Qytetarët e Kosovës më optimistë se serbët për paqe mes tyre

Aktuale

Qytetarët e Kosovës më optimistë se serbët për paqe mes tyre

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 20:43
Harta e vendeve të Ballkanit Perëndimor, fotografi nga arkivi.

Shumë serbë dhe një përqindje e konsiderueshme e kosovarëve nuk e kanë shumë të qartë se cili është objektivi i shteteve të tyre respektive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon një hulumtim i kryer në Kosovë dhe Serbi, nga Qendrat për Studime të Sigurisë.

Sipas anketimeve, 31 për qind e kosovarëve dhe mbi 50 për qind e serbëve të anketuar kanë deklaruar se nuk e dinë se çfarë janë synimet në dialogun i cili po ndërmjetësohet nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Rezultatet e hulumtimit u prezantuan në një konferencë virtuale të organizuar nga Instituti për Politikë të Jashtme i Universitetit John Hopkins, me seli në Baltimore, të shtetit federal Meriland në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është pasqyrë e asaj si njerëzit e shohin dialogun, pasi në këtë formë iu është prezantuar nga qeveritë e tyre, e që shumica janë të mbyllura në këtë proces”, vlerësoi në analizën e tij, Nikola Burazer, drejtor i programit në Qendrën për Politikë Bashkëkohore, me seli në Beograd.

Sipas të dhënave të publikuara, mbi 48 për qind e serbëve e shohin si zgjidhje të vetme kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, duke ia ofruar një autonomi të gjerë, ndërkaq mbi 76 për qind e kosovarëve presin që zgjidhja finale të jetë njohja e ndërsjellë.

Në të dyja vendet, qytetarët e mbështesin vazhdimin e dialogut, por shumica prej tyre e konsiderojnë atë jotransparent.

Po ashtu, shumica dërmuese e të anketuarve janë shprehur kundër idesë për shkëmbim territorial. Në Kosovë vetëm 6 për qind e mbështesin këtë ide, ndërkaq në Serbi vetëm 4.2 për qind.

Ndërkaq, 9 për qind e kosovarëve e mbështesin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

‘Mosbesim i madh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve’

Mbi 72 për qind e të anketuarve në Serbi, nuk besojnë se do të arrihet marrëveshje e paqes ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkaq, 49 për qind e të anketuarve në Kosovë, besojnë se kjo është e mundshme.

Edward Joseph nga Universiteti John Hopkins, e vlerësoi shqetësues faktin se 20 vjet pas përfundimit të luftës, kosovarët dhe serbët kanë ende këtë shkallë mosbesimi ndërmjet tyre.

“Nëse e shohim që një përqindje kaq e lartë e njerëzve janë kategorikisht kundër mundësisë që fëmijët e tyre të edukohen nga mësues të kombësisë serbe ose shqiptare, është shumë shqetësuese”, tha Joseph.

“Duhet të marrim si shembull pozitiv atë çfarë arritën Maqedonia e Veriut dhe Greqia”, shtoi ai.

Joseph iu referua të dhënave të hulumtim, ku mbi 80 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe Serbi janë kundër mundësisë që fëmijët e tyre të edukohen nga mësues që nuk i përkasin kombësisë së tyre.

Po ashtu, shumica dërmuese janë kundër martesave të përziera.

Kush janë “miqtë dhe armiqtë” e Kosovës dhe Serbisë?

Kosovarët e shohin SHBA-në si aleaten më të rëndësishme, pasuar nga Gjermania dhe Shqipëria. Madje, në këtë sondazh, shumica e të anketuarve konsiderojë se ndihma kryesore për luftimin e pandemisë së koronavirusit, ka ardhur nga SHBA-ja. Ky rezultat ka befasuar Edward Joseph, nga Universiteti John Hopkins.

“Duhet ta them se është ironike se si kosovarët e shohin SHBA-në si kontribuuesen më të madhe në kohën e pandemisë, kur SHBA-ja në njëfarë mënyrë kontribuoi në ndërrimin e qeverisë në kohë pandemie”, tha ai.

Ndërkohë, në këtë hulumtim kosovarët janë pyetur se si e vlerësojnë rolin e përfaqësuesit special të presidentit amerikan në dialog, Richard Grenell. Nga të anketuarit, 33 për qind e kanë vlërsuar deri diku të mirë, 26 për qind të mirë dhe 27 për qind jo të mirë.

Në Serbi, aleatet kryesore llogariten Rusia, Kina dhe Greqia, ku Kina konsiderohet si kontribuuesja më e madhe në Serbi për menaxhimin e krizës me COVID-19.

Serbët e shohin Kroacinë si armikun më të madh, pasuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja.

“Fakti që SHBA-ja nuk është në krye të listës së armiqve të perceptuar, ka të bëjë me faktin se shumë veta në Serbi e kanë parë administratën (e presidentit Donald) Trump si me të butë në raport me Serbinë dhe çështjen e Kosovës. Nëse bëhet tash një sondazh i ri me këtë pyetje, pas fitores së Joe Biden, besoj se rezultati nuk do të jetë i njëjtë”, tha Vuk Vukasnoviq, hulumtues i raportit nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Në Kosovë ndërkaq, shtetet më armiqësore konsiderohen Rusia dhe Kina.

Anëtarësimi në BE

Shumica e serbëve (51 për qind e të anketuarve) mendojnë se Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në BE, ndryshe nga kosovarët që besojnë se do të jenë pjesë e këtij institucioni.

Serbët e anketuar po ashtu në masë të madhe janë në favor të fuqizimit të raporteve me Rusinë dhe Kinën, e vetëm një çerek i tyre favorizojnë raporte më të ngushta me BE-në.

Anketimet në Serbi dhe Kosovë janë bërë në fillim të tetorit.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nisi më 2011. Ky proces, që ka për qëllim normalizimin e raporteve mes dy shteteve, u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës, vendosi taksë prej 100 për qind ndaj produkteve nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina. Më pas taksa u pasua me reciprocitet. Por, me të marrë detyrën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, hoqi të gjitha masat, me qëllim që t'i jepej shans vazhdimit të dialogut.

Dialogu në Bruksel rinisi në korrik të këtij viti, ku u mbajtën takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Takimi i korrikut u pasua nga një takim në shtator, por që atëherë, palët nuk janë takuar. Lidhur me mosmbajtjen e raundeve të reja të bisedimeve në nivelin e lartë politikë, BE-ja është arsyetuar me situatën që ka të bëjë me pandeminë e koronavirusit të ri./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat