Tanin flet për gjendjen me pandeminë në Kosovë: Të ndërmirren masa shtesë për rimëkëmbjen

Aktuale

Tanin flet për gjendjen me pandeminë në Kosovë: Të ndërmirren masa shtesë për rimëkëmbjen

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 09:46
Zahir Tanin

Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, kërkon që të drejtat e njeriut të jenë në qendër të reagimit dhe rimëkëmbjes ndaj pandemisë COVID-19

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, rithekson përkushtimin e OKB-së për mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe palëve të tjera me interes në përpjekjet e tyre për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke përfshirë edhe brenda kontekstit të pandemisë COVID-19.

Në këtë aspekt, Tanin vë në pah rolin kryesor të të drejtave të njeriut në reagimin ndaj pandemisë COVID-19 dhe në rimëkëmbjen prej saj në mënyrë që të dalim më mirë nga pandemia, e cila ka ndikuar në realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në mënyrë joproporcionale ka prekur komunitetet dhe personat që gjenden në situata të cenueshme.

Duke ritheksuar thirrjet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, ai inkurajon institucionet e Kosovës dhe të gjitha palët relevante që të vendosin të drejtat e njeriut në qendër të të gjitha përpjekjeve të reagimit dhe rimëkëmbjes, si dhe që të marrin parasysh nevojat e ndryshme që kanë meshkujt, gratë, djemtë dhe vajzat.

Pandemia ka shpërfaqur pabarazitë ekzistuese dhe nevojën e theksuar për t’i kushtuar më shumë vëmendje komuniteteve dhe personave në situata të cenueshme. Ai më tej fton për ndërmarrjen e masave shtese të synuara të rimëkëmbjes për trajtimin e ndikimit të pandemisë në Kosovë, duke përfshirë edhe aspektin e realizimit të të drejtave ekonomike dhe sociale.

“Duke marrë parasysh që bota është duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut gjatë pandemisë, Kosova ka mundësinë unike për të shfrytëzuar të drejtat e njeriut si udhëzues për menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen prej saj, si dhe për t’u siguruar që komunitetet dhe personat në situata të cenueshme të mos lihen anash”, tha PSSP Tanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat