mësuam se Kuvendi duhet t’i rishikoj ligjet për t’i hequr burrokracitë ligjore. Ndërsa të gjithë ne si deputetë, qeveria dhe zyrtarët duhet të veprojnë me kohë që të rregullohet qasja e personave me aftësi të kufizuar se edhe ashtu është obligim ligjor”, tha ai.

Ai tha se duhet rregulluar edhe hapësirat brenda sallës në mënyrë që objekti të jetë i qasshëm për personat me aftësi të kufizuar.

Rudi u ka bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin veprimet e duhura për t’u ofruar qasje personave me aftësi të kufizuar, në të kundërtën po bëjnë diskriminim.

Ai ka prezantuar edhe një rezolutë, të cilën u ka kërkuar deputetëve që ta votojnë në përfundim të debatit të sotëm.

Rudi: Kuvendi i Kosovës të miratojë rezolutë për personat me aftësi të kufizuar

“Kuvendi i Republikës së Kosovës deklaron përkushtimin për përmirësimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Republikë ne Kosovës, me këtë pikë të rezolutës do të deklarohet përkushtimi i Kuvendit të Kosovës se do të përkrahë dhe do të ketë shumë kujdes për përfshirjen e të drejtave të përsonave me aftësi të kufizuar në iniciativat e amandamenteve kushtetuese dhe projektligjeve të ndryshme. Inkurajohen institucionet e autorizuara që të propozojnë amendamente kushtetuese për përfshirjen e konventës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në nenin 22 të Kushtetues së Republikës së Kosovës si instrument ndërkombëtar i zbatueshëm drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndër të tjerë në rezolutë thuhet se viti 2022, shpallet vit i personave me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës, ku institucionet duhet të ndërmarrin iniciativa për të përmirësuar gjendjen e personave me aftësi të kufizuar që të arrihet barazia.

***

Deputeti Uka: Institucionet që 20 vite nuk kanë bërë asgjë për personat me nevoja të veçanta

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka në seancën e Kuvendit për personat me aftësi të kufizuara, ka thënë se është e pamjaftueshme që për këta persona të flasim vetëm në një ditë siç është data 3 dhjetor.

Uka ka thënë se mbështetja për personat me nevoja të veçanta nuk duhet të kufizohet vetëm në një datë.

“Ne duhet të tregojmë mirëkuptim dhe mbështetje për të gjitha nevojat e veçanta. Në kohën kur ne po flasim për këto nevoja ka një të vërtetë se institucionet tash e 20 vjet nuk kanë bërë asgjë. Nuk kemi ende statistika të sakta për numrin e personave me nevoja të veçanta”, tha Uka.

Uka shtoi se atyre ju eliminohet e drejta elementare që është shkollimi e pastaj edhe punësimi.

“Disa prej jush e për inate politike, keni mohuar që fëmijët me nevoja të veçanta të kenë asistentët dhe të arsimohen. Institucionet qeveritare kanë dështuar të sigurojnë minimum e mbështetjes për këta fëmijë” tha deputeti Uka.

Ai shtoi se në një shtet si është Kosova më së shumti e pësojnë kategoritë e cenueshme.

***

Në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për drejtat e personave me aftësi të kufizuara, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se 3 dhjetori është ditë për të kuptuar sa është dëshmuar e gatshme shoqëria kosovare për të përfshirë këtë kategori në të gjitha organizimet në vend. Osmani tha se Kosova ka bërë jashtëzakonisht pak në garantimin e një jetë të dinjitetshme për personat me nevoja të veçanta.

Para disa mysafirëve, persona me aftësi të kufizuara dhe deputetëve të Kuvendit që ishin pak në numër që kishin vendosur të marrin pjesë në seancë, Osmani tha se personat me aftësi të kufizuara janë një potencial i jashtëzakonshëm, veçse duhet t’u ofrohen mundësi e të drejta të barabarta.

Osmani: Kemi bërë jashtëzakonisht pak për personat me aftësi të kufizuara

“Mesazhi i qartë për të gjithë ne këtu është që kemi bërë pak, kemi bërë jashtëzakonisht shumë pak për t’u garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë, dhe ndryshe nga çdo komunitet tjetër, aftësia e kufizuara tejkalon të gjitha identitetet, gjininë, racën, klasën socio-ekonomike, fenë, kombësinë, çdo çështje, prek jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara, shpesh në margjina shumë më të mëdha sesa grupet tjera. E sidomos këtë vit, problemet e lindura gjatë pandemisë po prekin në mënyrë disproporcionale personat me nevoja të veçanta, përfshirë këtu sfidat e qasjes në kujdesin shëndetësor, impakti në shëndet i virusit Covid-19, qasja në arsim dhe papunësia tepër e lartë”, tha ajo.

Ajo shtoi se shteti i Kosovës ende nuk ka të dhëna për numrin e personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në Kosovë.

E sipas kryetares së Kuvendit, pa statistika nuk mund të ketë politika të mirëfillta.

Osmani: Ne po ua mohojmë fëmijëve me nevoja të veçanta mundësinë për punësim

“E nëse këta 38 mijë fëmijë nuk janë në shkollë, ne, ne dhe vetëm ne, po ua mohojmë atyre mundësinë për punësim, mundësinë për pavarësim, mundësinë për integrim, jetë të dinjitetshme e shkollim e punësim me dinjitet. Është e pafalshme që edhe kur fëmijët me nevoja të veçanta e kanë fatin të ndjekin mësimin në shkollë, ata vazhdojnë të jenë të kufizuara në hapësirë sepse kush nuk e ka marrë mundin t’u sigurojë këtyre fëmijëve një lift apo pjerrina që ata të kenë qasje në kabinete apo hapësira shkollore në katin e dytë apo të tretë”, tha Osmani.

Në ditën e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Osmani tha se është e pafalshme që vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuar vijojnë mësimin në shkolla publike në Kosovë, ndërkohë që 90% e tyre kanë mbetur jashtë shkollave.

Sipas Osmanit, sfidat me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara janë reflektim i dështimit të shoqërisë kosovare për t’u siguruar atyre mundësi të barabarta.

***

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën për personat me aftësi të kufizuara ka thënë se shteti i Kosovës ka bërë fare pak që këtyre personave tu sigurojë një jetë të dinjitetshme.

Osmani ka thënë se sfidat me të cilat ballafaqohen këta persona, janë reflektim i dëshmimit tonë si shoqëri për t’iu ofruar atyre të drejta të barabarta.

“Kjo është një ditë për të reflektuar në atë se sa punë kemi bërë ne si Kuvend dhe sa i ka zbatuar ekzekutivi ato që i kemi votuar ne. Kemi bërë fare pak për tu garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë”, tha Osmani.

Osmani tutje shtoi se edhe problemet e lindura gjatë pandemisë po i prekin edhe personat me nevoja të veçanta.

Kryeparlamentarja e quajti fatkeqësi që ende nuk kemi të dhëna të sakta se sa persona me aftësi të kufizuara jetojnë në Kosovë.

“Kosova ende nuk e ka marrë mundin që të identifikoj numrin e këtyre personave. Pa statistika nuk mund të ketë politika të mirëfillta. Është e pafalshme që përafërsisht vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara vijojnë mësimin në shkollat publike e diku 90% kanë mbetur jashtë shkollave”, tha Osmani.

Ajo shtoi se atyre po ua mohojmë të drejtën për arsim, punësim e jetë të dinjitetshme.

“Ne dhe vetëm ne po ua mohojmë atyre mundësinë për punësim, arsim. Është e pafalshme që ata edhe pse vijojnë mësim në shkolla vazhdojnë të jenë të kufizuar në hapësira për shkak të mungesës së ndonjë lifti apo pjerrtësinë që ata të mund të lëvizin brenda hapësirave shkollore”, tha Osmani.

Osmani shtoi se kemi lënë shumë për të dëshiruar si vend.

10:35 Debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara

Kuvendi i Kosovës mban debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. 

​Sot Kuvendi me seancë të veçantë

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, e cila ditë u vendos me rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. E që qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies si dhe rritja e ndërgjegjësimit.

E me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, HANDIKOS mban Konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë.

Ndërkaq me këtë rast do të mbahet edhe seancë e veçantë në Kuvendin e Kosovës.

Rend dite e seancës është “Debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”.

Seanca do të filloj në ora 10:00.

Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Aftësi të Kufizuar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ambasadori britanik Nicholas Abbott dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat