Ibrahim Kelmendi rrëfehet në Speciale, ja detajet e rënda që zbulon për Hashim Thaçin

Aktuale

Ibrahim Kelmendi rrëfehet në Speciale, ja detajet e rënda që zbulon për Hashim Thaçin

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 19:31
Ibrahim Kelmendi dhe Hashim Thaçi

2.4.5. Hashim Thaçi

Në verë të vitit 1994, në mbledhje të KP-së të Lëvizjes, në Zvicër, e kam takuar e njohur, për herë të parë Hashim Thaçin. Dy vjet më herët, për Hashimin u informova nga shoku i tij, Fisnik Cuka, kryetar i Lidhjes së studentëve të Universitetit të Kosovës, tani me banim në Cyri / Zvicër)38.

Ai ishte ardhë për vizitë në Gjermani. E takova në Hamburg, në banesën e Muhamet Elshanit. Fisniku e lavdëroi ekstra Hashimin, duke e prezantuar edhe si prorektor-student (në atë kohë, pozitë e lartë udhëheqëse në Universitetin e Kosovës, që duhej të sigurohej me notat më të mira).

Por Fisniku tregoi edhe se Hashimi dhe Genc Kelmendi (nipi i xhaxhait tim, tani mjek në Gjermani) ishin zënë fizikisht kur ishte përzgjedhë prorektori-student, sepse Genci, si student që i kishte nota më të larta, e pretendonte atë pozitë. Edhe Genc Kelmendi, kur erdhi në Gjermani, ma pat rrëfyer atë zenkë, duke shtuar se Hashim Thaçi e kishte falsifikuar certifikatën e notave dhe e kishte shpërdoruar organizimin klandestin të Lëvizjes, dhe, kështu, e kishte grabitur atë pozitë.

Në ndërkohë, sidomos nga bashkëveprimtarët emigrantë, që ishin nga ana e Drenicës, dëgjoja se Gani Thaçit, vëllai më i moshuar i Hashimit, e kishte një kafehane në Skenderaj, që ishte eksponuar si “qerdhe” e RDB-së serbe, për grumbullimin e informatave dhe për rekrutimin e spiunëve.

Për këtë arsye, dyshimi se autoriteti i vëllait më të moshuar të tij, kishte ndikuar që edhe Hashimi të rektutohej nga RDB-ja serbe, më dukej shumë i logjikshëm. Meqenëse Hashimi në atë kohë nuk ia doli të imponohej si autoritet në Lëvizje, nuk e takova më, deri në fund të marsit apo në fillim të prillit 1998. Hashimin mund ta kem parë edhe gjatë M5P të Lëvizjes, në vitin 1995, në Zvicër, por nuk më kujtohet të kem komunikuar me të.

Dëshmova edhe më herët se në fund të marsit apo në fillim të prillit 1998, Hashimi dhe Kadriu i kam takuar në Tiranë, ku më lutën që t’i takoja me vëllain tim, Qerimin, i cili iu duhej, sepse ishte afirmuar e mitizuar si ushtari i parë i UÇK-së, i plaguar në sulme guerile kundër policisë së Serbisë (1996). Herën tjetër, pas disa muajve, po në Tiranë, i kam takuar rastësisht Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Ramiz Lladrofcin. Më ftuan të pija një kafe, në një lokal në afërsi. Aty po i priste Sabit Geci, të cilin nuk e njihja, por kisha dëgjuar për të, prej bashkëvendësve të tij.

“Përse takoheni kaq publikisht me këtë kriminel?! Doni që qëllimisht ta komprometoni UÇK-në?!”, i pyeta Hashimin, Kadriun e Ramizin. “Me njeh që po më akuzon për kriminel?”, ma ktheu Sabiti qetësisht.

“Të njoh vetëm sipas rrëfime të bashkëvendasve tu, por nëse nuk je kriminel, të kërkoj falje. Megjithëkëtë, meqë të ka dal nami për kriminel, ti vetë do të duhej t’u thoshe këtyre që të mos takoheshin në lokale kaq të eksponuara, në qendër të Tiranës...”, iu përgjigja Sabitit.

Takimi i radhës me Hashimin duhet të ketë qenë në maj 1999, kur ai ishte për “vizitë” në Gjermani. E kishim mysafir edhe në banesën tonë në Këln. Bilall Sherifi më pat lutur t’ia blenim Hashimit një kostum.

Shkuam në “Kaufhof” dhe i blemë dy kostume e disa gjëra të tjera dhe i paguam me kartë bankare të Fondit VTH, xhirollgarinë e të cilit e kishim në Sparkasse Bonn.

Pas takimit të Thaçit me ministrin e jashtëm gjerman, Z. Joschka Fischer, patëm organizuar edhe konferencë shtypi, nëBundespressehaus në Bonn. Para konferencës u morëm vesh që Hashimi të mos fliste fare në gjermanisht, meqë nuk dinte të thoshte qoftë vetëm një fjali, pa gabime. Përkthyes dhe konferncier caktuam Sabri Kiçmarin. Hashimin e bindëm që, nëse në shqip bën ndonjë gabim, gjatë përkthimit, Sabriu mund ta rigjonte.

Kur Sabriu ia dha fjalën Thaçit, si “drejtor politik” i UÇK-së dhe si “kryeministër” i Kosovës, Thaçi e “harroi” marrëveshjen që ai duhej të fliste vetëm shqip dhe, si delirant që ishte, filloi belbëzimin e tij gjermanisht. Në konferencë kishte shumë gazetarë. Ishte për keqardhje, kur ata, të neveritur nga belbëzimet e Hashimit, ikën nga konferenca.

Takimi tjetër me Hashimin më ndodhi në qershor 1999. Disa ditë para Samitit ndërkombëtar për Kosovën, mbajtur në Këln, nën patronatin e Kancelarit gjerman, Gerhard Schrëder, Sabri Kiçmari më pat lutur t’ia rezervoja Hashimit qëndrimin në një hotel, për ditët sa do të zgjatte ai Samit. Shkova në “Maritim”, hoteli më i madh në atë qytet. Kur ia tregova datat për rezervim, recepcionisti më tha se i tërë hoteli ishte rezervuar nga Kabineti i Kancelarit Schrëder, për delegacionet e shteteve pjesëmarrëse në Samit.

Krejt spontanisht i thash se edhe kryeministri shqiptar është i ftuar në samit dhe, kështu, e bëmë rezervimin. I siguruam edhe ID-Card, për
hyrje në hotel, gjatë ditëve të samitit. Kur Hashim Thaçi dhe Bilall Sherifi arriten në Aeroportin Këln/Bonn, policia kufitare gjermane na njoftoi se Hashimi e ka të ndaluar hyrjen në Gjermani. Na u dashtë të bënim disa telefonata për ndërhyrjen e Ministrisë së jashtme gjermane, në lejimin e hyrjes së Hashimit në Gjermani.

Sapo hymë në hotel dhe Hashimi e Bilalli u ngjiten në dhomat e rezervuara, në holin e hotelit, m’u drejtua një person, që nuk e njihja. Më përshëndeti dhe m’u prezentua gjermanisht, duke ma thënë mbiemrin. Kur i thash se nuk po e njihja, ai qeshi, duke me thënë se është shok i Hashimit, dhe u habit pse Hashimi nuk më kishte informuar për ardhjen e tij.

Ma dha edhe kartëvizitën. Ishte Arnaud Danjean... (të cilin e prezantova edhe më herët). Menjëherë filluam të grindemi me francezin Danjean, për vardisjen e tij, si shef i DGSE-së franceze, e cila atëherë ishte pothujase më serbofile se RDB-ja e Serbisë. Ajo grindje zgjati goxha, meqë Hashimi e Bilalli u vonuan derisa zbritën në holin e hotelit.

E ndërpremë grindjen kur ata erdhën dhe na u bashkëngjiten në tavolinë. Hashimit nuk i pat ardhë mirë që më rastisi ta njihja konkretisht eprorin e tij, Z. Danjean.

Digresion:

Gjatë gjithë kohës, sa kishte zgjatur Konfenca e Rambujesë, nga 6 deri më 23 shkurt 1999, Z. Danjean, i kamufluar si “këshilltar” e si “shok”, i ka qëndruar mbi kokë Hashimit. Ai ka ndikuar në imponimin e Hashim Thaçit, si kryetar i Delegaciont të Kosovës në Konferencën e Rambujesë; ai ka komanduar që Hashimi të refuzonte nënshkrimin e „marrëveshjes“ – për ta barazuar, në faj, Delegacionin e Kosovës me Delagacionin e Serbisë; ai ka komanduar nënshkrimin e “marrëveshjes” me psudo presidentin Ibrahim Rugova - për Hashimin kryeministër të qeverisë së përkohshme. [Këto komplote edhe ne idiotët e Lëvizjes i propagandonim si suksese të Hashimit...]

Kur amerikanët, gjermanët, anglezët, e kuptuan se DGSE-ja e kishte urdhëruar marionetën Thaçi, të mos e nënshkruante „marrëveshjen“, e bindën Presidentin e Francës, Jacques Chirac që të ndërhynte te DGSE-ja, tash për ta urdhëruar marionetën Thaçi që ta firmoste më 15 mars 1999 në Paris “Marrëveshjen e Rambujesë”.40Ajo zvarritje, mbi tre-javore, e nënshkrimit të marrëveshjes, ia pat mundësuar Serbisë të dislokonte ekstra trupa shtesë të ushtrisë dhe të policisë së saj në Kosovë që ta sforconin terrorin serb mbi popullatën civile shqiptare.

Fatkeqësisht, komplotet e z. Thaçi vazhduan edhe pas luftës, ndër të cilat, dy komplote ishin kryesore: I pari, simulimi i armiqësisë me Ibrahim Rugovën, për moskompletimin e “qeverisë së përkohshme”, të imponuar nga DGSE-ja franceze dhe RDB-ja serbe, dhe të firmosur nga kuislingët Thaçi e Rugova, të krekosur, sikur vetëm ata dy kishin kompetenca, edhe për aso marrëveshjeje; I dyti, nxitja e armiqësive politike në mes të të ashtuquajturve “krahu i luftës” dhe “krahu pacifist”.

Ky skenar, i sajuar nga shërbimet armiqësore, duhej të ndikonte në zhgënjimin e persaonaliteteve, partive, qeverive, që e kishin ndihmuar Kosovën, për sfidimin e agresivitetit fashistoid të Serbisë millosheviqiane.

Nxitja e armiqësive politike në vend, duhej të shkonte deri në atë shkallë, sa t’i hidhëronte e zhgënjente edhe shtetet vendimmarrëse për ndërhyrje të Aleancës NATO – për evitimin e katastrofës humanitare në Kosovë...

Fatkeqësisht, francezët nacionalistë, që kishin kapur Ushtrinë e Francës edhe DGSE-në e saj, na goditën edhe më rëndë sesa invadimi i ushtrisë ruse. Tash, serbofili Arnaud Danjean, si epror i kryeshefit të UNMIK-ut, z. Bernard Kouchner, ishte angazhuar që gjatë qershorit 1999, ta “çlironte” veriun e Kosovës nga UÇK-ja, duke e bërë atë vatër të nacionalizmit fashistoid serb. Kontribut të madh në terren - për komplotin e Ushtrisë franceze, në qershor 1999, ka dhënë edhe marioneta Hashim Thaçi...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat