Tolaj: AAK dha kontribut të madh për Ligjin e Rimëkëmbjes

Aktuale

Tolaj: AAK dha kontribut të madh për Ligjin e Rimëkëmbjes

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 00:33
Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj

Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj, ka thënë se projektligji i aprovuar sot për rimëkëmbje ekonomike më shumë është për qytetarët se sa për Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se kjo ka qenë tejet e nevojshme sepse do të përfitojnë qytetarët  dhe bizneset private dhe se në kuadër të këtij ligji partia e tij ka dhënë një kontribut të çmuar, duke qenë se, siç u shpreh, janë aprovuar tre amandamente të propozuara nga AAK.

Sipas Tolajt, qëllimi i këtyre amandamenteve është që të nxitet prodhimi në sektorin privat, të ruhen vendet e punës dhe të kemi edhe punësime të reja.

Ndërsa sa i përket 10 përqindëshit që do të ndahet nga Trusti, deputeti tha se kjo është zgjidhja optimale sepse idealja kërkon kohë dhe procedura e procese tjera.

Ai po ashtu e ripërsëriti faktin që si Aleancë të parët e kanë nominuar Ramush Haradinajn si kandidat për postin e presidentit të vendit dhe se kanë qenë korrekt në lidhje me qëndrimin e tyre.

“Janë disa faktorë që mendoj se janë determinues dhe përcaktojnë edhe rëndësinë e kandidimit të Haradinajt për president dhe arsyeshmërinë pse ai duhet të përkrahet: faktori unifikues në vend, pastaj tre herë radhazi ka dëshmuar për pastërtinë e luftës së UÇK-së, pastaj si kryeministër i vendit ka marr disa vendime që asnjë qeveri e pasluftës nuk i ka ndërmarrë, siç është krijimi i ushtrisë, pavarësinë energjetike nga Serbia, ligjin e Trepçës dhe është një garancë kombëtare për stabilitet të vendit dhe rajonit”, deklaroi Tolaj.

Tolaj foli edhe rreth vaksinave antiCOVID-19, për të cilat tha se do ta ndërronin gjendjen e të gjithë globit në kuptimin pozitiv dhe i bëri thirrje publike të gjithëve që kanë mundësi që të mos hezitojnë dhe të vaksinohen sepse kjo, siç tha, do ta rris imunitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat