VV-ja i reagon LDK-së, PDK-së dhe AAK-së për presidentin: Ja kush duhet ta zgjedhë

Aktuale

VV-ja i reagon LDK-së, PDK-së dhe AAK-së për presidentin: Ja kush duhet ta zgjedhë

Nga: A.Zh Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 18:45
Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj

Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdon të këmbëngul që presidenti i ri të zgjidhet nga Kuvendi, pas zgjedhjeve nacionale.

Zëdhënësi i VV-së Përparim Kryeziu, duke i reaguar AAK-së, PDK-së dhe LDK-së, ka thënë se këto parti, unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë me kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre.

VV-ja insiston se presidenti nuk është pronë dhe as nuk i takon askujt, përcjell Bota sot.

Reagimi i Kryeziut në Facebook:

Nuk kalon ditë që klubi i vjetër politik nuk demaskohet. Kësaj radhe, rendin e ka “kërkesa dhe nevoja për unitet” rreth çështjes së presidentit.

Po për çfarë uniteti, rreth kujt dhe për çka?

AAK thotë me këmbëngulje se ajo tashmë ka kandidatin e saj dhe nuk përkrahë ndonjë tjetër, e madje për të kërkon edhe “votë veresi”.

PDK thotë se nuk ka votë për ndonjë kandidat tjetër pos nga rradhës e saja, dhe se pas presidentit Thaçi ka ardhë “koha të nderohet me një kandidat tjetër për president”.

LDK, e tmerruar nga zgjedhet e reja, kërkon shpëtim gjetiu teksa thotë se ky post i takon PDK-së.

Si përfundim, të gjitha subjektet, në përjashtim të LV-së, unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë më kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre. Pra po kërkohet unitet rreth ambicieve dhe interesave të tyre, dhe rreth një qasjeje krejt jokushtetuese pasi të gjitha po synojnë presidentin përmes një kandidati partiak.

Nuk mund te ketë unitet, pa legjitimitet. Veçanërisht jo rreth figurave të vjetra e partiake. Prandaj, ne insistojmë që presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Ai nuk është pronë. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, sipas disa kritereve që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit unifikues e përfaqësues të unitetit e popullit.

Edhe për këtë dilemë, zgjidhjen e gjejmë tek zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat