Zyrtarja e MSh-së raporton pa praninë e mediave, Rashiq javën e ardhshme

Aktuale

Zyrtarja e MSh-së raporton pa praninë e mediave, Rashiq javën e ardhshme

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 15:17
Pamje nga takimi

Para anëtarëve të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Kosovës, sot ka dëshmuar Afërdita Hoxha, ushtruese e detyrës së drejtoreshës të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Shëndetësisë.

Intervistimi i saj është bërë me dyer të mbyllura, meqë e njëjta ka kërkuar një gjë të tillë, duke e arsyetuar me pozitën e shërbyesit civil.

Pas përfundimit të këtij komisioni, kryetarja Mimoza Kusari-Lila tha se është diskutuar për ligjshmërinë e vendimeve të ministrit Vitia.

Kusari-Lila: Pyetjet kanë qenë të fokusuara pse ish-ministri Vitia duhej të nënshkruante lirimin nga qendra-karantinë

“Kemi bërë pyetje në lidhje me ligjshmërinë e vendimeve të ministrit Vitia. Kryesisht pyetjet kanë qenë në raport me vendimet që lidhen me periudhën e pandemisë. Pyetjet më tepër ishin të fokusuara gjatë vendimeve, pse ministri apo ish-ministri Vitia duhej të nënshkruante lirimin nga qendra karantinë. Përgjigjet ishin se ishin bërë në bazë të udhëzimeve dhe praktikave të mëhershme nga vendet tjera, por gjithashtu edhe në bazë të udhëzimeve të IKShP, përkundrejt faktit që ishte një ngarkesë shtesë për ish-ministrin, por gjithashtu edhe për faktin se ka qenë hera e parë që Kosova dhe e tërë bota ishte ballafaquar me një pandemi të kësaj natyre”, ka thënë ajo.

Në këtë komision, sipas saj, ka pasur një koordinim të mirëfilltë në mes të Zyrës Ligjore të ministrit, ndërkohë që ka njoftuar se raportimi i ish-udhëheqësit të Zyrës për Komunitete në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Nenad Rashiq, është shtyrë për një ditë tjetër.

Kusari-Lila: Rashiq do të vie në komision javën e ardhshme

“Është paraparë që Nenad Rashiq të vie në komision për javën e ardhshme besoj. Arsyet kanë qenë të pranueshme, për mos ardhjen e tij kësaj here. Jemi në kohë pandemie dhe situatat po ndryshojnë. Njëjtë e kemi situatën me shefin e Zyrës së Prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilit i urojmë shërim të shpejtë”, shtoi ajo.

Kusari-Lila shtoi se puna me këtë komision nuk është e lehtë, por që u zotua se po bëhet më e mira e mundshme për të hetuar menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat