Makolli nga Kizhevaku: Dyshojmë se në Serbi ka disa varreza masive me trupa civilë të vrarë e të zhdukur

Aktuale

Makolli nga Kizhevaku: Dyshojmë se në Serbi ka disa varreza masive me trupa civilë të vrarë e të zhdukur

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 18:29
Ibrahim Makolli

Tash e pesë vjet, në Kizhevak të Serbisë janë kërkuar mbetjet mortore të atyre personave që u vranë e u zhdukën gjatë luftës. Një muaj më parë, prej kur është zbuluar kjo varrezë masive, me ndihmën e fotografimeve të Kryqit të Kuq, atje po qëndrojnë ekspertë nga Kosova të cilat kanë marrë pjesë gjatë procesit të zhvarrimit të mbetjeve mortore. Nga aty delegacioni i Kosovës, të premten ka bërë thirrje për mos-politizim, duke shtuar se ekzistojnë dyshime se ka edhe shumë varreza masive në territorin e Serbisë.

Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Kosovës ka vizituar sot lokacionin e varrezës masive në Kizhevak afër Rashkës, ku kryetari i delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli, dhe ai i delegacionit të Serbisë, Veljko Odaloviq, kanë monitoruar nga afër gërmimet në këtë pjesë.

Kryetari i delegacionit të Kosovës theksoi se bazuar në deklaratat e udhëheqësve të Serbisë, dyshohet se ka edhe varreza tjera masive brenda territorit të Kosovës.

Makolli: Vetë ekzistenca e kësaj varreze masive dëshmon planifikimet nga ana e kreut të atëhershëm shtetëror

“Vetë ekzistenca e kësaj varreze masive këtu dëshmon për planifikimet nga ana e kreut të atëhershëm shtetëror në planifikimet e vrasjeve dhe zhdukjeve të njerëzve me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit. Sikurse u tha, angazhimet nuk do të ndalohen deri në zbardhjen përfundimtare të fatit të të gjithë personave të zhdukur. Ne dyshojmë po ashtu në mbështetje të deklaratave të politikanëve në Serbi, që ekzistojnë edhe disa varreza masive brenda territorit të Serbisë, të cilat dyshohet se mund të ketë trupa të civilëve të vrarë, dhe të mbartur brenda këtij territori”, deklaroi ai.

Veç tjerash, ka theksuar se tash e pesë vjet janë duke punuar në lokalizimin e këtij vendi. Ndërkohë, shtoi se tash e dy dekada, po angazhohen që të gjejnë eshtrat e secilit person të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ai ka treguar se gjatë kësaj kohe kanë hulumtuare dhe brenda territorit të Kosovës, ku është dyshuar për lokacionet me eshtra të civilëve shqiptarë.

Makolli: Ky proces është mjaft kompleks

“Është një proces jashtëzakonisht kompleks, dhe në këtë kuadër kërkojmë përpos angazhimit dhe mbështetjes së familjarëve të të zhdukurve, të cilët mund të na ofrojnë informata të besueshme përkitazi me lokacionet e mundshme, po ashtu edhe nga të gjitha ata të cilët mund të posedojnë ndonjë informatë të tilla, përmes së cilave mund të na mundojnë neve të lokalizojmë vendet ku mund të ketë persona të zhdukur”, theksoi ai.

Kryetari i delegacionit të Kosovës ka bërë thirrje edhe për mos-politizim të këtij procesi, meqë sipas tij, kjo çështje është humane dhe duhet trajtuar si e tillë.

Makolli: Ta ruajmë këtë proces nga politizimi

“Këtë proces ta ruajmë nga politizimi, është një çështje krejtësisht humane dhe do ta trajtojmë si të tillë. Por, që natyrisht gjithë ata të cilët janë fajtor për vrasjen dhe zhdukjen e tyre, duhet të marrin dënimin nga drejtësia. Detyrë e jonë si grup punues, si autoritete është që të zbardhim fatin e personave të zhdukur, të identifikojmë dhe t’ua dorëzojmë familjarëve mbetjet mortore”, ka thënë Makolli para gazetarëve.

Makolli ka njoftuar se në këtë lokacion po qëndrojnë autoritetet e Kosovës, përfshirë ekspertët e mjekësisë ligjore të cilët që nga fillimi do të qëndrojnë aty për gjetjet në këto varreza.

Snezhana Matejiq, specialiste e forenzikës që drejton ekipin mjeko-ligjor serb, tha se "kjo do të jetë punë e vështirë për shkak të terrenit dhe kushteve të motit".

Matejiq: Do të jetë vështirë nga kushtet e terenit dhe motit

“Do të jetë vështirë nga kushtet terenit dhe motit si dhe ne nuk mund ta injorojmë situatën aktuale epidemiologjike, tani për tani ne mbajmë gjithçka nën kontroll, dhe me të vërtetë të gjithë së bashku punojmë për të bërë atë që krejt çka është pas nesh të jetë në dispozicion të publikut dhe veçanërisht për ata që përmenda në fillim dhe ato janë familjet e personave të zhdukur, të gjitha detajet do të paraqesim sigurisht plotësisht transparente. Ne do ta bëjmë procesin e plotë publik nëse hasim në të dhëna që profesionalisht do te konfirmohen do të thotë fjala e ekspertëve është fjala e fundit, fjala e ekspertit është ajo që jep të vërtetën e plotë dhe identifikimin përfundimtar dhe emrat e atyre që gjinden aty”, tha ajo.

Në Kizhevak afër Rashkës në Serbi janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

Gjatë ditës Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar se deri më tani kanë zbuluar pesë varreza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat