Ibrahim Kelmendi në Speciale e akuzon Xhavit Halitin: Bashkë me Nait Hasanin, Rexhep Selimin dhe Sokol Bashotën...

Aktuale

Ibrahim Kelmendi në Speciale e akuzon Xhavit Halitin: Bashkë me Nait Hasanin, Rexhep Selimin dhe Sokol Bashotën...

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 19:27
Ibrahim Kelmendi dhe Xhavit Haliti

Ndihmat financiare, të grumbulluara në Fondin VTH, nga dhjetori 1993 deri në mars 1998, i ka zhvatur kryesisht Xhavit Haliti. Një pjesë simbolike e tyre iu kanë shkuar Nait Hasanit, Rexhep Selimit e Sokol Bashotës, sa për të na mashtruar se po e financonin UÇK-në, ndërsa grupet guerile, që vërtet ishin bërthama të UÇK-së, janë privuar nga ato ndihma financiare. Këtë sabotazhë e kemi kuptuar qysh në verë të vitit 1996, kur komandantë të grupeve guerile kanë kërkuar ndihma financiare te familjarët dhe shokët e tyre, në emigracion, sidomos nga ata që ishin angazhuar në Lëvizje, Nëndega në Gjermani. Pas burgosjes së Nait Hasanit dhe Bislim Zogajt, ai SHQ e ka humbur edhe funksionalitetin e deriatëhershëm.

Pra, shpërthimi kryengritës, pas barbarisë së forcave serbe ndaj familjes së Jasharëve në Prekaz, më 5-7 mars 1998, na ka gjetur pa asnjë shtab, pos atij fiktivit, që e simulonin Xhavit Haliti dhe Azem Syla, për t’i zhvatur ndihmat financiare që grumbullonim e jepnim për UÇK-në.

2.2. Meqë nuk kishim shtab, që do të koordinonte e komandonte shpërthimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë, Kryesia e Lëvizjes (e emigracionit) u shpërngul nga Perëndimi në Tiranë, për të improvizuar shtabin. Kryetar i Kryesisë ishte Fazli Velia, nënkryetar Muhamet Kelmendi, sekretar Emrush Xhemajli, arkëtar Gafurr Elshani. Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla e Rexhë Iberdemaj ishin anëtarë. Kryesia praktikisht në mars 1998 e zhbëri SRV-në. Ajo Kryesi improvizoi rolin e shtabit deri nga mesi i prillit 1998. Financat e Fondit vazhdonte t’i grabiste Xhavit Haliti, i cili ia kishte dalë t’i mashtronte e t’i shpërdoronte kryetarin e Këshillit të Fondit, Jashar Salihun, dhe disa veprimtarë kryesorë të Fondit.

Nga mesi i prillit 1998, kur Kryesia provoi t’i diciplinonte Xhavitin dhe Azemin, që t’u përmbaheshin vendimeve, Xhaviti i kërcënoi kolegët dhe shokët e tij të deriatëhershëm që të iknin nga Shqipëria.

Isha i pranishëm kur e bëri atë kërcënim. Ai shpërdoroi lidhjet e tij me kryeministrin kuisling të Shqipërisë, bixhozgjiun e inkriminuar Fatos Nano...

Nga ajo Kryesi unë isha ngarkuar me detyrën e përkujdesjes për oficerët e ish Ushtrisë jugosllave, JNA, që ishin dëshmuar në luftërat në Slloveni, Bosnjë, Kroaci, dhe që tani donin të inkuadroheshin në UÇK. Ata, në mungesë të shtabit, prisnin në Tiranë dhe askush nuk ua tregonim të vërtetën – se UÇK-ja nuk kishte shtab që të vendoste për sistemim të ushtarakëve që prisnin, për hir të diciplinës ushtarake.

Por nga mesi i prillit 1998 edhe ata e kuptuan se nuk kishte shtab, prandaj u futen në Kosovë, në mënyrat që i gjeten më të përshtatshme, dhe iu bashkuan UÇK-së, kryesisht në krahinat ku e kishin vendlindjen.

Ata ushtarakë filluan t’i rreshtonin kryengritësit për t’i bërë ushtarë, që pranonin të komandoheshin, duke krijuar, kështu, edhe zanafillën e Shtabit të Përgjithshëm në Kosovë, bashkë me komandantët e zonave, që përpiqeshin ta koordinonin e komandonin luftën, në kuadër të kapaciteteve modeste ushtarake që i kishin. Ndër ‘ta u shqua dhe u faktorizua, ekstra, koloneli Bislim Zyrapi, i cili, në mesin e majit 1998, i është bashkuar UÇK-së.

2.3. Xhavit Haliti dhe Azem Syla, pasi i dëbuan anëtarët e tjerë të Kryesisë, u përqëndruan në zhbërjen e Sektorit të logjistikës në Shqipëri, të cilin e kishin formuar, që nga viti 1992, vëllezërit Adrian e Ilir Krasniqi, Qerim Kelmendi dhe bashkëluftetarët e tyre.

Pas vrasjes së Zahir Pajazitit, më 31 janar 1997, Zona Operative e Llapit e dërgon Ilir Konushevcin / “Mërgimi” në Shqipëri, për të organizuar furnizimin e UÇK-së me armë e municion. Iliri, bashkë me Qerim Kelmendin / “Dema” dhe Naim Hazirin / “Dilaveri”, tashmë, po e menaxhonin Sektorin logjistik në Shqipëri.

Kërcënimet ndaj tyre, Xhaviti dhe Azemi i konkretizuan dhe i vulgarizuan, nga fundi i marsit 1998, sidomos kundër Qerimit dhe Ilirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat