Sindikata e punëtorëve: LVV-ja po tenton destabilizimin e RTK-së

Aktuale

Sindikata e punëtorëve: LVV-ja po tenton destabilizimin e RTK-së

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 21:45
Foto Ilustrim

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka reaguar ndaj propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e bordit të RTK-së.

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e konsideron ndërhyrje direkte mocionin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për shkarkimin e Bordit të RTK-së.

Në një reagim për media, SP e RTK-së, thekson se nuk ka asnjë praktikë në vende demokratike ku një parti politike merr kësi hapash që e dëmtojnë pavarësinë editoriale të mediumit publik dhe fjalën e lirë në Kosovë.

Reagimi i plotë

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së

Kryesia e SPERTK-së

Reagim

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e konsideron ndërhyrje direkte mocionin e propozuar nga Vetëvendosje për shkarkimin e Bordit të RTK-së. Nuk ka asnjë praktikë në vende demokratike ku një parti politike merr kësi hapash që e dëmtojnë pavarësinë editoriale të mediumit publik dhe fjalën e lirë në Kosovë.

Sindikata e kundërshton ashpër këtë ndërhyrje, kinse në emër të çkapjes së RTK-së.

Sindikata ka disa pyetje për të gjitha partitë në Kuvendin e Kosovës:

– Pse që 20 vjet nuk miratoni ligjin për RTK-në?

– Pse nuk e ndihmoni RTK-në për ndërtimin e objektit të ri?

– Pse nuk garantoni përmes ligjit, ngritjen e buxhetit dhe pavarësimin e financimit të RTK-së?

Këto çështje duket se nuk u pëlqejnë sepse e forcojnë mediumin publik dhe u pamundësohet ndërhyrja në RTK.

VV edhe vitin e kaluar ia ka hequr RTK-së 2.3 milionë euro nga buxheti pa asnjë të drejtë ligjore, duke ndërhyrë kështu direkt në pavarësinë e saj.

Në vend që partitë politike ta miratojnë ligjin për RTK-në, ato na shtyjnë drejt përballjes më kërcënime dhe forma joligjore e antikushtetuese që kanë qëllim defunksionalizimin e këtij mediumi.

Ne kemi dilema se me këto veprime, VV ka qëllim destabilizimin e RTK-së.

Ua bëjmë me dije të gjitha partive politike se nuk do ta lejojmë shkatërrimin e RTK-së.

Nëse këto tendenca nuk ndalen, do të grumbullohemi të gjithë punëtorët e RTK-së para Kuvendit të Kosovës.

Sindikata do të bashkëpunojë me cilëndo forcë politike që ka për qëllim ta ndihmojë mediumin publik, duke filluar nga miratimi i ligjit, dhe për çfarëdo çështjeje që ndikon në përmirësimin e kushteve të punës, derisa ky bashkëpunim nuk prek pavarësinë editoriale të RTK-së.

Ua bëjmë me dije të gjitha subjekteve politike se Sindikata është në mbrojtje të mediumit publik e jo të ndonjë grupi, ndërsa i dënon të gjitha format e presionit dhe ndërhyrjes në RTK.

Distancohemi nga çdo veprim i dëmshëm ose nga çdo pretendim që mund të kenë partitë politike për ndërhyrjen në punën e RTK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat