​Nxënësit dhe mësimdhënësit preferojnë mësimin në shkolla

Aktuale

​Nxënësit dhe mësimdhënësit preferojnë mësimin në shkolla

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 13:02
​Nxënësit dhe mësimdhënësit preferojnë mësimin në shkolla

Mësimdhënësit dhe nxënësit preferojnë që procesi mësimor të mbahet në shkolla, e të njëjtën gjë e kërkojnë edhe për gjysmë vjetorin e dytë. Kjo është ndër të gjeturat e raportit “Mësimi në pandemi” të prezantuar sot nga Instituti EdGuard.

Autori i raportit Mirlind Behluli, tha se qëllim i këtij hulumtimi ka qenë plotësimi i boshllëkut të informacioneve për mësimin online, mësimin në pandemi dhe rikthimin në shkolla.

Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 523 nxënës të shkollave fillore të mesme të ulëta dhe 312 mësimdhënës lëndor dhe klasor.

Behluli, bëri të ditur se nga të dhënat e ofruara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, se nga 25 mijë të testuar me COVID-19 kanë qenë 2 mijë e 301 mësimdhënës dhe 1 mijë e 649 nxënës.

Behluli: 97 përqind e mësimdhënësve e vlerësojnë si të duhur vendimin për rikthimin në shkolla

“97 përqind e mësimdhënësve e vlerësojnë si të duhur vendimin për rikthimin në shkolla, pra kur i kemi pyetur se si e vlerësoni vendimin e ministrisë së Arsimit për rikthimin në shkolla 97 përqind e mësimdhënësve kanë thënë se është vendim i duhur...ne kemi tentuar ta matim edhe efikasitetin e mësimdhënies sepse për vijueshmërinë edhe MASH ka të dhëna, por ne kemi tentuar të matim efikasitetin në mësimdhënie...Vetëm 24 përqind mendojnë që është aspak i humbur, ndërkaq pak i humbur 36 përqind, mesatarisht i humbur 27 përqind, shumica i humbur 12 përqind dhe fatmirësisht në këtë të dhënë është se i gjithi i humbur është vetëm 2 përqind”, tha ai.

Behluli tha se 72 përqind e mësimdhënësve deklarojnë se mësimi duhet të vazhdohet me prezencë fizike në shkolla.

Behluli: 72 përqind e mësimdhënësve duhet të vazhdohet mësimi në prezencë fizike

“Kur janë pyetur për cështjen e mësimit me prezencë fizike në shkolla, 72 përqind e mësimdhënësve deklarojnë se duhet të vazhdohet mësimi në prezencë fizike në shkolla dhe ndikimi i pandemisë në cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Pra, çdo i dytë mësimdhënës pohon se pandemia ka ndikuar për të keq në mësimdhënie, pra gjysma e tyre besojnë se ka ndikuar për të keq në mësimdhënie...Mësimi online dhe në distancë, 83 përqind e mësimdhënësve deklarojnë se kanë mbajtur të gjitha ose shumicën e mësimeve online”, tha ai.

E gjetur e këtij raporti, Behluli tha se është se edhe mësimdhënësit dhe nxënësit ndjehen të sigurt në shkolla në kushte të pandemisë.

Behluli: Edhe mësimdhënësit edhe nxënësit ndjehen të sigurt në shkolla në kushte të pandemie

“3 në 4 mësimdhënës thonë se janë ndjerë aspak, pak ose mesatarisht rehat gjatë mësimit online, kjo është një gjë që duhet ta adresojmë, pra mësimdhënësit nuk është që ndjehen fort rehat me mësimin online, prandaj edhe është 82 përqind e tyre deklarojnë se duhet të vazhdohet mësimi me prezencë fizike në shkolla. Pra, MASH duhet të vazhdojë mësimin online ta ketë të fundit si alternativë. Përceptimet e nxënësve, ata e vlerësojnë rikthimin në shkolla si të duhur, 87 përqind e tyre deklarojnë se u ka munguar shkolla, 92 përqind e tyre thonë se ndjehen shumë të lumtur me kthimin në shkolla. Pra, edhe mësimdhënësit edhe nxënësit ndjehen të sigurt në shkolla në kushte të pandemie”, tha ai.

Ai tha se 60 përqind e nxënësve mendojnë se pandemia ka ndikuar për të keq në mësimnxënie, derisa tha se çdo i dyti nxënës nuk posedon kompjuter në shtëpi dhe 76 përqind e tyre thonë se e kanë ndjekur mësimin përmes telefonit.

Një e gjetur tjetër e këtij raporti është sa i përket leximit tek nxënësit, ku gjatë vitit 2020 nxënësit kosovar kanë lexuar 33 përqind më pak libra se gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Ndër rekomandimet e këtij hulumtimi ishte vazhdimi i mësimit me prezencë fizike në klasa për aq sa lejojnë kushtet e pandemisë.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, tha se do të angazhohen që edhe gjysmë vjetori i dytë të vazhdojë të mbahet në objektet shkollore, pasi sipas tij mësimi në shkolla është më efektiv sesa mësimi në distancë.

Likaj: Rrethanat kanë qenë tepër të vështira për atë të gjithë pajtohemi

“Rrethanat kanë qenë tepër të vështira për atë të gjithë pajtohemi, ka qenë vështirë si për neve si ministri ashtu edhe për DKA-të dhe për shkollat, për prindërit, për krejt komunitetin, megjithatë besoj që tre skenarët kanë funksionuar shumë mirë në rrethanat në të cilat jemi...Mësimi në shumicën e shkollave po themi është zhvilluar në skenarin A, në skenarin C për shembull këtë javë i kemi vetëm 37 shkolla që kanë punuar, por nuk janë edhe shkollat e plota ka shkolla që kalon një klasë dy klasë varësisht prej numrit të të infektuarve, por megjithatë besoj që plani mësimor që është paraparë është realizuar në masën më të mirë të mundshme për rrethanat në të cilat jemi”, tha ai.

Likaj bëri të ditur se dje kanë hartuar një udhëzues për mësimdhënësit se si të veprojnë gjatë këtij pushimi prej katër javësh.

Ai tha se duke qenë se përfundimi i gjysmë vjetorit të parë ka ndodhur më herët të gjitha orët do të zëvendësohen.

Likaj: Pushim pranveror sipas kalendarit të ri tash nuk do të ketë

“Për fëmijët të cilët kanë humbur më tepër sesa nxënësit apo shkollat më tepër sesa 5 ditë pune, pushim pranveror sipas kalendarit të ri tash nuk do të ketë. Ndërsa, është në liri të plotë të shkollave dhe drejtorive komunale 4 ditë tjera të punës t’i kompensojnë të shtunën, në mënyrë që të jemi me kohë për arsye se është e paraparë me kalendarin e ri saktë edhe provimet e maturës. Është një udhëzues i thjeshtë që iu ka shkuar shkollave, do të thotë saktë e kemi planifikuar gjithsej mendojmë që nëse shkon gjithçka mirë që janë 4 ditë të këtij gjysmë vjetorit dhe 5 ditë të gjysmë vjetorit tjetër që janë 9 ditë, pra pushim pranveror nuk do të ketë dhe 4 ditë të këtij gjysmë vjetorit do të zëvendësohen në 4 të shtune, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat