Këto janë fjalët e Shpejtimit Bulliqit pas betimit si kryetar i Podujevës

Aktuale

Këto janë fjalët e Shpejtimit Bulliqit pas betimit si kryetar i Podujevës

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 10:31
Shpejtim Bulliqi

(E plotësuar 13:29) - Zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 29 nëntor nxorën fitues, Shpejtim Bulliqin nga Vetëvendosje.

E sot, Shpejtim Bulliqi në një ceremoni solemne ai u betua dhe nënshkroi deklaratë për marrjen e detyrës së të parit të komunës së Podujevës.

Me të nënshkruar deklaratën ai foli edhe si kryetar i komunës së Podujevës, me ç’rast premtoi që detyrën e tij të kryetarit do ta bëjë me besnikëri e në mënyrë të paanshme.

Bulliqi: Betohem se do t’i kryej detyrat me përgjegjësi të plotë

“Unë Shpejtim Nazmi Bulliqi, betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia, si kryetar i komunës së Podujevës, me nderë, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushte për jetë të qetë për të gjithë”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi ka thënë se tani ka përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të Podujevës, për t’i shërbyer këtij komuniteti, dhe se është ndjenjë e lartë e përgjegjësisë, duke llogaritur edhe pritjet e qytetarëve për qeverisjen e kësaj komune.

Bulliqi: Kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve

“Sot unë marrë përgjegjësi të lartë që më besuat nga qytetarët e Podujevës, për t’i shërbyer një komuniteti e një rrethinë të vendit tonë [...]Krahas kësaj nuk mungon edhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë që kemi unë dhe bashkëpunëtoret të mi, kur i llogarisim pritjet e qytetarëve të Podujevës, për modelin e shërbimit që ata presin nga ne dhe për të cilin na kanë besuar”, ka thënë Bulliqi.

Ai tutje tha edhe se do ta drejtojë një komunë e cila ka nxjerr emra të mëdhenj në të gjitha proceset e Kosovës.

Bulliqi: Llapi ka dhënë emra të mëdhenj për Kosovën

“Me bashkëpunëtorë dhe me profesionist të dëshmuar të Llapit do të drejtojmë një komunë dhe një komunitet që ka nxjerrë emra të mëdhenj në të gjitha proceset e jetës shoqëroro-politike, kombëtare, kulturore, shkencore, e sportive. Një komunë dhe një komunitet që ashtu siç e ka dashur puna dhe detyra e atdheut tonë, i është përgjigjur sic është më së miri... Llapi i ka dhënë Kosovës emra si Adem Demaçi, e Shaban Shala [...]Afrim Zhitia, Ali Ajeti dhe Zahir Pajaziti [...]Enver Maloku dhe Gjemajl Mustafa [...]Avdush Hasani.. ne i kemi dhënë vendit sportist si legjenda Fadil Vokrri e Favzi Rama”, ka thënë Bulliqi.

E pas ceremonisë së betimit dhe nënshkrimit të deklaratës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ia dorëzoi detyrën Shpejtim Bulliqit.

***

Ka filluar seanca solemne e pranim-dorëzimit të detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës.

Seanca ka filluar me himnin kombëtar dhe atë shtetëror, raporton KOHA, ndërkaq kryetari Shpejtim Bulliqi e ka dhënë betimin.

Kryesuesi i kuvendit komunal, Fatmir Gashi ka kërkuar që të respektohen masat kundër Covid-19, pasi në sallë është një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës janë mbajtur më 29 nëntor, fitues i të cilave ka dalë Shpejtim Bulliqi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat