“Armiqësia Kosovë-Serbi nuk do të mbyllet në të ardhmen” - ja çka paralajmëron profesori

Aktuale

“Armiqësia Kosovë-Serbi nuk do të mbyllet në të ardhmen” - ja çka paralajmëron profesori

Nga: A.Morina Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 21:39
Milazim Krasniqi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi ka folur rreth raportit Kosovë - Serbi dhe dialogut në mes tyre. Krasniqi u shpreh se armiqësia me Serbinë nuk është mbyllur dhe nuk ka gjasa që të mbyllet as në të ardhmen.

Sipas tij, e vetmja mundësi për të arritur marrëveshje është nëse Bashkimi Evropian ofron një pako për pranimin e të dyja vendeve në BE.

Krasniqi foli edhe për provokimet e Serbisë, ku sipas tij, NATO-ja nuk do të lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës.

"Prandaj NATO-ja nuk do të lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës, sepse në atë rast kriza do të përfshinte edhe tre shtete anëtare të saj, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi", shkroi Krasniqi në facebook, përcjell "Bota sot".

Postimi i plotë

Armiqësia me Serbinë nuk është mbyllur dhe nuk ka gjasa që të mbyllet as në të ardhmen, në kuadrin ku po kërkohet mbyllja e armiqësive, në procesin e tashëm të Brukselit. E vetmja mundësi për të arritur një mbyllje të tyre është nëse Bashkimi Evropian ofron një pako për pranimin e të dyja vendeve në BE, paralelisht me arritjen e marrëveshjes. Por, pakoja e tillë duhet të përjashtojë çfarëdo mundësie të rishikimit/korrigjimit të kufijve. Ajo mund të akomodojë serbët në veriun e Kosovës, me një zgjidhje me elemente të “rregullimit të rajoneve” e asgjë më shumë. Në këtë aspekt, Kosova nuk ka pse ngutet për ndonjë marrëveshje të pafavorshme me Serbinë. Kosova ka pozitë më të mirë se sa Serbia në statu quo: e para, ngase Serbia është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian dhe asaj i ngutet të kompletojë procesin, ndërsa Kosova është shumë më larg. E dyta, Kosova tashmë ka në prapavijën e vet tre shtete të reja anëtare të NATO-s, të banuara me shqiptarë, të cilat do të destabilizoheshin nga konflikti eventual Kosovë-Serbi. Prandaj NATO-ja nuk do të lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës, sepse në atë rast kriza do të përfshinte edhe tre shtete anëtare të saj, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kjo rrethanë i jep Kosovës hapësirë më të gjerë manovruese edhe për marrëveshjen finale, sepse Kosova është në anën e NATO-s, ndërsa Serbia nën influencën direkte të Rusisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat