LVV e prerë, nuk merr pjesë në takimet për president, deputeti Bajqinovci tregon qëndrimin e partisë së tij

Aktuale

LVV e prerë, nuk merr pjesë në takimet për president, deputeti Bajqinovci tregon qëndrimin e partisë së tij

Nga: D.RR Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 14:43
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në emër të partisë së tij për gazetën “Bota sot” ka konfirmuar se ata nuk marrin pjesë në tryezën që do të organizohet për të diskutuar postin e presidentit.

Ai thotë se propozimet e partive politike për presidentin e ri janë jounifikuese dhe jokushtetuese, sepse po kërkojnë që presidenti të jetë partiak.

Bajqinovci thotë se LVV-ja konsideron se presidenti nuk i takon askujt.

“Rreth takimit, në fakt vetë PDK-LDK-AAK nuk po pajtohen për presidentin, sepse të gjitha po e kërkojnë presidentin sipas preferencave të tyre. Ata kanë nevojë për tryeza të diskutimit, jo ne. Ne po themi që presidenti nuk i takon askujt. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe kuvendi i ri të diskutojë për kriteret përcaktuese për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, e që do të duhej të ishte unifikues. Propozimet që i kemi dëgjuar deri tash se pari janë figura jounifikuese, e së dyti janë propozime jokushtetuese sepse po kërkojnë që presidenti të jetë partiak”, ka thënë Bajqinovci për “Bota sot”.

Sipas tij, deklaratat e partive politike janë pazarllëqe, e jo unitet i shumëpërfolur.

“AAK thotë me këmbëngulje se ajo tashmë ka kandidatin e saj dhe nuk përkrahë ndonjë tjetër; PDK thotë se nuk ka votë për ndonjë kandidat tjetër pos nga radhët e saja; kurse LDK thotë se ky institucion i takon PDK-së. Pra të gjitha subjektet, në përjashtim të LVV-së, unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë më kandidatin e tyre. Kështu nuk krijohet uniteti i shumëpërfolur, kështu bëhen vetëm pazarllëqet”, tha tutje Bajqinovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat