​Protestuesit nga Krusha e krahasojnë kryetarin e Gjykatës së Apelit me Darko Tasiq

Aktuale

​Protestuesit nga Krusha e krahasojnë kryetarin e Gjykatës së Apelit me Darko Tasiq

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 16:31
Foto nga vendi i ngjarjes

Protestuesit nga Krusha e Madhe dhe e Vogël, gjatë protestës u përplasen edhe me kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shala. Të njëjtit e kanë krahasuar atë, Darko Tasiqin, për të cilin kanë shprehur pakënaqësitë për uljen e dënimit. Shala ka ftuar familjarët që të hyjnë brenda për të biseduar rreth vendimit të Apelit, por të njëjtit nuk kanë pranuar.

Familjarë të viktimave sot kanë protestuar në Prishtinë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për përgjysmimin e dënimit prej 22 vitesh ndaj kriminelit serb Darko Tasiq.

Kryetari i kësaj gjykate, i ka ftuar ata në takim për të biseduar rreth këtij vendimi, por që të njëjtit nuk kanë pranuar.

Shala: Ejani brenda nëse dëshironi të bisedojmë

“Jam përkrah shqetësimeve tuaja, nëse jeni të interesuar me bisedu më gjerësisht, urdhëroni ejani një grup sa doni prej pesë deri në 10, ejani ju jap një sqarim që është i nevojshëm. Kaq kam të them. Jam përkrah shqetësimeve tuaja, por me bisedu për aktgjykim, për me bisedu për çështje të tjera, urdhëroni ejani”, tha ai.

Por protestuesit i kërkuan që të bisedojnë jashtë. Derisa, Arsim Shehu nuk u bind që të hyjë brenda, tha se Tasiq ia ka vrarë familjarët, dhe për këtë kryetari i Gjykatës së Apelit theksoi se nuk ka asnjë provë se ai është vrasës.

Shala-protestuesve: Nëse doni në këtë mënyrë me bisedu, unë vetëm iu përshëndes

“Jo brenda. Me popullin jashtë... Që dy orë këtu ne, e ti pesë minuta priton me dal jashtë. Pse a keni të ftohtë me dal jashtë. ‘Jo unë nuk e kom ftohtë hiç, pse dola jashtë’... Po nuk keni arsye me dal, se nuk keni fytyrë. ‘Nëse doni në këtë mënyrë me bisedu me mua, atëherë unë vetëm ju përshëndes. Nëse doni, urdhëroni ejani. Kadal, kadal çdo gjë është transparencë. Transparenca ka me qenë maksimale. Tash ka me u publiku aktgjykimi brenda një ore....Me asnjë provë nuk është e vërtetuar se ai është vrasës, tash vërtetoje ti”, u tha në këtë protestë.

Derisa protestuesit kanë bërë thirrje për “Drejtësi”, ata janë përplasur me kryetarin e Gjykatës së Apelit, duke e krahasuar me, siç thanë ata, kriminelin Darko Tasiq.

Shehu: Ti si ai je, i njëjtë je

“Pse me bisedu ne me ty, kur ti ja përgjysmove dënimin, ti prapë e bën krimin e radhës, se ti si ai je, i njëjtë je. Mëkat është, marre, turp është. I përgjysmohet dënimi kriminelit. Kriminelit i cili i ka kall krejt eshtrat e Krushës së Vogël, i ka gjuajtur në Dri, qe çfarë gjykate kemi ne, qe çfarë kryetari del, çfarë transparente kemi në gjykatat tona. Vijnë nënat e Krushës së Vogël me marrë një mendim, ai thotë hajde brenda. Thua ti ne këtu jemi, si kafshë na konsiderojnë. Deri në këtë pikë ne kemi arritur”, foli ai.

Arsim Shehu tha se banorët e Krushës së Vogël nuk e njohin këtë gjykatë.

Shehu: Ne nuk e njohim këtë gjykatë

“Për Krushën e Vogël nuk vlen kjo gjykatë. Është marre, turpi i mbuloftë. Gjaku i atyre të vrarëve i mbuloftë këta, dhe gjyqtarët të cilët e kanë përgjysmuar dënimin”, shtoi Shehu.

Kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti tha se nuk kanë pse të hyjnë brenda në takim me kryetarin e Gjykatës së Apelit, duke shtuar se nuk janë të ndikuar nga politika.

Hoti: Nuk kemi ardhur të bëjmë spektakël politik

“Ne këtu nuk kemi ardhur as të bëjmë spektakël politik, as nuk na ka qu asnjë parti. Na kanë dërguar nënat tona, motrat tona, vetja jonë sepse kemi hall. Nuk kemi ardhur këtu për mall, se nuk ka ra malli as për gjykata, as për gjyqtarë. Andaj iu lutem, mos të provoj dikush të keqpërdor këtë protestë, se ne jemi bashkë që 21 vite. Do të vazhdojmë së bashku duke kërkuar kësaj radhe edhe prej institucioneve, ata njerëz janë vrarë për këtë shtet që ne sot e gëzojmë. Bile dikush shumë më mirë se sa na”, ka deklaruar ai.

Gjykata e Apelit ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i dënuar për krime lufte, nga 22 vjet në 11. Kjo gjykatë, përmes një deklarate për media, ka thënë se e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit Darko Tasiq.

Më 22 qershor të këtij viti, Tasiq është shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit. Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Prizren, Tasiq ishte shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat