“Dënim për kriminelin”-Protestohet kundër uljes ndaj dënimit të Tasiq për krime lufte

Aktuale

“Dënim për kriminelin”-Protestohet kundër uljes ndaj dënimit të Tasiq për krime lufte

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 12:34
Protesta

“Duam drejtësi”, “Dënim për kriminelin”, “Krusha nuk fal gjak”, janë mbishkrimet që ishin vënë në pankartat që mbanin në duar banorët e Krushës së Madhe e të Vogël të cilët protestuan para objektit të Pallatit të Drejtësisë paraditen e së enjtes. Protesta e banorëve erdhi pasi Gjykata e Apelit përgjysmoi dënimin ndaj Darko Tasiqit i dënuar për krime lufte nga 22 vjet në 11.

Familjarët e viktimave të luftës thonë se përgjysmimi i dënimit ndaj Tasiq është e padrejtësi që iu është bërë familjarëve. Madje ky përgjysmim i dënimit thonë t’i kenë mërzitur ata.

Kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti thotë se ata dolën të protestojnë në shenjë revolte për uljen drastike e dënimit ndaj Tasiq.

Hoti: Ne shprehim revoltën tonë për uljen drastike të dënimit të kriminelit Darko Tasiq

“Ne sot bashkë me familjarët nga Krusha e Madhe dhe e Vogël kemi ardhur këtu para Pallatit të Drejtësisë për të shpreh revoltën tonë dhe pakënaqësisë sonë me rastin e uljes në mënyrë drastike të dënimit të kriminelit Darko Tasiq i cili është përgjegjës dhe jo vetëm ai por bashkë me serbët lokal dhe gjithë aparatin shtetëror për krimet që i kanë bërë. Ne do të futemi brenda me një grup prej familjarëve dhe do flasim me kryetarin dhe shohim çfarë do të na thotë. Më pas shohim çka do të na thotë”, tha ai para mediave”, tha ai.

Revoltën ndaj uljes së dënimit ndaj Tasiq e ka shprehur edhe përfaqësuesja e fshatit Krushë e Vogël, Shpresa Shehu.

Shehu: Jemi të indinjuar me uljen e dënimit

“Ende nuk i dina eshtrat e 68 personave. Nëse 21 vite ne po presim për me i varros e zhvarros dhe mënyra tjera si kanë vepruar me më ta dashurit tonë. Ne jemi ardhur këtu për të kërkuar drejtësi, e ata nuk janë gjendje me ardh para familjarëve me i fol dy tri fjalë, e kjo është edhe një padrejtësi tjetër ndaj neve përveç asaj që është padrejtësia më e madhe që i është përgjysmuar dënimi kriminelit Darko Tasiq. Ne jemi të indinjuar, jemi të shqetësuar, jemi të mërzitur, nuk di as cilat shprehje t’i themi për ato ndjenja shpirtërore që kemi e që krimineli as dënimin e mjaftueshëm nuk e ka pas për krimet që ka bërë në fshatin tonë dhe fshatrat përreth. Padrejtësi shumë e madhe është ulja e dënimit por edhe tash mënyra se si nuk janë në gjendje kryetari i gjykatës apo përfaqësues me dalë këtu”, është shprehur Shehu.

Ndërkaq ajo theksoi edhe se dënimi i përgjysmuar është fyes dhe brengosës për ta.

Shehu: Dënimi i përgjysmuar është i papranueshëm

“Ata që kanë bërë krime aq të mëdha edhe ato fshihen, gjitha dëshmitë tona janë fsheh. Ne kemi dhënë dëshmi që 20-21 vite kemi dhënë dëshmi, sa shumë dëshmi kanë gjitha ato dëshmi janë fsheh...Dënimi i përgjysmuar është krejt e papranueshme. Gjithherë i kemi mësuar këto politika, shkalla e parë, shkalla e dytë e vjen deri te ulja e dënimit. Por dënimi përgjysmë është shumë i papranueshëm, është shumë fyes, brengosëse dhe shqetësuese”, potencoi Shehu.

Familjarët e viktimave të luftës kishin protestuar për dënim të ulët ndaj Tasiq edhe kur ai ishte dënuar me 22 vjet burgim.

Ndërkaq Gjykata e Apelit ditë më parë nëpërmjet një komunikate për media njoftoi se ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit Darko Tasiq.

“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj. I akuzuari, është dënuar nga Gjykata e Apelit më 11( njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. Sapo të jetë i gatshëm, aktgjykimi do t’iu dërgohet palëve sipas procedurave të parapara me ligj dhe do të publikohet i edituar në faqen zyrtare të gjykatës”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat