“Dënoni krimet serbe!”, kërkesa që Vjosa Osmani i bëri Shqipërisë: Kur zërat tanë të bashkohen, mund të kumbojnë mjaftueshëm

Aktuale

“Dënoni krimet serbe!”, kërkesa që Vjosa Osmani i bëri Shqipërisë: Kur zërat tanë të bashkohen, mund të kumbojnë mjaftueshëm

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 12:07
Foto ilustrim "Bota sot" - krimet serbe në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani ka vijuar takimet e saj zyrtare në Shqipëri.

Sot zonja Osmani u takua me liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku kërkoi që Shqipëria të bashkëpunojë me Kosovën, për të mos lejuar që Serbia të ndryshojë të vërtetën e gjenocidit që ushtroi gjatë luftës.

Presidentja e përkohshme tha se vetëm kur zëri i Shqipërisë të bashkohet me atë të Kosovës, atëherë mund të kumbojë mjaftueshëm që ta dëgjojë e gjithë bota.

“Kërkoj bashkëpunimin e sinqertë mes Kosovës dhe Shqipërisë një bashkëpunim që në asnjë moment nuk do të duhej të krijonte ndonjë barrierë!

Të punojmë të gjithë bashkërisht, pavarësisht se cilës parti i përkasim! Të mos harrojmë që jemi shqiptarë! Flamuri i Kosovë dhe ai i Shqipërisë duhet të valëviten pranë njëri-tjetrit në çdo organizatë ndërkombëtare. Jemi dy shtete, por një shpirt i pamposhtur. Besoj se kërkesa jonë si Republikë e Kosovës është që Shqipëria të jetë vendi i dytë pas Kosovës që të dënojë gjenocidin serb.

Duhet të falënderoj institucionet që kam takuar deri më tani për përkrahjen që më dhatë deri më tani, për të dënuar krimet serbe në Kosovë. Ne duhet që t’i dënojmë bashkërisht dhe me një zë të latë. Duhet t’i dënojmë pa patur asnjë pikëpyetje!

Nuk ka pikëpyetje për krimet që Serbia ka kryer mbi Kosovë. Qëllimi i Serbisë ka qenë që të shfarosë një popull të tërë nga faqja e dheut. Ne arritëm që t’i shpëtojmë këtij qëllim për shkak të luftës së drejtë që ka bërë UÇK-ja, mbështetja që na dhanë ndërkombëtarët dhe shqiptarët. Të luftojmë me një zë më të fuqishëm për të mos lejuar që Serbia të ketë sukses në falsifikimin e historisë.

Masakrat e Serbisë janë regjistruar nga e gjithë bota me zë e figurë. Ishte përtej çdo gjëje që mund ta imagjinojë koka e një njeriu me mend. Të flasim të gjithe për ato krime se pa patur drejtësi, asnjë vend i Ballkanit perëndimor nuk mund të ketë paqe në rajon. Vetëm kur zërat tanë të bashkohen, mund të kumbojnë mjaftueshëm që t’i dëgjojë e gjithë bota”, ishte apeli që Vjosa Osmani bëri për partitë politike në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat